Hashim Thaçi: Zgjidhja e konfliktit me Serbinë është njohja e plotë e pavarësisë

Hashim Thaçi: Zgjidhja e konfliktit me Serbinë është njohja e plotë e pavarësisë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili aktualisht ndodhet në Bruksel në një takim me Presidentin serb Vuçiç, ka sqaruar qytetarët se çfarë pret ai nga ky takim që ka në fokus zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi. Me anë të një shkrimi, Zoti Thaçi sqaron:

“Gjatë kësaj dekade të parë të funksionimit të institucioneve demokratike, Kosova ka shënuar suksese të shumta në arenën ndërkombëtare, duke u bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare.

Është koha të reflektojmë shumë seriozisht për rrugën tonë përpara. Realiteti i sotëm në arenën ndërkombëtare është shumë më ndryshe. Ne duhet të përshtatemi me kujdes në këtë ambient kompleks ndërkombëtarë, në mënyrë që të ruajmë edhe më tutje mbështetjen e partnerëve tanë kryesorë perëndimorë për ta bërë realitet aspiratën tonë për anëtarësim në OKB, NATO dhe BE. Pa arritjen e këtyre tri synimeve thelbësore, nuk mund të themi që shteti ynë është i konsoliduar dhe ka zënë vendin e vet të merituar në arenën ndërkombëtare, njësoj sikur shtetet tjera demokratike të botës.

Synimi ynë është krejtësisht i mundur në rast se përkushtimi dhe puna e jonë do të jetë e përbashkët. Shumë pengesa kemi përpara në këtë rrugëtim, por asnjë nga ato nuk është e patejkalueshme. Por, duhet të jemi realistë dhe të pranojmë faktin se pengesa më e madhe në të gjitha këto përpjekje do të jetë aftësia e jonë për të përmbyllur me sukses fazën e fundit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tingëllon keq dhe ndoshta është e padrejtë për ne, por në masë të madhe, shpejtësia e arritjes së tri synimeve kyçe të sipër përmendura varet nga aftësia e jonë për të arritur marrëveshjen përfundimtare politike për normalizimin e marrëdhënieve me këtë shtet fqinj. Padyshim, normalizim i plotë nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Unë do të jem në Bruksel dhe së bashku më znj. Frederica Mogherini dhe presidentin e Serbisë Vuçiç do të diskutojmë për idetë preliminare se si do të vazhdojmë më tutje. Sigurisht, ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe transparent në këtë proces, por ketë duhet ta bëjmë në mënyrë institucionale. Prandaj, ne duhet që me urgjencë fillimisht të bëjmë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe të qeverisë së re. Çdo vonesë e mëtejshme bartë me vete pasoja shumëdimensionale. Për më tepër, vonesat e tilla, e bëjnë të pamundur edhe ndërtimin e platformës së përbashkët të cilën e konsideroj të domosdoshme për proceset jetike shtetërore që na presin.

Të gjithë presim që të gjitha partitë politike të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe që pa vonesa të funksionalizojnë Kuvendin e Kosovës dhe qeverinë e re.

Menjëherë pas kësaj, unë do të punoj për ndërtimin e ekipit të unitetit me përfaqësues nga partitë politike, shoqëria civile etj. Duhet të përgatitemi mirë dhe të jemi të bashkuar sepse Kosova nuk ka kohë për të humbur.”

 



Lini një koment

1 Koment për "Hashim Thaçi: Zgjidhja e konfliktit me Serbinë është njohja e plotë e pavarësisë"

avatar
trackback

[…] Një urë komunikimi për negociatat është ndërtuar tashmë. Dialogu Kosovë-Serbi u hodh nga BE në vitin 2011. Kosova dhe Serbia ranë dakord për marrëveshjet për çështje teknike si liria e lëvizjes, menaxhimi i integruar i kufirit dhe targat e automjeteve. Megjithatë, zbatimi ka qenë i pabarabartë. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 konfirmoi një “të ardhme evropiane” për Kosovën dhe Serbinë, por në rastin më të mirë, ecuria politike ka qenë e çrregullt. […]

wpDiscuz