Premtimet elektorale nuk ngjallin shpresë në Elbasan

Nga Besar Likmeta,
Premtimet elektorale nuk ngjallin shpresë në Elbasan
Qendra e qytetit të Elbasanit dukej e qetë të enjten 15 Qershor, edhe pse fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare po arrin kulmin | Foto nga : Besar Likmeta

Gazetari Besar Likmeta në artikullin e tij të botuar në median Reporter.al shkruan se:

“Edhe pse partitë politike janë munduar ta zgjerojnë bazën e votuesve në një fushatë elektorale me tone të ulëta dhe pak angazhime konkrete, disa nga votuesit më vulnerabël të këtij qarku me probleme të mëdha sociale ndjehen të papërfaqësuar”.

Në artikull paraqiten dëshmi të qytetarëve të Elbasanit mbi mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe premtimeve të partive politike. Më poshtë ju sjellim pikat kryesore të artikullit:

Zona e Elbasanit përfshin 7 njësi vendore, ku përfshihen Peqini, Belshi, Cërriku, Elbasani, Gramshi, Librazhdi dhe Përrenjasi  dhe numërohen 321,138 votues të regjistruar në listat e zgjedhësve. Në vitin 2013 pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ishte 55%.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013-të, Partia Socialiste mori 5 deputetë në këtë zonë, Lëvizja Socialiste për Integrim 2, Partia Demokratike 4, PDIU 1 dhe Partia Republikane 1.

Fushata për zgjedhjet e 25 qershorit udhëhiqet nga Taulant Balla për Partinë Socialiste, Monika Kryemadhi dhe Edmond Haxhinasto për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Aqif Rakipi për PDIU dhe nënkryetari Edmond Spaho për Partinë Demokratike.

Me gjithë rëndësinë e këtij qarku që zgjedh 14 deputetë në parlament dhe zyrtarët e lartë politikë që udhëheqin betejën elektorale, Elvira Lumi, Profesore e Asociuar në Universitetin Aleksandër Xhuvani, shprehet se si kurrë më parë fushata ka qenë e qetë.

“Në raport me fushatat e tjera, unë krahasoj fushatën e sivjetshme me 4 vjet më parë ose 8 vjet më parë, kjo është fushatë është ekzemplare,” tha Lumi. “Gjuha nuk është më aq agresive siç ka qenë më përpara dhe nuk ka incidente të kundërshtarëve të partive ose të simpatizantëve të njërës palë me palën tjetër,” shpjegoi ajo.

Mungesa e shoqërisë civile në debatin parazgjedhor si ndërmjetëse e shqetësimeve të komunitetit ndjehet dhe në tregun industrial të Elbasanit në lagjen “Rrapishtë,” ku tregtarët e vegjël ankohen për fuqinë e dobët blerëse, çfarë i kanë dënuar shumë prej tyre në kufijtë e skamjes.

Strehimi, papunësia dhe diskriminimi mbeten problemet kryesore me të cilat komuniteti rom dhe egjiptian përballet në qarkun e Elbasanit. Edhe pse këto tema si shpesh herë në të kaluarën janë pjesë e premtimeve elektorale të partive politike në fushatën për zgjedhjet parlamentare.

Të njëjtët vëzhgues vlerësojnë se ndryshe nga betejat e mëparshme elektorale kjo fushatë është më e qetë në sipërfaqe, madje ka dhe një angazhim nga komuniteti mysliman vendor që ka mes kandidatëve dhe përfaqësues të saj besimtarë praktikantë. Por ajo nuk i adreson në mënyrë konkrete sfidat e mëdha me të cilat përballen shtresat më vulnerabël të këtij qarku – të cilat nuk e gjejnë veten te premtimet e partive politike.

Për shkak të zhgënjimit me premtimet e partive politike, aktivistët e Lëvizjes Rinore Egjyptiane dhe Rome shqetësohen se shumë anëtarë të komunitet mund të bien pre e skemave për blerjen e votës në ditën e zgjedhjeve.

Ndryshe nga romët dhe egjiptianët, komuniteti i besimtarëve mysliman ndjehet më i përfaqësuar në zgjedhjet e 25 qershorit, pasi partitë kryesore kanë futur në listat e deputetëve besimtarë praktikantë nga gjiri i tyre, çfarë i ka shtyrë pjesëtarë të tij të aktivizohen në mënyrë aktive në fushatë. Nga komunitetit i besimtarëve mysliman listohen si kandidatë fizioterapisti Florenc Spaho nga Partia Socialiste dhe gazetari Fitim Zekthi nga Partia Demokratike.

Duke iu përgjigjur zërave që e shohin me shqetësim përfshirjen e komunitetit të besimtarëve mysliman në fushatë, kryetari i Qendrës Ndërfetare në Elbasan, Arben Ramkaj, shprehet se përfshirja në politikë është pozitive. Madje Ramkaj pretendon se shmang margjinalizimin dhe ndihmon luftën kundër rrymave ekstremiste.


Artikullin e plotë mund ta lexoni në  Reporter.al.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz