Borxhi real publik është 77%—Ministria e Financave ka gënjyer me shifrat

Borxhi real publik është 77%—Ministria e Financave ka gënjyer me shifrat

Ministria e Financave, në raportin e gjashtë mujorit të parë të 2017-ës, thekson se borxhi publik është ulur në 66,82 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 70,96 për qind që ishte në fund të vitit 2016.

Por Revista Monitor shkruan se, bazuar në burimet e saj në Minsitrinë e Financave, shifra zyrtare e borxhit nuk është e vërtetë pasi në të nuk është llogaritur borxhi i jashtëm i cili është nënshkruar, por nuk është lëvruar ende.

Sipas Monitor, me lëvrimin e të gjithë borxhit për të cilin janë nënshkruar marrëveshjet e huamarrjes mes qeverisë së Shqipërisë dhe institucioneve ndërkombëtare niveli i borxhit publik do të jetë 77 për qind të PBB-së. Ky niveli është më i larti që Shqipëria ka pasur ndonjëherë.

Monitor shpjegon rastin e kredive të Bankës Botërore për të ilustruar faktin se jo të gjitha paratë e marra borxh janë lëvruar në llogaritë e qeverisë, e për rrjedhojë nuk janë llogaritur si pjesë e borxhit, pavarësisht se faktikisht ato janë borxh i marrë.

Kështu, nga kredia 150 milionë dollarëshe për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë, Banka Botërore i ka kaluar qeverisë vetëm 13,7 milionë dollarë. Megjithëse kredia është bërë efektive që në vitin 2015, paratë ende nuk janë lëvruar të tëra, dhe qeveria nuk i ka llogaritur ato akoma si pjesë e borxhit publik.

Pra ajo çfarë paraqitet si ulje e borxhit publik nga Ministria e Financave është me shumë gjasa një truk në letër për të fshehur shifrën e vërtetë të borxhit.

Burimi: Ministria e Financave

Po t’i hedhim një vështrim ecurisë së borxhit publik në vitet e fundit, bie në sy se ulja prej 4,14 pikë përqindje nga dhjetori 2016 në qershor 2017 nuk përkon me ritmin e mëparshëm të ulje-ngritjeve të borxhit. Kështu, në fund të vitit 2014, borxhi publik ishte 70,07 për qind e PBB-së, në fund të vitit 2015 u rrit në 72,65 për qind, pra një rritje prej 2,58 pikë përqindje. Ndërsa në fund të vitit 2016 borxhi publik u ul me 1,69 pikë për qindje duke arritur nivelin e 70,96 për qind të PBB-së.

Ulja e borxhit publik është një ndër kërkesat dhe rekomandimet kryesore të Komisionit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përveç ndërhyrjeve me paketat fiskale, këto institucione theksojnë se  ulja e borxhit publik kërkon përpjekje dhe reforma më serioze dhe ambicioze nga qeveria.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz