Kush do të paguajë për mbetjet e Tiranës? – Exit shpjegon

Kush do të paguajë për mbetjet e Tiranës? – Exit shpjegon

Një ditë më parë, Ministria e Mjedisit shpalli kompaninë guackë Integrated Energy B.V, kompania e vetme e cila bëri ofertë të pakërkuar, fituese të koncesionit 30 vjeçar për ndërtimin dhe përdorimin e impiantit të djegjes së plehrave në Tiranë, përfshirë dhe ndërtimin dhe menaxhimin e një landfilli të ri dhe një impianti për filtrimin e ujit, të gjitha nën projektin me emër “Zona e Trajtimit të Mbeturinave Tiranë (ZTMT).

Sipas relacionit shoqërues të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) të datës 7 dhjetor 2016, projekti për incineratorin e mbeturinave nuk mendohet të ketë efekt në buxhetin e shtetit:

“Zbatimi i projektvendimit nuk shoqërohet me shpenzime financiare për buxhetin e shtetit […] Vetë procedura koncesionare nëse do të ketë një ofertues fitues dhe një kontratë të lidhur, nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit, pasi kemi të bëjmë tërësisht me një investim privat, madje buxhetit të shtetit do t’I shtohet vlera e Fee (tarifë) koncesinare që do të detyrohet të paguajë subjekti.”

Me fjalë të tjera, raporti parashikon që shteti do të përfitojë—përveç shërbimit edhe para nga koncesioni 30 vjeçar.

Realiteti, megjithatë, është shumë ndryshe.

Sipas studimit të bëshmërisë së projektit, duke cituar shifrat nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, prodhimi i mbeturinave në rrethin e Tiranës në vitin 2014 ishte 0.9 kilogramë për person në ditë. Me 778,338 banorë, kemi rreth 700 ton mbeturina shtëpiake në ditë dhe 246,800 ton mbeturina në vit.

Projekti ZTMT, ku përfshihet dhe fabrika e përpunimit të mbetjeve do të jetë në gjendje të trajtojë menjëherë nga viti i parë i koncesionit 550-800 ton mbetje në ditë.

Fabrika e përpunimit të mbeturinave do të përbëhet nga katër linja përpunimi, me një kapacitet prej 230 ton për ditë secila dhe një kapacitet të përgjithshëm prej 920 ton për ditë. Linja e parë do të jetë funksionale pas 18 muajsh, e dyta pas 36 muajsh, e treta pas 50 muajsh dhe linja e katërt duhet të ndërtohet përpara se të kalojnë 72 muaj nga fillimi i koncesionit. Rrjedhimisht, do të duhen 6 vjet nga 30 vite të koncesionit që projekti të përfundojë e të funksionojë me kapacitet të plotë.

Sipas studimit të bëshmërisë, bashkia do të paguajë 29.05 euro pa TVSH për ton/mbetje. Kjo vlerë arrin në 7 milionë euro për 246,800 ton mbeturina shtëpiake të prodhuara nga Tirana çdo vit dhe të përpunuara në ZTMT.

Llogaritja e këtij çmimi bazohet në supozimin se energjia elektrike e prodhuar nga fabrika e përpunimit të mbeturinave me kapacitet prej 3.85 MWh për secilën linjë, do t’i shitet qeverisë shqiptare për rreth 133 milionë euro gjatë 30 viteve, ose  rreth 4,5 milionë euro në vit. Natyrisht ky është një çmim shumë i lartë i shitjes së energjisë, prej € 70 / MWh.

Për krahasim, gjatë krizës aktuale të energjisë, qeveria ishte e detyruar të blinte energji në tregun ndërkombëtar me çmimin 57.4 euro / MWh në fund të qershorit dhe 68.2 euro / MWh në muajin korrik. Me fjalë të tjera, çmimi i supozuar nga Integrated Energy B.V është edhe më e lartë se çmimi i paguar nga qeveria në një situatë emergjence.

Por le të supozojmë se shteti me të vërtetë paguan këtë çmim të lartë, të fiksuar, duke argumentuar se fabrika e përpunimit të mbetjeve prodhon energji “që nuk dëmton mjedisin”, në një vend si Shqipëria që varet për energji elektrike totalisht tek hidrocentralet (nëse bie shi).

Në këtë rast, Integrated Energy B.V  kërkon në vitin e parë të kontratës 6,4 milionë euro nga buxheti i shtetit, shifër që ngadalë bie në 2,3 milionë euro në vitin e 30-të të koncesionit, ndërsa tarifat e paguara nga Bashkia e Tiranës do të jenë  1 milionë euro për vitin e parë dhe 5,1 milionë euro për vitin e 30-të.

Pagesat nga bashkia supozohet të mbulohen nga taksa e pastrimit e vendosur për të gjithë qytetarët e Tiranës e paguar përmes faturës së ujit. Por mbani mend se vetëm 23% e qytetarëve të Tiranës paguajnë faturat e tyre të ujit, e kështu dhe taksën e pastrimit. Se nga ku supozohet të vijnë këto shifra është ende një mister.

Po ashtu në VKM shkruhet në mënyrë të qartë se “procedura e koncesionit […] nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit sepse kemi të bëjmë me një investim tërësisht privat. Por, në studimin e bëshmërisë shkruhet diçka tjetër:

“Kostot prej 29.5 eurosh për ton do të mbulohen nga buxheti I Bashkisë, kryesisht nga Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit ka marrë përsipër, bazuar në tabelën në vijim, të kryejë financim nga fondet e veta, ndërsa pjesa e mbetur do t’i financohet Bashkisë së Tiranës nga Qeveria Qendrore.

Çfarë do të thotë? Kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një investim tërësisht privat për ndërtimin dhe funksionimin e impiantit gjatë gjithë periudhës së kontratës, pra për 30 vitet. Kompania [që do të shpallet fituese] do ta ndërtojë atë me fondet e veta, një investim prej 128 milionë eurosh. Kapital tërësisht privat.

Po, “kapital tërësisht privat” nëse qeveria është e gatshme të subvencionojë taksat që Bashkia e Tiranës nuk do mund t’i paguajë Integrated Energy B.V! Sigurisht, qeveria nuk po paguan direkt tek kompania, por koncesioni me siguri ka “një efekt shtesë” në buxhetin e shtetit – një total prej rreth 130 milionë eurosh.

Me fjalë të tjera, “efekti shtesë” në buxhetin e shtetit të koncesionit të ZTMT është më i madh se investimi “privat” prej 128 milionë eurosh , madje dhe pa përfshirë në të taksat e paguara nga bashkia dhe energjinë që do i shitet qeverisë për një çmim shumë më të lartë.

Ky është një tjetër rast ku, qeveria, dhe për këtë arsye qytetarët e Shqipërisë, janë humbësit e mëdhenj të marrëveshjeve ku përfitojnë vetëm kompani private. Kur do të mësojë qeveria të përdorë makinë llogaritëse?



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz