“Qeveria Rama bën shtet” por si?

“Qeveria Rama bën shtet” por si?

Kryeministri Rama, prej muajsh ka nisur të theksojë se Partia Socialiste dhe ai janë të vetmit që “mund të bëjnë shtet” në Shqipëri.

 “PS është e vetmja forcë që bën shtet. Këtë e di edhe Saliu!”, deklaroi Zoti Rama pak ditë më parë në Dibër.

Gjatë ditëve të fundit nëpër takim elektorale, Zoti Rama e ka përdorur parrullën e tij për t’i kërkuar votën qytetarëve për të fituar 71 mandate, majftueshëm sa për të formuar qeveri të vetën, pa pasur nevojën e koalicioneve:

“Duam që njerëzit të na besojnë një mandat të plotë. Synojmë të kemi pavarësi në timonin e qeverisjes. Ne jemi të fokusuar të marrim votat tona për të mos patur duar të tjera në timon që ulin shpejtësinë, bëjnë devijime,” deklaroi dje në emisionin Opinion, kryeministri Rama.

Por çfarë nënkupton Kryeministri kur thotë se “ka bërë shtet”?

Lufta ndaj kanabisit

“Është bërë luftë në këto 44 muaj sa nuk është bërë asnjeherë,” deklaroi në Opinion kryeministri Rama, kur u pyet nga gazetari Fevziu për përhapjen e kanabisit.

Por në çdo raport ndërkombëtar Shqipëria përshkruhet si burimi kryesor i kanabisit për shtetet evropiane.

Vetëm për periudhën 1-12 prill janë kapur 17 tonë e 690 kilogramë kanabis.

Vetëm gjatë një fundjavë në muajin prill u zbuluan 3 laboratorë modern të prodhimit të kanabisit.

Ish-Ministri i Brendshëm Xhafaj ka pranuar publikisht se  segmente të policisë së shtetit kanë ndihmuar në kanabizimin e vendit.

Rendi

Gjatë një prej monologjeve javore, Kryeministri Rama theksoi se reformat e qeverisë kanë përfshirë dhe rendin e sigurinë.

Por nëse në vitin 2014 ndodhën me dhjetra raste shpërthimeve me tritol në gjithë vendin, kohët e fundit vrasjet përmes atentatet mafioze janë rikthyer dhe bandat kriminale duket se janë fuqizuar.

Mjafton të përmendet vrasja e dyfishtë pak ditë më parë në Vlorë e drejtorit të OSHEE-së dhe një sipërmarrësi, vrasja në prill e komisarit Artan Cuku në Tiranë, apo shtatë atentatet mafioze me nëntë viktima, që ndodhën në më pak se dy muaj në fillim të 2016-ës.

Koncesionet dhe Parneritetet Publike Private

Kryeministri Rama shpeshherë ka mbrojtur publikisht koncesionet e dhëna nga qeveria e tij dhe kontratat e Partneriteteve Publike-Private, edhe pse këto të fundit nuk janë aspak të suksesshme apo financiarisht efikase në vende si Shqipëria, ku korrupsioni është i lartë dhe transparenca financiare mungon.

Rasti më i përfolur për koncesionet apo PPP-të janë ato në shëndetësi, pas premtimit të Ramës për “shëndetësi falas”.

Në fakt vetëm tre koncesionet në shëndetësi (“kontrollin shëndetësor falas –Check up”, “hemodializën” dhe “sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale”) arrijnë në vlerën e 300 milionë dollarëve.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka theksuar se mungesa e transparencës së Qeverisë Rama për kontratat koncesionare dhe ato të partneriteteve publike-private.

Gjithsesi, kjo nuk e ka ndalur qeverinë që të planifikojë kontrata të tjera afatgjata në dëm të buxhetit publik: katër kontrata të reja pritet të jepen në shëndetësi.

 

 



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz