Hyn në fuqi ligji i “spiunëve” në kompanitë private

Hyn në fuqi ligji i “spiunëve” në kompanitë private

Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i miratuar në qershor të vitit 2016, hyri në fuqi këtë muaj. Ky ligj ka për qëllim parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në sektorin publik e privat, me anë të të punësuarve brenda këtyre strukurave të cilët do të raportojnë në rast shkeljesh.

Ligji parashikon që në çdo “organizatë” publike, e papërcaktuar qartë në ligj, por me më shumë se 80 nëpunës, dhe në çdo kompani private me më shumë se 100 punonjës, të vendoset një zyrë e quajtur “njësia përgjegjëse”, e ngarkuar për të vëzhguar e më pas raportuar shkeljet nga ana e stafit dhe drejtuesve.

Me hyrjen në fuqi të ligji, ILDKPKI, institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të ligjit dërgoi pranë çdo biznesi që plotëson kushtet, një shkresë për dorëzimin e strukturës së njësisë përgjegjëse dhe të dhënat e sinjalizuesve të kompanisë.

Në vitin 2016, qeveria e prezantoi këtë nismë si gjetjen e fundit botërore për luftën ndaj korrupsionit. Sipas relacionit bashkangjitur, projektligji u përgatit në bashkëpunim me të ashtuquajturët “ekspertë ndërkombëtarë”, eksperienca e të cilëve ka qenë një “vlerë e shtuar gjatë përgatitjes”.

Por duket se e vetmja gjë që mund të bëjë ky ligj është krijimi i një klime shantazhi kundrejt sipërmarrësve.

Qëllimi i këtyre “njësive përgjegjëse” do të jetë mbledhja dhe hetimi i çdo sinjalizimi apo dyshimi nga ana e të punësuarve për “çdo veprim ose mosveprim të kundërligjshëm, sipas legjislacionit penal në fuqi në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv e pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave apo marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave, mitdhënies/mitmarrjes si dhe çdo akt tjetër i ngjashëm me sa më sipër.”

Kjo zyrë do të administrohet nga një ose më shumë punonjës të kompanisë, të përgatitur dhe të përzgjedhur nga shteti—Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave—të cilët do të edukohen në mënyrë specifike për mbrojtjen e “sinjalizuesve”.

Punonjësi do të paguhet nga kompania dhe do të ketë detyrën të hetojë, të marri prova dhe dokumente, duke ruajtur burimin e informacionit dhe duke respektuar sekretin shtetëror(!) deri në kalimin e denoncimit në prokurori, madje duke ruajtur burimin e informacionit nga çdo hakmarrje e mundëshme e kolegëve dhe nga punëdhënësi.

Kjo duket se është hileja e vërtetë e ligjit, mbrojtja e “hafijes” që është dhe vetë titulli i ligjit.

Dhe në këtë pikë, ekspertët kanë bërë më të mirën e tyre: ligji parashikon anullimin e çdo akti hakmarrjeje të kompanisë kundër “hafijes”—kundër tij nuk mund të merret masë disiplinore, nuk mund të pushohet nga puna, lëvizet nga pozicioni dhe as nuk mund t’i ulet paga ose privilegjet.

Dhe ligji, nesë mund ta quajmë të tillë, garanton mirëbesimin e sinjalizuesit për aq kohë sa nuk është provuar e kundërta. Sipas ligjit, ai mund të raportojë edhe vetëm dyshime, dhe pastaj i takon të akuzuarit të vertetojë që nuk e ka kryer aktin për të cilën ka dyshuar sinjalizuesi.

Ky është një modifikim tërësor i kodit penal, nëpërmjet një ligji të zakonshëm. Është një kryevepër e vërtetë e teknikës legjislative ballkanase që e kalon barrën e provës nga akuzuesi tek i akuzuari.

Marrim një shembull praktik dhe të thjeshtë, sa për të kuptuar efektet e ligjit: një nënpunës i një rrobaqepësie, i cili ka frikë se do të pushohet nga puna për shkak të rendimentit të ulët në punë, kontakton “njesinë përgjegjëse”. Ai deklaron se dyshon që pronari i rrobaqepësisë i ka dhënë rryshfet menaxherit të kompanisë porositëse për të mos pasur kundërshtime mbi cilësinë e prodhimit. Dhe faktikisht, kohët e fundit nuk ka pasur reklamim nga klienti. Për Kodin Penal shqiptar—neni 164 pika a “korrupsioni aktiv në sektorin privat” dënohet me gjobë ose burgim nga tre muaj deri në dy vjet. Kështu, kolegu i “njësisë përgjegjëse” duhet të hetojë punëdhënësin, i cili duhet të provojë që nuk e ka korruptuar klientin.

Vërtetimi i mos kryerjes së aktit është qartësisht i pamundur—si mund të provohet që nuk ke bërë diçka e cila nuk dihet nëse ka ndodhur?

Në një rast si ilustrimi i mësipërm, loja përfundon 3–0 për punonjësin sinjalizues; ndoshta pronari arrin të korruptojë prokurorin, por me gjasa ai do të humbi kontratën e prodhimit për shkak të pakënaqësisë së blerësit që nuk do probleme ligjore. Si rezultat ai do të ulë numrin e punonjësve. Por, i detyruar nga ligji, ai nuk mund të pushojë atë që e shkaktoi këtë dramë, denoncuesin. Sepse, ai nuk mund të pushohet nga puna dhe mund të qëndrojë në kompani duke mos bërë asgjë për të gjithë jetën e tij.

Gjë që nuk është e sigurtë për kolegun e tij të “njesisë përgjegjëse”, i cili nuk ka të njëjtën mbrojtje. Përkundrazi, në përgjegjësi të punonjësit të njesisë janë parashikuar gjoba në rast të mos fillimit të hetimeve ose pushimit të pajustifikuar të hetimeve nga ana e tij, gjithmonë në bazë të dyshimeve në mirëbesim të denoncuesit.

Ngarkimi i barrës së provës të akuzuarit është një gabim juridik, i cili e largon Shqipërinë nga Europa me të paktën dyqind vjet. Dhe qeveria duhet të dijë se për të gjetur raste të shpërdorimit të detyrës nuk duhen kaq shumë ngatërresa—mjafton një vështrim rrotull, ose një lexim i gazetës.

Por problemi nuk është nëse ky gjysëm ligj i shkruar keq do të funksionojë apo jo, kjo është absolutisht e sigurtë: ligji nuk do të prodhojë asgjë më shumë se dëmtime, sherre, shkatërrime sociale dhe ekonomike, shpenzime të shtuara për kompanitë, terror, frikë, ankth dhe ndjenjë persekutimi.

Dhe ndoshta është pikërisht ky qëllimi i vërtetë: terrori, por jo për të gjithë.

Sepse në fakt, Agjencia e Prokurimit Publik, duke qenë se ka vetëm 22 punonjës, nuk do të ketë “njësi përgjegjëse” ose “komisar politik”, siç quheshin në një kohë tjetër.



Lini një koment

4 Komente për "Hyn në fuqi ligji i “spiunëve” në kompanitë private"

avatar
hafija
Guest

Nje veshtrim shume i ceket. Pa asnje lloj argumenti, por vetem epitete. Turp!

rl
Admin

Ka jo vetem argumente, por edhe shembuj per te ilustruar argumentet.

hafija
Guest

I vetmi shembull hipotetik nuke eshte argument, sidomos kur eshte i njeanshem. Ta Kane shpjeguar me poshte miopine ne lidhje me kete perspective. Ceshtje dashakeqesie ndaj personave qe denoncojne korrupsionin galopant ne sektorin private, Jo mungese inteligjence.

Jon Vrushi
Guest
Na e keni shpifur me keto tituj propagandistik. Nese keni probleme konkrete, sic eshte per shembull barra e proves, shume mire beni qe i evidentoni. Por qe ta quani kete legjislacion shume te nevojshem “ligji i spiuneve” dekurajon vete ata sinjalizues (te cilet gjithashtu i percmoni si hafije). Gjithe bota po mundohet te permiresoje imazhin e sinjalizuesve (whistleblowers) ne menyre te tille qe mos te kene stigmen e “spiunit” ndersa ju beni te kunderten. Agjenda eshte e qarte: shaj cdo gje qe buron nga qeveria apo PS, edhe kur ato qe shkruani mund te jene ne dem te se mires… Read more »
wpDiscuz