Negociatat PS-PD – Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Negociatat PS-PD – Çfarë ka ndodhur deri më tani?
Kreu i PD Lulzim Basha dhe Ndihmëssekretari i SHBA-ve Hoyt Brian Yee

Ndihmëssekretari i SHBA-ve, Hoyt Brian Yee, është bërë shtesa më e fundit në një grup gjithnjë e më të madh ndërmjetësish ndërkombëtarë që fluturojnë në Tiranë, për të negociuar një marrëveshje midis kryeministrit Edi Rama dhe udhëheqësit të opozitës Lulzim Basha.

Kjo përpjekje e përbashkët e ndërkombëtarëve për të “shpëtuar” zgjedhjet filloi kur më 15 prill Rama dhe Kryetari e Kuvendit Ilir Meta vendosën që Partitë Popullore Evropiane (PPE) të kontaktohet për të negociuar mes qeverisë dhe opozitës. Partia Demokratike është e lidhur me PPE, dhe ndoshta ideja ka qenë që dikush që është ideologjikisht i afërt me Bashën mund ta bindë atë për t’i dhënë fund bojkotit.

Dy ditë më vonë, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, nga SPD-ja e majtë e quajti bojkotin e opozitës “absurd”. Ai e bën këtë koment përpara se të takohet me opozitën dhe të informohet më shumë për kontekstin politik lokal, por me deklaratën e bërë ai  e kishte vendosur tashmë tonin e bisedës.

Kur eurodeputeti David McAllister, negociatori nga PPE, arriti në Shqipëri më 25 prill, ai sjell kolegun e tij eurodeputetin raportues për Shqipërinë Knut Fleckenstein nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (PASD). Ndërsa McAllister bisedon shkurtimisht me Bashën, Fleckenstein takohet me Metën dhe Ramën. Dy palët nuk arritën të takohen së bashku. Burime jozyrtare thonë se “paketa” që ishte në tryezë përfshinte shtyrjen e zgjedhjeve, disa ministri të dhëna opozitës, kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zgjedhjen konsensuale të Presidentit dhe Avokatit të Popullit. Megjithatë, kjo nuk është bërë zyrtarisht publike dhe që atëherë është futur në skenën politike si “paketa e  McAllister”.

Më 28 prill ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, ambasadori i SHBA Donald Lu dhe ambasadori i OSBE Bernd Borchardt u u takuan me partitë opozitare “të vogla”. Gjatë takimit Borchardt pohoi se bojkoti i zgjedhjeve nga opozita do të jetë vetëm një fjali “në raportin e monitorimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR.”Ambasadorët i inkurajuan partitë e opozitës që në mungesë të PD, të futen në zgjedhje dhe të fitojnë më shumë vota. Partitë refuzuan.

E vetmja përpjekje negociuese në të cilën palët e kundërta u takua ballë për ballë, u koordinua nga Presidenti Bujar Nishani më 3 maj, pasi Kryeministri Rama dhe KQZ i kishin caktuar një afat përfundimtar PD-së për të hyrë në zgjedhje, 7 majin. Këto negociata, po ashtu, dështuan të japin ndonjë rezultat. Ilir Meta ishte zgjedhur tashmë President duke hequr nga tavolina një ofertë për opozitën dhe duke forcuar pozitat e Kryeministrit Rama. Ndërkohë, një kor ndërkombëtarësh i bëri thirrje Bashës të regjistrohet në zgjedhje dhe t’i japë fund bojkotit të tij të Parlamentit.

Më 5 maj, Rama papritmas vendos të dëmtojë në mënyrë të njëanshme zgjedhjet lokale në Kavajë, duke tërhequr kandidatin e tij dhe duke ushtruar presion ndaj kandidatit të pavarur për të bërë të njëjtën gjë, nën pretekstin e “stabilitetit”. Kjo masë u mbështet më pas nga Ambasada e SHBA.

Më 9 maj, misioni i monitorimit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR mbërrin në Tiranë. Kreu i saj u shpreh se OSBE nuk do të komentojë mbi situatën politike, edhe pse Ambasadori i OSBE në disa raste ka pohuar se “2 milionë euro para të drogës po kërcënojnë zgjedhjet”, se institucionet anti-korrupsion janë nën presion politik dhe pse tashmë ishte përfshirë në situatën politike në takimin e “opozitës së vogël”.

Më pas, më 11 maj, Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn papritmas shkruan një letër të hapur për “popullin shqiptar”, në të cilin ai pohon në thelb se ai pranon zgjedhjet pa opozitën. Është e paqartë se çfarë të drejte ka Hahn për të adresuar qytetarët e vendeve jashtë BE-së dhe të ndërhyjë hapur në një fushatë zgjedhore.

Më në fund, më 15 maj, Yee vjen në Tiranë për një përpjekje “të fundit”. Ai i referua deri diku propozimit të McAllister, dhe nga ana tjetër u përpoq të destabilizojë opozitën duke folur individualisht me disa deputetë “disident”. Sidoqoftë, ai tashmë thotë se edhe nëse bisedimet dështojnë, SHBA do t’i njohë zgjedhjet.

Siç duket tani, negociatat për një kompromis për paketën e McAllister (minus Presidentin, por me votim elektronik) kanë dështuar.



Lini një koment

1 Koment për "Negociatat PS-PD – Çfarë ka ndodhur deri më tani?"

avatar
trackback

[…] sa është bërë publike në media, negociatat mes PS dhe PD kanë përfunduar duke mos dhënë asnjë zgjidhje konkrete për krizën politike, kjo ndoshta për të mirën çdokujt. Nuk e them këtë sepse nuk dua […]

wpDiscuz