Zona Ekonomike e Ballkanit – Shqipëria përballë fqinjëve

Zona Ekonomike e Ballkanit – Shqipëria përballë fqinjëve
Liderët e Ballkanit gjatë Samitit të Triestes

Krijimi i një zone  të përbashkët ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte tema kryesore e trajtuar në Samitin e Triestes. Ky propozim, mbështetur nga BE, u mbrojt fort dhe nga Kryeministri Edi Rama.

Por, “ndonëse drejtuesit shqiptare po tentojnë të marrin rolin e liderit, madhësia ekonomike e Shqipërisë dhe renditja e saj pothuajse gjithnjë në fund për pjesën më të madhe të treguesve, vështirë se i japin vendin tonë avantazhin real që shumëkush do të donte”, shkruan revista Monitor.

Për të mbështetur këtë qëndrim, Monitor ka marrë në shqyrtim disa nga treguesit ekonomikë më të rëndësishëm dhe renditjen e Shqipërisë në disa prej indekseve ekonomike të rëndësishme:

Prodhimi i brendshëm bruto (nominal) i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 89 miliardë dollarë, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2017. Kjo shumë është më pak se 1% e totalit të prodhimit të Europës Perëndimore.

Brenda Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e treta (me 14%), pas Serbisë, që kryeson  me gati 42% të ekonomisë së këtij rajoni, dhe Bosnjës, me 19%.

Raporti i pak kohëve më parë i Komisionit Europian lidhur me të ardhurat për frymë dhe procesin e konvergjencës (rritja me ritme më të shpejta se mesatarja e Europës në mënyrë që të arrihet standardet europiane) na dha lajmin e keq se Shqipëria jo vetëm është larg, por ka performuar më keq se kolegët e tjerë të Ballkanit. Të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, duke e lënë shumë pas vendin tonë.

 

Në vlerë absolute, Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin 2016 ishin rreth 4200 dollarë për frymë, sipas statistikave të fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Me këtë nivel, Shqipëria renditet e 106-a në botë, nga 190 shtete, për të cilat raportohen të dhënat e prodhimit të brendshëm nominal (të parregulluar me inflacionin) për frymë.

Më mirë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, paraqitet Mali i Zi rreth 6,600 dollarë (84), Serbia rreth 5,400 USD (vendi 92), Maqedonia rreth 5,700 USD (93) dhe Bosnjë dhe Hercegovina me 4,300 USD. Shqipëria vjen menjëherë pas Bosnjës (të dhënat për Kosovën mungojnë).

Në treguesin e fundit “Të bësh biznes”, të Bankës Botërore,  ndonëse Shqipëria shënoi përmirësim të ndjeshëm, duke u ngjitur me me 32 pozicione për t’u ngjitur në vendin e 58, ajo ka renditjen më të përkeqësuar në raport me vendet e tjera të rajonit, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.

Për eksportet, në raport me madhësinë e ekonomisë (Prodhimin e Brendshëm Bruto, PBB), Shqipëria ka performancën më negative. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri është rreth 27% e PBB-së, në Maqedoni është rreth 50% e PBB-së, në Serbi po rreth 50% e PBB-së, në Mal të Zi rreth 42% e PBB-së dhe në Bosnjë 35.1%.

Shqipëria vijon të ketë avantazh kryesor shitjen e burimeve natyrore dhe kostos së lirë të fuqisë punëtore, duke e bërë vendin më pak konkurrues në produktet teknologjike, çka do e bënte atë më të brishtë në një bashkëpunim (konkurrencë) rajonale.

Jo më kot vendi ka treguesin më të përkeqësuar në Europë në Indeksin e Inovacionit Global për vitin 2017. Shqipëria ndodhet në vendin e 93, nga 127 shtete në renditje. Në këtë pozicion, Shqipëria është e fundit në gjithë Europën, duke treguar një nivel të ulët të zhvillimit të inovacionit në sektorin prodhues dhe teknologjisë së informacionit.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz