Konsumoj, pastaj ekzistoj

Nga Rezart Cenaj,
Konsumoj, pastaj ekzistoj

Në dokumentarin muzikor të Vim Venters mbi Buena Vista Social Club, shikojmë disa muzikantë të moshuar mrekullueshëm kubanë duke luajtur muzikë dhe duke folur për jetët e tyre. Përtej talentit të tyre, ajo që me siguri habit shikuesin është se këta njerëz që u rritën me pak gjëra, aq të varfër, janë shumë qejflinjë dhe optimistë. “Mos ndoshta oligarkia e bën njeriun të lumtur?”, mendoj ndërkohë që shoh dokumentarin.

Por kur grupi muzikor i kubanëve shkon në New York për një koncert, vërehet se ata hipnotizohen nga dritat dhe vitrinat e dyqaneve, nga bollëku i supermarketeve, nga makinat dhe ndërtesat. Sytë e tyre shkëlqenin kur iu dha mundësia të marrin pjesë në parajsën e konsumit. Ata jetonin mirë duke pasur pak zgjedhje konsumi dhe të sigurtë mbijetesën e tyre. Por, duke u gjendur me para nëpër duar, çfarë tjetër mund të bënin më mirë se sa të konsumonin.

Etika konsumiste “konsumoj, pastaj ekzistoj”, është një shpikje e botës moderne. Paraardhësit tanë, dy breza para, mendonin se oligarkia dhe kursimi janë virtyte të mëdha. Ata riparonin rrobat, mobiljet, pajisjet elektrike, automjetet… sepse supozonin se do zgjasnin një jetë të tërë. E konsideronin mëkat të hidhnin ushqimin, akoma më kafshatën e fundit të bukës. Ishin më pak të lumtur se ne? Jo. Por as më shumë.

Problemi është se kapitalizmi me shpërndarjen e tij nuk shmang oligarkinë. Çdo biznes duhet të maksimizojë fitimet e veta dhe t’i investojë në produkte të reja që do të sjellin akoma më shumë fitime. Produktet e reja do duhet t’i blejë dikush. Nëse njerëzit do të bënin një ndërprerje botërore blerjesh për një muaj, kjo do ta ndikonte ekonominë më tepër se sa të gjitha grevat dhe kryengritjet sëbashku.

Në fakt, nëse askush nuk blen asgjë për një javë, ekonomia botërore do të shembej. Por njerëzit nuk mund të ndalojnë së bleri. Konsumi, pazaret janë aq të këndëshme për trurin e njeriut sa asnjë zakon, mentalitet apo ideologji tjetër. Mendoni pak fetë e mëdha dhe ideologjitë. Sa të krishterë apo myslimanë mund të jenë qoftë edhe një ditë të jetës së tyre të krishterë apo myslimanë të vërtetë? Sa komunistë janë të kënaqur me produktet që marrin? Është e vështirë të jetosh kështu dhe pak janë ata që arrijnë të ndjekin udhëzimet.

Konsumizmi, nga ana tjetër, është i këndshëm për të gjithë. Edhe nëse nuk ke lekë mjaftueshëm, mund të huazosh nga karta apo banka jote, për të qenë në gjendje të blesh atë që do. Sidomos kur e gjen me 50% ulje. Më fakt, të gjitha ato që ne blejmë nuk janë gjëra për të cilat kemi nevojë. Janë sende/shërbime që duam t’i kemi, që na bindin se duam t’i kemi. Produktet moderne janë të projektuara që të rrojnë pak kohë. Edhe në qoftë se ato vazhdojnë të funksionojnë, ne mësojmë se duhet t’i zëvendësojmë me modelin e ri, me programin e ri. Çdo vit qarkullon iPhone i ri. Përse ti vazhdon të kesh modelin e kaluar? Moda në rroba ndryshon vazhdimisht.

Ata që kanë më tepër para do të blejnë rroba të markave të kushtueshme, edhe pse ato të vitit të kaluar nuk janë dëmtuar. Ata që kanë më pak para, pra shumica, bëjnë blerjet në dyqanet zinxhir (Zara, H&M, etj.) ku rrobat e lira zakonisht dëmtohen përpara se të kalojë një vit apo, shpesh herë, para se të arrrijnë uljet e reja. Uljet dhe ofertat i çojnë njerëzit në delir konsumi. Mund mos të kesh nevojë për makineri akulloreje, por kur e gjen me gjysmë çmimi është e vështirë mos ta blesh.

Të gjitha festat fetare shoqërohen me orgji konsumizmi. Krishtlindjet janë sinonim i shpartallimit të portofolit dhe të rilindjes së tregut të rënë. Festimet romantike si Shën Valentini, festat kombëtare, pushimet verore dhe çdo festë e rastit kanë vlerë vetëm nëse mundemi të konsumojmë. Dhe përsa i përket ushqimit, aty jemi krejtësisht konsumatorë të lumtur.

Në këtë moment, në perëndim shpenzohen më shumë para për dieta nga sa do nevojiteshin të shpenzoheshin për të zgjidhur problemin global të kequshqyerjes. Kjo është apoteoza, fitorja më e madhe e konsumizmit. Jo vetëm hamë shumë më tepër nga sa duhet të hamë, jo vetëm hedhim më shumë nga sa hamë, por pastaj shpenzojmë akoma më shumë për dietat, për ushqimet me më pak yndyrna dhe për palestra. Përse e bëjmë këtë? Përse e bëjnë të gjithë njerëzit në të gjithë botën sapo u jepet mundësia? Sepse ndihemi mirë duke blerë, duke përvetësuar sa më shumë.

Problemi i parë është se zakonisht blejmë më tepër se sa mundemi. Në këtë na ndihmojnë bankat me kreditë konsumatore dhe karta e kreditit. Por ato nuk ndihmojnë kur kërkojnë mbrapsht huanë bashkë me interesin.

Problemi i dytë është ajo që bëjmë për të fituar para në mënyrë që të blejmë të gjitha ato sende që na bëjnë të lumtur. Shumica e njerëzve kemi punë me shumë lodhje dhe pagë të ulët. Dhe pasi i kalojmë ditët kuturu në pasiguri duam diçka për t’u ngritur psikologjikisht. Ashtu si me drogat e forta, edhe nga konsumizmi krijon varësi. Është një rreth vicioz. Sa më i dëshpëruar ndihesh me jetën tënde, aq më tepër shpenzon, aq më shumë duhet të punosh për të fituar që të shpenzosh. Dhe kurrë nuk mund të blesh të gjitha ato që do.

Problemi i tretë është se në vend që të posedojmë gjëra, përfundojmë duke na poseduar ato ne. Varësia nga telefoni, kompjuteri, makina, këpucët është monstruoze. Kërkojini dikujt të jetojë pak ditë pa të gjitha këto sende. Do ndihet se jeta e tij është e pakuptimtë. Bosh. Kështu që konsumizmi, apo sendet e shërbimet që ne blejmë duket se na kanë zëvendësuar fenë, ideologjinë dhe marrëdhëniet njerëzore. Nuk kërkojmë më për kuptimin e jetës. E kemi gjetur. Është të shpenzojmë.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz