Vizioni Rama për Shqipërinë: Edi Rama dhe Ilir Meta kalorës të drejtësisë e luftës kundër korrupsionit

Nga Alba Mborja,
Vizioni Rama për Shqipërinë: Edi Rama dhe Ilir Meta kalorës të drejtësisë e luftës kundër korrupsionit

Me bojkotin e zgjedhjeve nga opozita, është pothuajse e sigurtë se PS do të ketë të paktën dy të tretat e vendeve në Kuvendin e ardhshëm—84 deputetë— shumicë e mjaftueshme për për të miratuar çdo lloj ligji. Me gjasa ajo mund të arrijë edhe shumicën e mjaftueshme për të ndryshuar Kushtetutën, prej 93 vendesh.

Sado të përmirësohen arritjet elektorale të LSI-së dhe partive të tjera në zgjedhjet e 18 qershorit, rezultati spektakolar elektoral i PS-së është pothuajse i pashmangshëm.

Për rrjedhojë, pas zgjedhjeve të 18 qershorit, gjendja politike në vend  do të jetë ajo e një autokracie de facto. Edi Rama do të ketë kontroll të plotë mbi të gjitha pushtetet në vend dhe pushteti i tij do të jetë praktikisht dhe ligjërisht i pakufizuar.

Ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë gjendje të pritshme është fakti se kryeministri Rama ka dëshmuar, gjatë mandatit të parë, se ka fare pak respekt dhe konsideratë për institucionet dhe ligjet—çka do ta bëjë pushtetin e tij të pas 18 qershorit një autokraci absolute të pakontrolluar nga asgjë.

Vetë Edi Rama duket i vetëdijshëm për këtë rend të ri politik, teksa në monologun e djeshëm të javës u shpreh se:

Shqipëria që kemi do hyjë në një cikël të ri, politik, ekonomik dhe social. ….Vetë politika do të ndryshojë, do të adaptohet me kushtet e reja të ciklit të ri, do të marrë një trajtë dhe përmbajtje të re.

Justifikimi kryesor që po përdor Edi Rama për të imponuar këtë regjim të ri autokratik është klisheja e vetingut. Dje, ai theksoi se parlamenti i ri—pra, shumica absolute nën kontrollin personal të tij— do të zhbllokojë vetingun, duke i hapur rrugë anëtarësimit të vendit në BE:

Parlamenti i ri, pa PD, menjëherë pas formimit të qeverisë së re, do të zhbllokojë vetingun në votimin e tij të parë të legjislaturës së ardhshme […]. [R]eforma në drejtësi, votimi i  vetingut do të vendosin fatin evropian të Shqipërisë.

Le ta anashkalojmë pohimin (e pavërtetë) se po të fillojë reforma në drejtësi BE do të hapë menjëherë negociatat me Shqipërinë dhe pohimin se anëtarësimi në BE mund të vijë për pak kohë—kur është thuajse e sigurtë se nuk do të ketë anëtarësim teë paktën në 10 vitet e ardhshme.

Le të ndalemi tek vetingu, argumenti i fuqishëm dhe spektakolar që Edi Rama ka përdorur për të justifikuar çdo veprim të tijin deri më sot dhe që tani po e përdor si justifikim për shkatërrimin e procesit politik e demokratik në vend.

Thelbi i argumentit të Kryeministrit është se heqja qafe e opozitës dhe pushteti absolut në duart e tij është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë, më e mirë se vetë demokracia dhe konfliktet që ajo sjell, sepse do t’i sjellë Shqipërisë vetingun që do ta shpëtojë Shqipërinë nga korrupsioni dhe krimi:

Politika do marrë një trajtë të re duke folur, besoj, më pak për vete e më shumë për njerëzit. Duke bërë më pak zhurmë e sherr kacafytës brenda vetes e duke bërë më shumë punë e të mira për Shqipërinë që duam.

Po, a mund ta bëjë vetingun e vërtetë dhe pastrimin e drejtësisë nga korrupsionin Edi Rama i pas 18 qershorit?

Sikurse kemi shpjeguar në detaje këtu, vetingu është procesi i verifikimit nga një komision i caktuar i të shkuarës dhe aftësive të prokurorëve dhe gjykatësve. Anëtarët e komisionit që do të kryejë vetingun do të zgjidhen nga dy komisionet ad hoc parlamentare. Një komision parlamentar do të ketë 12 anëtarë dhe një do të ketë 6 anëtarë, të cilët do të emërohen gjysma nga shumica dhe gjysma nga pakica parlsmentare.

Pas zgjedhjeve të ardhshme, Partia Socialiste do të ketë e vetme shumicën dërrmuese të Kuvendit, ndërsa pak vendet e pakicës do t’i përkasin me gjasa më së shumti Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe disa PDIU-së. Kjo do të thotë se komisionet përzgjedhëse të vetingut do të “emërohen” praktikisht nga Edi Rama dhe Ilir Meta, e ndoshta ndonjë anëtar edhe nga Shpëtim Idrizi.

Sidoqoftë, duke qenë se shumica e anëtarëve të opozitës do të jenë gjithsesi të LSI-së dhe mjaftojnë ata për të krijuar shumicën brenda komisioneve përzgjedhëse, mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se vetingun do ta kenë në dorë ta realizojnë Edi Rama dhe Ilir Meta.

Kjo do të thotë se, praktikisht, Edi Rama po u thotë shqiptarëve: sakrifikoni pluralizmin duke i dhënë atij pushtet absolut, sepse ai dhe Ilir Meta do të pastrojnë drejtësinë nga gjykatësit e korruptuar dhe pastaj gjykatësit e përzgjedhur nga Rama dhe Meta do të burgosin qeveritarët e korruptuar.

Se kush janë politikanët e korruptuar që do të luftohen kjo është bërë e qartë nga Kryeministri Rama: jo ai vetë, jo Ilir Meta, jo Sajmir Tahiri, jo Damian Gjiknuri, jo Ilir Beqaj, jo Erion Veliaj, jo Vangjush Dako, jo Elvis Roshi, jo drejtorët socialistë e LSI-stë të doganave, tatimeve, prokurimeve. Jo, këta janë pro vetingut.

Sikurse e thotë çdo ditë vetë, politikanët e korruptuar janë vetëm ata që ishin në pushtet para katër vjetësh, të cilët Edi Rama, ndonëse ka patur katër vjet gjithë pushtetet, nuk i paditi dhe nuk i çoi kurrë para drejtësisë.

Kushdo që do ta besojë këtë, le ta besojë. Paçka se kjo rrëfenjë kryeministrore është tallje për gjithë dijen dhe vetëdijen historike që ka grumbulluar njerëzimi mbi politikën dhe pushtetin dhe shkelje e çdo parimi të lirisë dhe demokracisë që njeh bota perëndimore.

Sipas “teorisë” politike të Edi Ramës: pushteti zhduk korrupsionin, kurse pushteti absolut e zhduk korrupsionin në mënyrë absolute.

Natyrisht, rrëfenja të tilla tregohen përditë në autokracitë afrikane dhe aziatike nga udhëheqës të ngjashëm me Edi Ramën (por më me pak shije në veshje), të cilët përbetohen çdo çast se pushteti i tyre absolut është bekim për popullin e tyre.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz