Cilat janë partitë që garojnë në zgjedhjet e 18 qershorit?

Cilat janë partitë që garojnë në zgjedhjet e 18 qershorit?

Në zgjedhjet e 18 qershorit, pas bojkotit të opozitës, do të marrin pjesë 15 parti, të cilat do të garojnë më vetë dhe jo në koalicione, në ndryshim nga zgjedhjet e vitit 2013 ku morën pjesë 66 parti, në dy koalicione të mëdha.

Në fazën e parë të regjistrimit, më 10 prill, ku partitë duhet të dorëzojnë vetëm statutin, vendimin e gjykatës, siglën, vulën dhe emrin e kryetarit të partisë u regjistruan 45 parti politike.

Në fazën e dytë, më 19 prill, pra 9 ditë pas regjistrimit të parë, partitë e vogla të cilat nuk kanë përfaqësi në Kuvend, ose duhet të regjistroheshin brenda një koalicioni ose duhet të dorëzonin pesë mijë firma në KQZ.

Pas plotësimit të këtyre kushteve partitë kanë të drejtën të dorëzojnë listat shumë emërore me kandidatët përkatës, çka përmbyll procesin e regjistrimit.

Duke qënë se për zgjedhjet e 18 qershorit nuk u regjistrua asnjë koalicion, shumë parti të vogla, të cilat nuk mundën të mblidhnin firmat e nevojshme nuk arritën të regjistroheshin, duke bërë që në KQZ të regjistrohen përfundimisht vetëm 15 parti politike.

Nga këto 15 parti në garë, vetëm 4 prej tyre, 26,6 për qind, (PS, LSI, PDIU, PKD) kanë deputet në parlamentin aktual.

Nga 15 parti në garë, tre prej tyre, 20 për qind (SFIDA, LIBRA dhe APD) do të garojnë për herë të parë në zgjedhjet e qershorit 2017. Të treja këto parti janë krijuar gjatë vitit të fundit.

Nga 12 partitë e tjera që kanë garuar dhe në zgjedhjet 2013-ës, tetë prej tyre, 66,6 për qind, (PDS, PAD, PADSH, AAK, MEGA, PKD, PSD, PKSH) kanë marrë më pak se 1 për qind të votave në rang kombëtar.

Dy prej partive që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 2013-ës, FRD e PDIU morën 1-3 për qind të votave, ndërsa dy të të tjerat, LSI e PS morën nga 10 deri në 41 për qind të votave.

Nga 12 partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 2013-ës, tre prej tyre (25 për qind) kanë garuar në 2013-ën në koalicion me PD, 8 parti kanë qenë në koalicionin e kryesuar nga PS e LSI, ndërsa një parti (FRD) garoi e vetme.

10 prej 15 partive në garë (66,6 për qind), nuk kanë pasur asnjëherë deputetë në parlamentin shqiptar që kanë fituar nën siglën e partisë. Deputetët socilalistë Blushi e Hafizi e kanë fituar mandatin e tyre nën siglën e PS e më pas janë shkëputur për të formuar LIBRA-n.

Në total, 15 parti kanë paraqitur 2180 kandidatë për deputetë nga të cilët 909 (41,70 për qind) janë femra.

Mospjesmarrja në zgjedhjet e opozitës dhe mos regjistrimi i koalicioneve zgjedhore kanë treguar se më shumë se gjysma e partive politike në vend janë pothuajse pa elektorat —parti të cilat shfaqen vetëm gjatë fushatave elektorale. Shpesh këto i shërbejnë partive të mëdha për të shpëtuar rrjedhjen e votave tek partitë kundërshtare.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz