Qeveria Rama 2, qendërzohen prokurimet publike, bashkohen doganat e tatimet

Qeveria Rama 2, qendërzohen prokurimet publike, bashkohen doganat e tatimet

Përveç shkrirjes dhe shpërbërjes së disa ministrive, gjatë mandatit të dytë të Kryeministrit Rama, të tjera agjenci e institucione do të riorganizohen për të ulur numrin e përgjithshëm të tyre dhe atë të nëpunsve.

Dy prej ndryshimeve më të mëdha do të jenë ato në fushën e tenderimeve publike dhe në menaxhimin e doganave dhe tatimeve.

Drejtoria e Përgjithshme e Prokurimeve Publike do të jetë institucioni më i ri që do të bëjë procedurat  e tenderimeve publike për të gjithë ministritë dhe institucionet që menaxhojnë para publike. Kjo drejtori do të jetë nën varësinë e drejtëpërdrejtë të Kryeministrisë, më specifikisht nën vëzhgimin e Ëngjëll Agaçit, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Burime të ndryshme shprehen se Kryeministri Rama u njoh me idenë e “qendërzimit” të prokurimeve publike nga kryeministri i Kroacisë, ku dhe aktualisht po trajnohet një grup i stafit të kryeministrisë shqiptare.

Sipas kryeministrit Rama, përqëndrimi i tenderave në duart e një personi të vetëm do të shmangë korrupsionin dhe do të mundësojë menaxhim më të mirë të fondeve publike.

Drejtoritë e Përgjithshme të Doganave dhe Tatimeve, dy prej më të rëndësishmeve në çdo shtet, do të shkrihen në një të vetme të quajtur Agjencia Kombëtare e të Ardhurave (AKA). AKA do të vazhdojë të jetë nën varësinë e Ministrisë së Financave, që tashmë është bashkuar më atë të Ekonomisë dhe Punës, e do të drejtohet nga Arben Ahmetaj.

Ky projekt u prezantua dje në Asamblenë e Partisë Socialiste nga Niko Peleshi, pjesë e grupit të punës të ngritur pas zgjedhjeve për rishikimin e strukturës së institucioneve shtetërore.

Në ditët në vijim pritet të mësohet se kush do të drejtojë agjencinë më të rëndësishme për sa i përket mbledhjes së të ardhurave në vend.

Në Qeverinë Rama 1, dy drejtoreshat Elisa Spiropali dhe Briseida Shehaj u larguan në mes të mandatit pas skandaleve për korrupsion dhe akuzave të shumta.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz