Rishikimi i legjislacionit të planifikimit hapësinor dhe urban në Kosovë

Letër e hapur për Kuvendin dhe Qeverinë e ardhshme të Kosovës

Nga Ark. Ylber Vokshi,
Rishikimi i legjislacionit të planifikimit hapësinor dhe urban në Kosovë
Ylber Vokshi, arkitekt dhe ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës

Populli i ynë thotë  “zgjati këmbët sa e ke jorganin”, kjo thënie më së miri e shpjegon situatën e krijuar në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe urban në Kosovën e pas luftës. Që në fillim, në vitin 2003,u punua një ligji ashtu si nuk duhet, duke e përkthye nga të tjerët, ligjet të cilat nuk iu përshtateshin realitetit tek ne ku situata reale ishte shumë e vështirë me shkatërrimet e  luftës. Ishte bërë kombinimi i dy ligjeve (  Kroat dhe Serb ),që krijonte situata “qesharake“ ku një çështje e njëjtë trajtohej në dy nene. Kjo tregonte se përpiluesit e ligjit as që kishin njohuri elementare për fushën e planifikimit hapësinor. Ndërrimi i emërtimit të dokumenteve hapësinore edhe sot krijon paqartësi të mëdha. Për këto dhe shumë çështje tjera të rëndësishme kam reaguar në  kohën reale por ishte e kotë në atë kohë, pasi askush nuk mendonte të aplikonte ligjet dhe rregulloret e urbanistikës e filluan të ndërtojnë si në ”bashe të babës”.

Vazhduan lojërat e ndyra me amandamentimin, plotësimin dhe ndryshimin tërësisht të ligjeve të fushës së ndërtimit. Kulminacioni arriti atëherë kur ndryshimet e ligjeve të Ndërtimit dhe Planifikimit Hapësinor të bëra në vitin 2012 dhe 2013, kinse në emër të reformave progresive në fushën e ndërtimeve,vetëm krijuan një situatë konfuze, e cila nuk është përcjell me përpilimin e akteve nënligjore as sot e kësaj dite për t’i bërë ato funksionale. Si duket ky edhe ka qenë qëllimi final: mos funksionimi ligjor i kësaj fushe,vazhdimi me të vjetrën, pasojat e së cilës po vërehen në çdo hap, pasi ka ende interpretime të ndryshme të dispozitave ligjore të ndërtimit.

Realiteti sot po tregon regres të madh në fushën e ndërtimit, e cila ende po vazhdon me të vjetrën. Kjo po e tregon një të vërtetë të hidhur se këto ligje, me kërkesat jo reale dhe  kontradiktore vetëm kanë krijuar kaos dhe konfuzion edhe më të madh. Kërkesat e ligjit janë progresive për shoqërinë amerikane nga është kopjuar, e kurrsesi për neve që ende po kërkojmë “pranimin teknik klasik të objekteve”, i cili me këtë ligj është parë tërësisht ndryshe. Ka edhe shumë çështje tjera të cilat parashihen ndryshe, si është “mbikëqyrja neutrale” për të cilën aspak nuk jemi të përgatitur pasi është i “ndaluar” shtimi i administratës në sektorin e inspektimit komunal. Paramendoni që Prishtina të funksionojë me vetëm tre inspektorë të rinj për mbikëqyrje inspektuese, apo në pranimin teknik të objekteve të ndërtuara në vitet e fundit. kKo është e pamundur, jo reale.

Gjatë këtyre 14 viteve gjithçka ka ndodhur në  këtë territor me ndërtime me leje e pa leje,por më së paku është respektuar ana ligjore dhe teknike e tyre. E tërë kjo ka ndodhur para syve të atyre që e kanë pasur obligim të ndalojnë ato ndërtime. Delegatët e legjislacioneve të kaluara të Kuvendit të Kosovës i kanë miratuar këto ligje të mangëta dhe të gabueshme, pa i llogaritur pasojat katastrofave që ato i  shkaktuan fushës së urbanistikës dhe ndërtimit në përgjegjësi. Me këso vendimesh, përveç mosdijes, dominonin edhe interesat klanore, regjionale, abuzive që për fat të keq ishin prezentë këto vite.

Shkurt ju rikujtova se një nga shkaktarët kryesor për situatën e krijuar hapësinore në Kosovë është edhe legjislacioni të cilin Kuvendi i Kosovës e ka miratuar e të cilin urgjent duhet ta rishikoni dhe përshtatni me realitetit tonë  kosovar. Shumë çështje domosdo duhet rrënjësisht ndryshuar. Kjo shoqëri ka kapacitet intelektuale dhe teknike, por tërësisht duhet ndërruar mendësia urbane në kokat e vendimmarrësve tonë.

Zotërinj vendimmarrës dhe politik-bërësit e ardhshëm, planifikimi hapësinor–urbanistik ka të bëjë mbi të gjitha, me njeriun dhe me plotësimin e nevojave të tij. Kjo do të thotë që sa më parë duhet të mendohet se si duhet të përmirësohen kushtet e jetesës së këtyre njerëzve me rifillimin e zbatimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor-urbanistik në frymën e normave, standardeve dhe principeve ndërkombëtare. Vetëm kjo mënyrë e qëndrueshme do të na shpëtojë nga rreziku i ndarjeve sociale dhe konflikteve, dhe do të integroje më mirë me njëra tjetrën dy botët që po formohen në mënyrë alarmante në shoqërinë tonë.

Ju e  keni shansin historik të filloni ndryshimet e mëdha ligjore në fushën e planifikimit hapësinor, urban dhe ndërtimit duke ia përshtatur realitetit tonë dhe duke mos lërë hapësirë për keqpërdorime të shumta që kanë ndodhur këto vite. Duhet rishqyrtuar tërë paketa ekzistuese që u tregua jo produktive në të kaluarën. E di është punë voluminoze, kërkon dituri dhe punë profesionale, por është koha e fundit që ky proces të fillojë për të zgjidhur situatën e katastrofave urbane në Kosovë. Prandaj përveç obligimit Kushtetues, ju e keni edhe obligim moral për të vepruar pozitivisht.

Kjo deri më tani është neglizhuar pa u brengosur në pasojat që tani janë evidente në të gjitha vendbanimet në Kosovë. Është koha e fundi t’i qaseni pozitivisht problematikës hapësinore dhe urbane në vendin tonë, koha nuk pret më.


Arkitekt Ylber Vokshi është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK).



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz