Shteti jashtëligjor i Edi Ramës

Nga Rezearta Çaushaj,
Shteti jashtëligjor i Edi Ramës

Gjatë gjithë mandatit të tij si kryeminsitër, Edi Rama ka tentuar gjithmonë, në forma të ndryshme, të legjitimojë “zgjidhjen” e probleme jashtë ligjit, procedurave, rregullave e institucioneve.

Rëndom këto “zgjidhje” bazohen në opinione të rastësishme dhe të painformuara, bazuar në perceptimet “popullore” se ku “qëndrojnë” problemet e shprehura përmes ankesave popullore. Sigurisht që ankesat sinjalizojnë ekzistencën e problemeve, por ato nuk mund të japin zgjidhje e aq më pak të trajtohen si politika publike.

Por nën petkun e shqetësimit dhe përgjigjes ndaj problemeve të njerëzve, Edi Rama po çimenton pushtetin e tij personal jashtëinstitucional dhe jashtëligjor. Tashmë, perceptimet, opinionet, inatet, qejfmbetjet apo gjykimet personale/ sipërfaqesore ai po i kthen në një institucion për të fuqizuar veten dhe vetëm veten e për t’i përdorur kundër kujtdo. Brenda apo jashtë partisë, këto janë simptoma të pushtetit të pakufizuar.

– Nuk janë departamentet përkatëse të administratës që bëjnë vlerësimin e ecurisë dhe dhënien e masave disiplinore për nënpunësit—është Rama që të shkarkon drejtpërdrejt në TV dhe të punëson në moment kur i dërgon jetëshkrimin.

– Nuk ka studime, analiza, vlerësim zyrtar dhe profesional të strategjive, programeve dhe politikave—ka grup klasifikimi të komenteve të njerëzve për Edi Ramën në Facebook, në bazë të të cilit lëshohen direktivat përkatëse nga Edi Rama.

– Nuk ka zyra, kanale zyrtare, mekanizma fromale ankimimi—ka dëgjesa popullore drejtpërdrejt në TV apo në Facebook.

– Nuk ka pergjegjësi administrative apo penale bazuar në shkeljet apo dëmet e shkaktuara ndaj interesit publik—ka “shkulje veshi” nga Edi Rama.

– Nuk kanë rëndësi raportet vendore e ndërkombetare mbi drogën, nuk kanë rëndësi parcelat që njerëzit shikojnë me sytë e tyre—ajo ekziston vetëm kur Edi Rama e pranon se ekziston.

– Nuk janë institucionet përgjegjëse që si pjesë e punës së tyre të përditshme hartojnë strategji apo veprime për të luftuar drogën që ka mbuluar vendin, nuk janë institucionet përgjegjëse që ngarkohen me detyra dhe përgjegjësi konkrete—është Edi Rama ai që shpall se kur dhe si do të do të fillojë lufta.

Kjo metodë ka dy pasoja të rëndësishme. E para ajo personalizon krejtësisht marrëdhënien qeveri/zyrtar–qytetar. Pra, inkurajon praktikat më të këqija të zhvillimit të administratës, bazuar në një qasje tribalizmi apo patriarkalizmi. Ti mund t’i japësh zgjidhje problemit tënd duke iu drejtuar personalisht udhëheqësit me ankesa për të tjerët, por ai nuk mund të kritikohet vetë.

Rrjedhimisht, ky model do të riprodhohet në nivele më të ulëta drejtimi e do të favorizojë “miqtë” e qeverisë. Të tjerët, do të duhet të shfrytëzojnë marrëdhëniët personale apo edhe të blejnë një “zgjidhje”.

Së dyti, metoda e Kryeministrit shmang çdo përgjegjsi që ai dhe politikat e tij mbartin mbi gjendjen e institucioneve dhe politikave—hipotekave, shëndetësisë, arsimit, investimeve, turizmit, drogës, korrupsionit, etj. Përgjegjësia është individuale. Pra, politikat e zbatuara ishin të duhurat, por ato u kompromentuan nga individë të caktuar.

Prandaj, nuk ka vend për ndryshim apo reflektim. Udhëheqësi merr vendimet e duhura, por atë e minon vazhdimisht pangopësia apo paaftësia e drejtuesve të institucioneve—pak rëndësi ka që individët në të gjitha nivelet drejtuese në çdo ministri dhe institucion qendror janë emërime partiake.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz