Ndërtimi tek Parku i Autobuzëve, banorët sërish protestë më 5 korrik

Ndërtimi tek Parku i Autobuzëve, banorët sërish protestë më 5 korrik

Ditën e mërkurë, më 5 korrik, banorë të zonës së Parkut të Autobuzëve do të protestojnë sërish kundër vendimit të Kryebashkiakut Veliaj për të betonizuar të vetmen lulishte në atë zonë.

Qytetarët, të cilët dje protestuan për të tretën ditë radhazi deri në orët e vona të mbrëmjes, i kërkojnë bashkisë Tiranë të anulojë lejen për ndërtimin e një kompleksi pallatesh tek lulishtja, e cila prej vitesh ishte i vetmi ambient argëtimi e pushimi për fëmijet dhe banorët e kësaj zone.

Gjatë këtyre tre ditë protestash janë arrestuar 5 aktivistë dhe qytetarë e janë dhunuar nga policia disa të tjerë.

Bashkia Tiranë që nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me këtë protestë.

Lajmi për dhënien e lejes së ndërtimit të një kompleksi pallatesh për një prej  njerëzve më të afërt të Kryeministrit Rama dhe Kryebashkiakut Veliaj u bë publik më 30 qershor, vetëm pesë ditë pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Sipas Qytetarëve për Parkun, “kompania e ndërtimit ‘Arlis Ndërtim’ me shumë mundësi ka falsifikuar dokumentet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, duke e spostuar njollën e studimit në një zonë përtej parkut”. Nëse këto fakte janë të vërteta, bashkia Tiranë ka dhënë leje ndërtimi bazuar në dokumente false.

Një muaj më parë, në zonën që sot është rrethuar dhe është bërë gati për fillimin e punimeve,  punonjësit e Bashkisë Tiranë shkulën pemët dhe nisën degradimin e parkut. Ky park u inaugurua në prill të vitit 2015 nga ish-Kryebashkiaku Basha.

Punonjësit e Bashkisë Tiranë teksa shkulin pemët – Foto: Facebook


Lini një koment

1 Koment për "Ndërtimi tek Parku i Autobuzëve, banorët sërish protestë më 5 korrik"

avatar
feridi
Guest

O jarebi, ky link qytetaret per parkun nuk ju bo mo se e kane heq ato, se ja kishin fut kot. Te tjerat jeni mbrregull

wpDiscuz