Rama: Projekti 250 milionë eurosh për Rrugën e Arbrit nis në shtator

Rama: Projekti 250 milionë eurosh për Rrugën e Arbrit nis në shtator

Dje në Peshkopi, gjatë një takimi elektoral, Kryeministri Rama u premtoi banorëve se puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të fillojë në shtator. Kjo autostradë do të lidhë Tiranën me Dibrën, duke shkurtuar ndjeshëm udhëtimin, e më pas do të vazhdojë deri në Shkup të Maqedonisë.

Plani për ndërtimin e Rrugës së Arbrit bën pjesë në projektin “1 miliardë euro investime” të prezantuar nga Kryeministri Rama pak muaj më parë. Ky projekt do të zbatohet nga Qeveria Rama nëse në zgjedhjet e 25 qershorit arrin të fitojë një mandat të dytë. Të gjitha projektet pjesë e këtij plani, nuk janë diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe do të financohen përmes skemës së Partneriteteve Publike-Private, që siç Exit ka shpjeguar më parë, janë skema të kushtueshme financiarisht dhe të papërshtatshme për vende si Shqipëria ku ka një mungesë të theksuar të transparencës dhe nivel të lartë të korrupsionit.

Pasi një investitor kinez, i njohur ndërkombëtarisht, u tërhoq nga ndërtimi i Rrugës së Arbrit, firma e ndërtimit Gjoka Konstruksion  bëri, në prill 2017, një propozim të pakërkuar për të ndërtuar 69 kilometra rrugë, përfshirë dhe një tunel, në një periudhë 46 mujore. Kostoja totale e projektit sipas kompanisë shkon në 250 milionë euro, nga të cilat 190 milionë euro do të investohen nga kompania dhe 60 milionë euro nga shteti.

Kompania do të kujdeset për mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit për 10 vjet dhe në këmbin, kanë të drejtë të vendosin një tarifë prej 4 eurosh për çdo kalim të automjeteve në autostradë.

Qeveria Rama i ka dhënë Gjoka Konstruksion një bonus prej 10 për qindësh, duke vendosur pothuaj përfundimisht se nëse hapet tenderi për këtë projekt, kompania Gjoka do të jetë fituesi.

Kjo duket se ka shumë gjasa të ndodhë, nisur dhe nga deklarata e Kryeministrit Rama dje:

Këtë javë,  Ministria e Financës do japë një letër dakordësie për skemën financiare të Rrugës së Arbrit. Kompania që ka bërë projektin është paraqitur me një propozim, është bërë verifikimi i projektit dhe me të marrë letrën, hapet gara. E që të mos flas në mënyrë strikte, se procedurat gjithmonë kanë ndonjë vonesë, nga shtatori fillojmë rrugën e Arbrit e i japim fund kësaj historie.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz