Rama në Samitin e Adriatikut—hyri me atlete të bardha, doli me këpucë të kuqe

Rama në Samitin e Adriatikut—hyri me atlete të bardha, doli me këpucë të kuqe

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, 53 vjeç, ish artist dhe lojtar basketbolli, u shfaq në takimin e nivelit të lartë me atlete të bardha.”

Këto janë fjalët e vetme që Sewell Chan, shefi i redaksisë ndërkombëtare të New York Times, shkruante dje për pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama në artikullin e tij raportues për Samitin e Kartës së Adriatikut, që u mbajt në Podgoricë më 1-2 gusht, me pjesëmarrjen e Zëvendës Presidentit amerikan Mike Pence.

Në fjalët e Chan ndihet ironia apo habia për veprimin e pakuptimtë, jashtë standardit apo protokollit diplomatik, të Kryeministrit tonë të ngutur e tepruar në përpjekjet për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve.

Në të vërtetë, habia e çastit që shkaktoi tek pjesëmarrësit me atletet e bardha duket se ishte i vetmi “ndikim” apo kontribut i Kryeministrit Rama në Samit.

Njeriu që ka katër vjet që jep leksione kudo ku mundet për terrozimin islamik dhe ndikimin rus në Ballkan, dy nga ështjet kyce të Samitit, nuk gjeti asnjë hapësirë dhe rëndësi mes të pranishmëve. Çdo kush tjetër qe më i rëndësishëm se ai politikisht.

Në mënyrë domethënëse ai qe edhe i vetmi udhëheqës nga vendet pjesëmarrëse—Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Sllovenia dhe Serbia—që nuk pati takim apo bisedë bilaterale më Zëvendës Presidentin Pence.

Pjesëmarrja e tij në Samit ishte sikur të mos ishte. Ironikisht si për ta bërë edhe më te dukshëm këtë fakt, ai qe dhe i vetmi udhëheqës që mungoi në foton zyrtare të Samitit. Sipas variantit të zyrës së tij të shtypit, Kryeministri vendosi të largohej pa mbaruar Samiti se helikopteri shtetëror për në Shqipëri nuk mund të fluturonte natën.

Kryeministri i Shqipërisë dhe vetë Shqipëria janë shndërruar kohët e fundit në një emër apo realitet që përmendet vetëm në kontekstin gjeografik dhe kolektiv rajonal.

Ilustrimi më domethënës i këtij fakti është se kreyministri Rama është i vetmi udheheqës ballkanik që nuk ka patur pothuajse asnjë komunikim, takim apo ndërveprim tjetër me qeverinë amerikane që prej ardhjes në pushtet të Administratës Trump. Kjo ndodh në një kohë kur adminsitrata Trump është ndoshta më aktivja në dekada në marrëdhëniet me Ballkanin.

Gjatë vizitës në Mal të Zi, Presidenti Pence u takua me Kryeministrin Duško Marković, zhvilloi një darkë pune me të dhe me Presidentin Filip Vujanović dhe takoi udhëheqësit e opozitës malazeze. Zëvendës presidenti amerikan zhvilloi gjithashtu takime bilaterale me kryeministrin maqedonas, presidentin Kosovar, kryeministren serbe.

Ndërkohë, para pak javësh, Zëvendës Presidenti amerikan Pence priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin Serb Vuçiç. Para pak javësh, po Zëvendës Presidenti Pence telefonoi Kryeministrin e sapozgjedhur maqedonas Zoran Zaev për ta uruar dhe siguruar atë në emër të Presidentit Trump për mbështetjen e SHBA-ve ndaj Maqedonisë.

Për ta përmbledhur pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama në Samitin e Podgoricës: Kryeministri Rama shkoi në Mal të Zi me atlete të bardha, por doli me këpucë të kuqe.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz