Perëndimi mbështet autokratët e Ballkanit për të ruajtur stabilitetin

Disa e quajnë "stabilitokraci", të tjerë e quajnë thjeshtë mënyrën se si gjërat gjithmonë kanë qenë

Perëndimi mbështet autokratët e Ballkanit për të ruajtur stabilitetin

Më 23 qershor Aleksandar Vuçiç e pagëzoi veten president të Serbisë. Ish kryeministri, i zgjedhur më 2 prill, u betua si president në maj dhe vendosi të organizojë një ceremoni të madhe inaugurimi për të treguar staturën e tij. Si personin pasardhës të tij në postin e kryeminsitrit ,Vuçiç emëroi Anna Brnabiç, një grua homoseksuale, duke fituar kështu duartrokitjen nga liberalët e huaj.

Në fakt Zoti Vuçiç do të drejtojë vendin, dhe ai nuk është liberal. Por udhëheqësit perëndimor janë të lehtësuar. Serbia është vendi më i fuqishëm në Ballkanin Perëndimor, dhe Zoti Vuçiç, pavarësisht të metave të tij, mund të ruajë qetësinë dhe qendrueshmërinë në rajon.

Variacione të kësaj marrëveshje mund të shihen kudo nëpër rajon. Disa prej tyre  kanë filluar t’i quajnë qeveri “stabilitokrate”.

Konkurrenti kryesor i Vuçiç gjatë garës presidentciale ishte Vuk Jeremiç, një ish ministër i jashtëm. Fushata ishte e pisët. Mediat përkrahëse të Vuçiç shkruan artikuj të çuditshëm si: Zoti Jeremiç është një mysliman i fshehur i mbështetur nga shtetit Islamik; ka qënë bashkëpunëtor në një vrasje të nivelit të lartë; gruaja e tij drejton një kartel droge. Policia e pyeti ish-ministrin Jeremiç për të gjitha dyshimet lidhur me situatën e tij financiare. Asnjë padi nuk u regjistrua kundër tij, dhe zoti Jeremiç tha se këto histori ishin të gjitha të rreme.

Ajo çfarë i ndodhi Zotit Jeremiç nuk tronditi asnjë. Sipas Srdja Pavloviç, një pedagog nga Malit të Zi, i cili shpiku termin “stabilitokraci”, vendet perëndimore po i injorojnë autokratët e Ballkanit, praktikat antidemokratike, për aq kohë sa në rajon të ruhet qendrueshmëria.

Bosnja për shembull, ka më shumë se dy dekada pas mbarimit të luftës që vazhdon të jetë një vend jofunksional. Amerika dhe Evropa e lejojnë këtë, me kusht që udhëheqësit e vendit të sigurojnë që krizat e tyre nuk do të jenë kurrë të dhunshme.

Stabilitokracia funksionon ndryshe në varësi të vendit. Në Malin e Zi, është e qartë se kush e drejton shfaqjen: që prej vitit 1989 Milo Djukanoviç, i cili herë pas herë merr pushim nga posti i presidenti ose i kryeministrit vetëm për t’i drejtuar gjërat nga mbrapa kuintave. Qeveria e Malit të Zi u vlerësua nga perëndimi për futjen e vendit në NATO më 5 qershor 2017. Por pushteti nuk ka ndryshuar asnjëherë  nga kutitë e votimit në Malin e zi. Ashtu sikurse kudo në rajon votat blihen në këmbim të shpërndarjes së posteve në qeveri.

Zakonisht në vendet e Ballkanit, zgjedhjet çojnë në bisedime e negociata për koalicione të cilat përqendrohen në diskutime se si të ndajnë prenë, vendet e punës. (Një proces zgjedhor si ai në Shqipëri më 25 qershor, në të cilin Partia Socialiste fitoi shumicën, është shumë i rrallë). Ndarja e ministrive është diçka e lehtë. Pyetja më e rëndësishme është se kush merr cilën kompani publike, sëbashku me mundësitë e saj për patronazh dhe rryshfete.

Në Maqedoni, partia VMRO-DPMNE, pasi qeverisi vendin për më shumë se një dekadë, më në fund ra pre e disa përgjimeve të cilat nxorrën në pah korrupsionin dhe ndërhyrjen në sistemin gjyqësor. Më 31 maj, Social Demokratët, sëbashku me partitë kombëtare shqiptare arritën të formojnë qeverinë e re. Por qeveria e re do të prodhojë me shumë mundësi të njëjtin nepotizëm, nëse nuk “thyhet modeli i partisë shtet” u shpreh Florian Bieber, një analist politik i universitetit të Grazit. Ky është një rend i vazhdueshëm në rajon ku shtetet, gjatë sistemit komunist ose jo, nuk kanë qënë asnjëherë të pavarura nga partitë politike.

“Qytetarët janë distancuar nga politika dhe votojnë për përfitime personale, të prekshme ose sepse kërcënohen, “ shkruhet në një raport mbi stabilitokracinë, i hartuar nga Grupi Këshillimor për Politika “Ballkani në Evropë”.

Zoti Pavloviç argumenton se duke legjitimuar situatën, perëndimi po krijon armiqësi kundër  vetes.

Në Kosovë, partia e cila doli më mirë në zgjedhjet e 11 qershorit ishte ajo që bëri fushatë duke denoncuar mbështetjen e Perëndimit për qeverinë e korruptuar. Partia gjithashtu mbështeti krijimin e një Shqipërie të madhe. Nëse ndokush përpiqet të ndjekë këtë projekt, rajoni do të shkojë sërish në luftë me të njëjtën shpejtësi që do t’i duhet dikujt të gërmojë armët e fshehura në oborrin e tij. Në afatgjatë, stabilitokracia mund të jetë një recetë për paqendrueshmëri.


Ky artikull u botua në The Economist dhe u përkthye nga Exit.al



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz