Reporter.al — Shqiptarët u përballën me rënie të ndjeshme të pagave më 2016

Reporter.al — Shqiptarët u përballën me rënie të ndjeshme të pagave më 2016

Gazetari Gjergj Erebara në artikullin e tij të botuar në median Reporter.al shkruan se paga mesatare mujore bruto për të gjithë të punësuarit në ekonominë shqiptare ra në 45,845 lekë në vitin 2016- nga 46,829 lekë që qe në vitin 2015, me një rënie neto prej 2.1 për qind, bëhet e ditur nga të dhënate reja statistikore të publikuara nga Instituti i Statistikave.

Sipas të dhënave të INSTAT-it të analizuar në artikull sektorët me pagat më të ulta janë akomodimi dhe shërbimi i ushqimit, shërbimet në shtëpi, industria përpunuese dhe fabrikat e veshjeve.

Ndërsa sektorët me pagat më të larta janë bankat, kompanitë e sigurimit e shërbime të tjera financiare, sektori i informacionit dhe telekomunikacionit, Aktiviteteve Profesionale, Shkencore dhe Teknike, furnizimi me energji elektrike, gaz e avull dhe me ajër të kondicionuar, ndërmarrjet shtetërore KESH, OST e OSHEE.

Të dhënat e INSTAT tregojnë, gjithashtu se në ndërmarrjet shtetërore paga mesatare aktuale është 55 mijë lekë, ndërsa në ndërmarrjet private shqiptare është 34 mijë lekë. Pagat më të larta gjenden te ndërmarrjet nën pronësi të huaj prej 69 mijë lekësh.

Në artikull sqarohet se pavarësisht shifrave zyrtare të cilat tregojnë rritje të ekonomisë në vend me 3,5 për qind të PBB dhe nivelin e inflacionit me 1,3 për qind më i ulëti në afro dy dekada rënia e pagave në ekonomi tregon nga njëra anë vështirësitë e mëdha ekonomike të përjetuara nga ndërmarrjet gjatë vitit 2016.

Ndërsa shpjegon nga ana tjetër normën shumë të ulët të inflacionit gjatë këtij viti si dhe aspektin disfunksional të rritjes ekonomike.

Erebara shkruan se:

Ndonëse rritja ekonomike mund të jetë pak a shumë 3.5 për qind, kjo rritje ekonomike nuk është përkthyer në paga më të larta për të punësuarit për shkak se konsiderohet rritje ekonomike e përqendruar në pak aktivitete masive ndërtimi si gazsjellësi TransAdriatik apo hidrocentrali i Devollit, projekte që kanë pak ndikim në ekonominë reale të shqiptarëve.

Norma shumë e ulët e inflacionit gjatë vitit 2016 zyrtarisht nuk konsiderohet të jetë shkaktuar nga rënia e konsumit të brendshëm, por argumentohet se në një masë të konsiderueshme është shkaktuar nga rënia e çmimeve të importit.

Megjithatë, për një ekonomi të re dhe të varfër si Shqipëria, rënia nominale e pagave është një fenomen i pazakontë që tregun me vështirësi të konsiderueshme ekonomike. Mungesa e analizës për shkaqet reale të kësaj vështirësie ekonomike dhe fshehja pas shifrës boshe të rritjes së PBB-së me 3.5 për qind me gjasë e mbyll shtegun për marrjen e masave reale për zgjidhjen e problemeve.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz