Punësimi dhe të papunët

Nga Erjon Kalaja,
Punësimi dhe të papunët

Një nga arsyet për popullaritetin e retorikës politike është se të gjithë mund të kenë të drejtë, përsa i përket retorikës së tyre, pa marrë parasysh se sa retorika e njërës anë është në kundërshtim me retorikën e anës tjetër.

Kryeministri vazhdimisht përsërit se sa qindra mijëra vende pune janë krijuar gjatë qeverisjes së tij, ndërsa kritikët dhe opozita e tij vazhdimisht përsërisin sa mijëra vende pune janë humbur gjatë kësaj qeverisje.

Si mund të dyja palët të kenë të drejtë – ose, të paktën, si mund të kenë të drejtë të dy palët me atë që po thonë?

Ka vende pune dhe ka vende pune neto.

Kjo është e vërtetë jo vetëm sot, por ka qenë e vërtetë në vitet e kaluara.  Gjithçka mund të shihet dhe shpjegohet qartë edhe në tabelën e grafikun më poshtë, krijuar me të dhënat e INSTAT.

Rreshtit Punëkërkues/Të papunë në tabelë dhe grafiku i poshtëm jep punësimin neto, i cili siç mund të shihet ka një rënie nga viti 2000 deri në 2005 dhe në vitet në vijim është relativisht stabël.

Niveli i papunësisë në vitin 2005 ka qenë 153.000 persona, në vitin 2013 ka qenë 143.000 persona dhe në vitin 2016 ka qenë 119.700 persona.

Ulja neto e personave të papunë në Shqipëri për periudhën 2005 – 2013 është afësisht 10.000 persona dhe për periudhën 2013 – 2016 është përafërsisht 23.000 persona, duke shënuar rekord për numrin më të vogël të punëkërkuesve në këto 16 vite.

Pavarësisht optimizmit dhe përgëzimit për uljen e papunësisë neto, shifra prej 23.000 personash është mjaft larg premtimit për 300.000 vënde të reja pune apo pretendimit për krijimin në periudhën 2013 – 2017 të 183.000 vendeve të reja pune.

Nëse qeveria aktuale do të kishte krijuar 183.000 vende të reja pune atëherë do të kishim të paktën 40.000 persona emigrantë të ardhur në Shqipëri.

Mbajtja e premtimit për 220.000 vende të reja pune gjatë katër viteve në vijim do ta detyronte Shqipërinë të lëshonte leje qëndrimi për rreth 100.000 jo rezidentë Shqiptarë!

Fakti që rritja e punësimit nuk përkthehet në perceptimin e mungesës së rritje të fuqisë blerëse lidhet me një tabelë tjetër të INSTAT e cila tregon punëkërkuesit të papunë të regjistruar sipas moshës, gjinisë dhe nivelit arsimor, por kjo kërkon një analizë tjetër pak më të zgjeruar. Por një gjë nuk mund të mos përmendet në lidhje me këtë, në periudhën 2013 – 2016 numri neto i punëkërkuesve me arsim të lartë është jo vetëm më i larti por krahasuar me vitin 2000 është dy here më i lartë.

Në lidhje me mbajtjen e premtimit elektoral për 220.000 vende pune të reja, një gjë është e sigurtë nëse koalicioni qeverisës fiton ose do të kemi 100.000 emigrantë të huaj në Shqipëri ose do të kemi punësim pa ulur numrin total të të papunëve. Domethënë do të kemi një reformë (kuptohet raprezalje) të thellë në administratë e cila do të bëjë të paktën 200.000 vetë të kërkojnë punë në sektorin privat.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz