Ujërat e zeza Sarandë, një tjetër skandal i punimeve me cilësi të dobët

Ujërat e zeza Sarandë, një tjetër skandal i punimeve me cilësi të dobët

Dje në Sarandë tubacionet e ujërave të zeza u çanë duke shkaktuar ndotjen e detit pranë Kanalit të Çukës.

Sipas njoftimit të Bashkisë Sarandë, në faqen zyrtare në Facebook, “rrjeti i ujërave të zeza është investim i kryer në vitin 2013”.

Por e vërteta është krejt ndryshe. Punimet për ujësjellës-kanalizimet në  Sarandë u inaguruan më 6 prill 2017, nga Ministri i Infrastrukturës Sokol Dervishaj, ambasadorja gjermane Susanne Schutz dhe kryetarja e Bashkisë Sarandë Floriana Koka.

Projekti i ujësjellësit

Projekti për shtrimin e 55 kilometrave tubacione uji, rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve, ndërhyrje në rezervuarin e ujit dhe ndërtimin e një godine të re ujësjellësi, pjesë e master-planit të zhvillimit të Bregdetit të Jugut ka kushtuar rreth 7,6 milionë euro. Fondet për këtë projekt janë miratuar në vitin 2010 si pjesë e programit IPA të BE-së me bashkëfinancim të Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW) për ndërtimin e rrjetit të ujesjellësit dhe të kanalizimeve të ujrave të zeza në Fier, Korçë, Berat, Lushnje.

Sipas dokumentave të projektit IPA, tenderi për punimet duhet të niste 2 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes financiare, ndërsa punimet duhet të përfundonin 4 vite pas nënshkrimit të kontratës. Dhe më pas, bashkisë i jepej një vit kohë si periudhë prove për të parë nëse rrjeti ka difekte.

Punimet u realizuan nga kompania shqiptare “Trema Engineering 2”, e njëjta kompani që ka rikonstruktuar edhe stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Difektet me tubacionet

Problemi me çarjen e tubacioneve pranë Kanalit të Çukës nuk është i vetmi i ndodhur gjatë muajve të fundit.

Në mes të korrikut, një tub që dërgon ujërat e zeza tek impianti i përpunimit, u ça dhe u derdh në liqenin e Butrintit, jo vetëm duke ndotur ujërat por dhe duke shkaktuar dëme serioze në vaskat e midhjeve.

Specialistët e ujësjellës – kanalizimeve Sarandë dhe Inspektoriati i Mjedisit pranë Bashkisë, me synimin për të shmangur largimin e turistëve, nuk e bënë publik rastin.

Sipas Saranda News Capital, pas prishjes së këtij tubacioni, ujërat e zeza për të paktën 2 javë janë derdhur në lumin e Bistricës.

Po ashtu vetëm një javë më parë, banorët e Sarandës janë ankuar për mungesë të furnizimit me ujë prej disa ditësh, problem edhe më serioz po të kihet parasysh se qyteti është në pikun e sezonit turistik.

Gjithashtu, 2 muaj më parë, në maj 2017 KLSH paditi kryebashkiaken Floriana Koka për “shpërdorim detyre”. Sipas auditimit të KLSH, kryebashkiakja ka bërë likuidime pagesash për investime të pakryera, thënë ndryshe punë fiktive për “përmirësimin e rrjetit të ujërave të zeza në zonën e Hotel Butrinit deri tek Kanali i Çukës në vlerën 30 mln lekë.”



Lini një koment

wpDiscuz