(Pa)ligjshmëria e vendimeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës

Nga Marash Logu,

Ditën e mërkurë, mes shumë debateve e kundërshtive të shumëanshme, Këshilli Bashkiak i Tiranës mori me urgjencë disa vendime shumë të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit. Ndër to, ndoshta më i debatuari ishte rritja e çmimit të ujit nga 45 lekë për metër kub në 65 lekë. Këshilltarët e djathtë të këtij Këshilli e kishin deklaruar votën e tyre kundër këtij vendimi, madje për ta pamundësuar atë vendosën ta bojkotojnë mbledhjen, ndërsa këshilltarët e LSI-së ishin fillimisht të paqartë, por në fund edhe ata u shprehën kundër dhe iu bashkangjitën bojkotit të kolegëve të tyre të djathtë.

Dy këshilltarë të LSI-së iu bashkuan grupit të këshilltarëve socialistë për të formuar kuorumin e nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe votimin e vendimeve. Sipas asaj çka u tha në media sepse akoma nuk është zbardhur proçesverbali, në mbledhje morën pjesë 31 këshilltarë, që përbëjnë edhe shumicën e të gjithë anëtarëve të këtij këshilli. Veçse pikërisht te ky numër lindin një sërë parregullsish që e bëjnë vetë mbajtjen e mbledhjes të pavlefshme, e për rrjedhojë edhe vendimet e marra gjatë saj. Por, edhe sikur këto të ishin të rregullta, natyra e këtyre vendimeve e bën të detyrueshëm konsultimin publik me bashkësinë për shkak të efekteve që ka ky vendim dhe shtresave të qytetarëve që prek. Le t’i trajtojmë me rradhë disa prej argumenteve kryesore ligjore pse vendimet e këshillit jo vetëm janë të pavlefshme, por edhe në shkelje të hapur të ligjit.

1. Pavlefshmëria e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili për hir të rëndësisë së tij kërkon një shumicë prej 3/5 të deputetëve, në nenin 53 pika 7 përcakton se “Mbledhja e këshillit bashkiak quhet e vlefshme kur në të merr pjesë shumica e të gjithë anëtarëve të këshillit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet një shumicë tjetër për marrjen e vendimeve, sipas përcaktimeve në nenin 55 të këtij ligji”. Dhe po ashtu rregullorja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, e cila për shkak të hierarkisë së normave duhet të jetë konform ligjit, përcakton në nenin 13 pika 7 përcakton se “Mbledhja e Këshillit quhet e vlefshme, kur në të merr pjesa shumica e të gjithë anëtarëve të këshillit…”. Duke pasur parasysh se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka 61 këshilltarë, që mbledhja të jetë e vlefshme duhet të marrin pjesë minimalisht 31 anëtarë.

Nëse e shohim nga jashtë mbledhja e ditës së mërkurë, ajo duket në rregull, por nëse vërejmë se kush janë këta këshilltarë ka disa probleme. Në zgjedhjet e 25 Qershorit, tre këshilltarë të PS-së: Elona Gjebrea, Elisa Spiropali, Klotilda Bushka (Ferhati), e po ashtu tre nga rradhët e LSI-së: Endrit Braimllari, Floida Kërpaçi, Shezai Rrokaj, u zgjodhën deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga momenti i shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve këta persona nuk mund të ushtrojnë më asnjë lloj funksioni shtetëror përpos atij të anëtarit të Këshillit të Ministrave sepse mandati i tyre i deputetit tashmë ka filluar. Për këtë, Kushtetuta ka parashikuar qartë në dy nenet e saj, përkatësisht neni 71 pika 1 përcakton “Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve” dhe neni 70 pika 2 përcakton se “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Krahas dispozitave të Kushtetutës ka edhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, nr. 44/2011 dhe nr. 32/2016 që e kanë qartësuar edhe më tej momentin e fillimit të mandatit të deputetit. E thënë me fjalë të thjeshta mandati i këtyre këshilltarëve ka përfunduar dhe vendet e tyre kanë mbetur vakante. Mbarimin e mandatit të këtyre personave si këshilltarë në momentin e fillimit të mandatit si deputetë, e përforcon akoma dhe më tej neni 47 pika 1/ç i ligjit të sipërmendur 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” që përcakton se “Funksioni i këshilltarit është i papajtueshëm me funksionin e deputetit”, ndërsa pika 49 pika c e po këtij ligji përcakton “mandati i këshilltarit mbaron përpara afatit kur krijohen kushte të papajtueshmërisë të përcaktuara në nenin 47 të këtij ligji”.

Kusht i papajtueshmërisë është zgjedhja deputet. Prandaj, me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve të 25 Qershorit, në Këshillin Bashkiak të Tiranës mbeten gjashtë vende vakante. Sigurisht që ligji ka parashikuar këtë situatë dhe zëvëndësimin e tyre, por edhe kjo kërkon respektimin e një procedurë të mirëpërcaktuar ligjërisht. Kodi Zgjedhor në nenin 164 pika 2 ka parashikuar se “Mandati i ndërprerë i deputetit ose anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti polike në zonën zgjedhore përkatëse”.

Pra vendet e vakante në Këshillin Bashkiak të Tiranës iu kalojnë kandidatëve pasues që nuk arritën të zgjedhen në zgjedhjet e 21 Qershorit 2015. Për kalimin e mandatit sërisht ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” është shprehur qartë në nenin 49 ku përcakton “1. Mandati i jepet këshilltarit me vendim të këshillit bashkiak. 2. Dhënia dhe heqja e mandatit bëhen me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit. 3. Këshilltari nuk voton për mandatin e tij.” Njëjtë parashikon edhe rregullorja e Këshillit Bashkiak të Tiranës në nenin 8 pika 3 dhe 4. Zëvëndësimi pra i këshilltarëve, të cilëve ju ka mbaruar mandati kërkon respektimin e një procedurë të caktuar përndryshe është një veprim i pavlefshëm.

Tani vijmë të situata konkrete. Në mbledhje votuan të 25 këshilltarët e PS, tre të PDIU, 2 të LSI dhe një nga FRD. Problemi lind se ndër këshilltarët e PS së paku tre kanë qenë ose me mandat të mbaruar sepse janë zgjedhur deputetë, e nëse kanë qenë zëvëndësuesit e tyre nuk kanë pasur fare mandat sepse Këshilli nuk ka pasur kuorumin për t’ju dhënë atyre mandatin siç parashikon ligji. Jo vetëm kjo, por problem përbën edhe këshilltarja e LSI-së e cila edhe ajo ishte zëvëndësuese sërisht pa mandat.

Prandaj, ndër 31 persona që kanë qenë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës vetëm 28 prej tyre kanë qenë këshilltarë të mandatuar të këtij këshilli. Bazuar në nenet e sipërcituara (neni 53 pika të ligjit 139/2015 dhe rregullores së Këshillit neni 13 pika 7), mbledhja ka qenë e pavlefshme. Mjafton ky argument për ta mbyllur këtë temë sepse logjika e thjeshtë të çon në përfundimin se nëse mbledhja ka qenë e pavlefshme, të tilla janë edhe vendimet e marra në të. Por, le të merremi pak edhe me vendimet e kësaj mbledhje të pavlefshme.

2. Pavlefshmëria e vendimeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 55 përcakton se “Vendimet e këshillit merren me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të këshillit”, çka do të thotë se për marrjen e një vendimi në Këshillin Bashkiak duhen të jenë të pranishëm 31 këshilltarë dhe më shumë se gjysma e tyre të votojnë pro vendimit. Siç e shpjeguam më lart gjërësisht në mbledhje ishin vetëm 28 këshilltarë, ndaj edhe vendimet e marra prej tyre janë të pavlefshme. Të njëjtën gjë parashikon edhe Rregullorja e Këshillit në nenin 40 pika 4. Ndërsa pika 3 e nenit 55 të ligjit 139/2015 sjell diçka edhe më të rëndësishme për rastin tonë sepse parashikon “Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të këshillit për rastet e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “d”, “dh”, “f”, “g”, “gj” dhe “j” të nenit 54, të këtij ligji.” Ndër rastet është pika f e nenit 54 që parashikon “vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi”.

Rritja e çmimit të ujit bën pjesë te kjo pikë, ndaj vendimet në lidhje me të duhet detyrimisht të merren me shumicë absolute pra 31 këshilltarë. Për ta mbyllur këtë pjesë, bazuar te dispozitat ligjore arrijmë në konkluzionin se vendimet e këshillit janë thjesht nul dhe nuk prodhojnë asnjë efekt.

Tani le të bëjmë edhe një analizë të shkurtër të mënyrës si u procedua për mbajtjen e kësaj mbledhje dhe marrjen e këtyre vendimeve, megjithëse të pavlefshme:

Mungesa e transparencës e Këshillit Bashkiak të Tiranës Transparenca me qytetarët është një ndër standartet themelore dhe shumë të rëndësishme për demokracinë e një vendi. Është padyshim pengesa kryesore e korrupsionit dhe mungesa e këtij standarti krijon hapësira të shumta për abuzime. Akoma më e domosdoshme bëhet ky standart në qeverisjen vendore ku kontakti i qeveritarëve me qytetarin është edhe më i afërt dhe i mundshëm.

Legjislacioni shqiptar duke pasur parasysh këtë filozofi që e kanë aplikuar më sukses të gjitha demokracitë perëndimore ka parashikuar në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 15 pika 1 se “Njësitë e vetëqeverisjes vendore garantojnë për publikun transparencën e veprimtarisë së tyre”. Dhe këtë e ka shoqëruar me disa dispozita të tjera për ta bërë më konkrete dhe të realizueshme, duke parashikuar në nenin 16 pika 1 edhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. Jo vetëm kaq, por nenin 18 pika 1 ka përcaktuar disa raste që Këshilli bashkiak e ka detyrim këshillimin me bashkësinë përpara shqyrtimit dhe miratimin të akteve.

Ndër këto raste bëjnë pjesë edhe taksat e tarifat vendore (neni 54 pika f), pjesë e të cilave sigurisht është edhe vendimi për rritjen e çmimit të ujit. Kjo do të thotë hiç më pak se Këshilli Bashkiak i Tiranës duke shqyrtuar dhe miratuar një vendim për rritjen e çmimit të ujit ka shkelur ligjin. Si përfundim mund të arrijmë në konkluzionin se bazuar në dispozitat e Kushtetutës e Shqipërisë, Kodit Zgjedhor, ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe Rregullores së Këshillit, mënyra e procedimit deri te mbledhja, kjo e fundit dhe vendimet janë të pavlefshme dhe në shkelje të hapur të ligjit. Kjo s’ka të bëjë as më të majtën e as me të djathtën, me socialistët apo demokratët, por vetëm me ligjin dhe shtetin e së drejtës që kërkojmë të ndërtojmë. Kushdo që përpiqet ta nxjerrë nga hullia e ligjit dhe ta fusë në amullinë e politikës, e bënë veçse për ta hequr vëmendjen nga ajo që është thelbi i diskutimit.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz