Kosovë, rikthehet për gjykim çështja e trafikimit të organeve

Kosovë, rikthehet për gjykim çështja e trafikimit të organeve

Gjykata e Prishtinës ka filluar sërish gjykimin e tre personave të akuzuar për përfshirje në trafikimin e qenieve njerëzore.

Tre personat në gjykim, pronari i klinikës “Medicus” Lutfi Dervishi, djali i tij Arban Dervishi dhe anestezisti kryesor Sokol Hajdini, akuzohen se gjatë vitit 2008, kanë zhvilluar transplante të paligjshme veshkash.

Më përpara, gjykata ka vendosur dënimin e Lutfi dhe Arban Dervishit me 8 vjet burg për secilin, dhe dënimin me 5 vjet burg për Sokol Hajdinin. Por Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin origjinal dhe e riktheu çështjen sërish për gjykim.

Në seancën e zhvilluar në gjykatën e Prishtinës ishin të pranishëm vetëm Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini; i akuzuari tjetër Arban Dervishi është arratisur. Avokati i tij ka thënë se Arban Dervishi pranon të paraqitet në gjykatë vetëm nëse gjykata e lë atë në arrest shtëpie. Gjykata e refuzoi këtë kërkesë dhe vendosi ta shqyrtonte veçantë çështjen e Arban Dervishit nga të tjerët. Çështja do të vazhdojë vetëm me babanë e tij Lutfi Dervishin dhe Sokol Hajdinin në bankën e të akuzuarve.

“Është e rëndësishme që asnjë individ i paditur të mos mund të negociojë me gjykatën për kërkesa të tilla,” tha kryetarja e trupit gjykues Francesca Fischer.

Klinika “Medicus” është përmendur gjithashtu në një raport të Këshillit të Evropës, i cili pretendoi se pjesetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë shitur organet e të burgosurve gjatë luftës të vitit 1999.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz