Lista e zezë e Ramës

Lista e zezë e Ramës

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama publikoi një listë me emrat e zyrtarëve të akuzuar më shpesh nga ndjekësit e tij në Facebook për shpërdorim detyre, shkelje të ligjit apo thjeshtë sjellje negative ndaj qytetarëve.

Publikimi i emrave të rreth 100 zyrtarëve të tillë, të “denoncuar” në Facebook ka ngjallur reagime të shumta.

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e krahasoi listë e Ramës me fletërrufetë e komunizmit:

“Nuk ka më qesharake se të lexosh cfarë kryeministri shkruan pas mesnate, duke u munduar të justifikojë publikimin e një “liste të zezë”, të ngjashme me fletërrufetë e komunizmit.”

Zonja Kryemadhi theksoi formimin e një opozitë të fortë për t’i treguar “ këtij kryeministri në delir se pushteti i pakufizuar dhe arroganca janë te papranueshme në demokraci”.

Për listën reagoi dhe kreu i PD Lulzim Basha, duke e krahasuar “drejtësinë” që po mundohet të bëjë Rama me atë të ish-diktatorit Enver Hoxha:

“Lista e turpshme e publikuar nga Edi Rama dëshmon atë që Partia Demokratike dhe unë kemi thënë katër vjet rrjesht: për Edi Ramën drejtësia është ai vetë, shteti është ai vetë. Për të nuk ka ligj, nuk ka të drejta njerëzore, nuk ka llogaridhënie. Ai vendos se kush është fajtor e kush jo, kush duhet dënuar e kush jo. Ai nuk e ka problem të përlyejë, akuzojë dhe turpërojë publikisht si në kohën e Enver Hoxhës.”

Sipas zotit Basha, në listën e zezë të Ramës mungojnë “hajdutët dhe kriminelët e vërtetë shtetërorë: mungon ai vetë, mungojnë Ilir Beqaj, Sajmir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe gjithë ministrat dhe drejtuesit kryesorë shtetërorë që kanë privatizuar qeverinë për vete, për kriminelët dhe për klientët e tyre.”

Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, pa asnjë reagim publik, shkarkoi menjëherë dy drejtues prokurorish që bënin pjesë në listë.

Një reagim tjetër ka ardhur nga një prej zyrtareve të përmendura në listë, Zonjës Lindita Tako, që ishte dhe kandidate e Partisë Socialiste në Dibër, e renditur e gjashta.

Zonja Tako, zyrtarja e lartë e Drejtorisë së Verifikimit të Titujve të Pronësisë në Tiranë, shprehet se përbaltja personale pa u kryer asnjë hetim apo verifikim nuk është e drejtë.

Zonja Tako shpjegon:

“Kur marrja e vendimeve tona ka qenë e gjitha në favor të shtetit dhe jo të individit, e favorizon ankesën dhe e bën mjaft të lehtë përbaltjen time personale dhe të stafit që unë kam drejtuar.”

Të gjithë reagimeve, Kryeministri Rama i është përgjigjur mëngjesin e sotëm me të njejtën retorikë që përdori gjatë fushatës elektorale:

“Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm PER SHQIPERINE QE DUAM, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta.”



Lini një koment

4 Komente për "Lista e zezë e Ramës"

avatar
trackback

[…] parë, vetë Kryeministri, me një veprim që i ngjan shumë atyre të presidentit turk Erdogan, publikoi një listë me emrat e nëpunësve “të këqij” publikë. Zoti Rama, në thelb, anashkaloi çdo […]

trackback

[…] 12 korrik, kryeministri Edi Rama publikoi ​​në Facebook një listë prej 100 emrash të zyrtarëve publikë, të cilët sipas tij ishin […]

trackback

[…] në korrik të vitit 2017. Kryeministri Rama publikoi në Facebookun e tij një listë të zezë, duke “turpëruar publikisht” 100 zyrtarë të administratës publike, që nuk “ishin […]

trackback

[…] e cila “abuzon në mënyrë sistematike me qytetarët e thjeshtë”. Kjo u shoqërua me turpërimin publik të disa prej funksionarëve të shtetit duke botuar lista të tyre në faqen e tij në […]

wpDiscuz