Jo të gjithë restaurimet e lapidarëve janë si të Ministres Kumbaro

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei,
Jo të gjithë restaurimet e lapidarëve janë si të Ministres Kumbaro
Aktiviteti per 73 vjetorin e themelimit te Brigades 8, 28 prill 2017 - Foto: Facebook

Në vitin 2014, përfundova të parin dhe të vetmin studim të të gjithë lapidarëve (monumenteve) të vendosura në Shqipëri gjatë diktaturës komunite, në total rreth 700 të tillë. Rezultatet e këtij projekti “Studimi i Lapidarëve të Shqipërisë” janë publikuar në një blog, në një video dhe në një botim. Megjithëse projekti u financuar pjesërisht nga Ministria e Kulturës, të dhënat e mbeldhura u mbetën të papërdorura. Në Shqipëri ende nuk ka ligj që mbron këtë lloj trashëgimie kulturore.

Rezultati i mungesës së ndonjë mbrojtjeje ligjore është se qeveria dhe bashkitë, si dhe qytetarët, në tokën e të cilëve mund të ketë lapidarë, mund të bëjnë me ta ç’të duan, duke përfshirë dhe “restaurimin” ose “rindërtimin” e tyre. Në disa raste, siç do ta shohim më poshtë, kjo gjë ka funksiounuar mirë, por në shumicën e rasteve, përfundimi është katastrofal.

Në të kaluarën, kam shkruar disa herë se si kjo trashëgimi kulturore e rëndësishme është keqtrajtuar nga qeveria:

  • Në vitin 2014, lapidari gjigant në formë ylli për Brigadën e Parë në Pishkash u lye me bojë të bardhë, duke shkatërruar kështu variacionet unike të ngjyrave të gurëve me të cilat ishte skulpturuar monumenti. Një “restaurim” i ngjashëm, lyerja me bojë të bardhë, ju bë dhe monumentit “Nëna Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
  • Në vitin 2016, ish-ministri i Mirëqenies Blendi Klosi, së bashku me një grup të rinj, “restauroi”  Lapidarin e Artilerisë, që ndodhet në një kodër me pamje nga Tirana. Monumenti u dëmtua pasi për pastrimin e mbishkrimeve mbi të u përdor një pajisje smeriluese. Një tjetër mënyrë “restaurimi” e grupit të aktivistëve ishte suvatimi i anëve të bazamentit të monumentit. Bazamenti i veshur më parë me mermer u suvatua me llaç.
  • Në vitin 2017, “rindërtimi” i Pazar i Ri në Tiranë, një nga “arritjet” më të mëdha të kryetarit Erion Veliaj, përfshinte shkatërrimin e lapidarit për Muhamet Gjolleshën dhe Shyqyr Ishmin, të cilëve iu prenë koka dhe krahët.

Këto janë vetëm tre nga shembujt e listës së gjatë me akte vandale të qeverisë ndaj lapidarëve.

Tani papritur, pas katër vitesh mungese të politikave rregulluese  dhe neglizhencës së madhe, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro shfaqet në 73 vjetorin e themelimit të Brigadës së 8-të në Sheper, Gjirokastër (ku po bën fushatë për zgjedhjet), duke deklaruar:

“Mblidhemi këtu tre breza, më vjen mirë që këtu kemi edhe fëmijët, edhe veterantë, një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të shkëmbyer ngjarjet historike. Por mendoj se është një mundësi e mirë për të kthyer vëmendjen në një nga zonat me potencial të madh turistik.”

Unë nuk e mohoj se lugina e Zagorisë është një vend i bukur dhe se lapidari afër Sheperit është vërtetë impresionues. Por është tashmë sjellje e përsërtiur e Ministres Kumbaro që të flasë vetëm për trashëgiminë kulturore në aspektin e turizmit. Në fakt, pothuajse e gjithë politika e saj në vitet e fundit duket të ketë qenë e orientuar drejt turizmit dhe si rezultat, jeta kulturore në Shqipëri pothuaj ka vdekur.

Ndërkohë, shumë vendime të  qeverisë dhe bashkive lokale kanë shkatërruar trashëgiminë kulturore të shekullit të 20-të, ndërkohë që me të vërtetë kjo pakëson apo shkatërron çdo vlerë “turistike” që ato mund të kenë pasur.

Lapidari per Brigaden 8 dhe 14 ne Sheper, 2014 – Foto © Marco Mazzi
Aktiviteti per 73 vjetorin e themelimit te Brigades 8, 28 prill 2017 – Foto: Facebook

Po ashtu në rastin e lapidarit në Sheper, puna restauruese u financua dhe u mbikëqyr plotësisht nga bashkia e Gjirokastrës. Armand Hilaj, kreu i Këshillit Bashkiak, deklaroi:

“Ne, si Këshill i Qarkut, në funksion të detyrimit tonë ligjor që kemi për rindërtimin e këtij monumenti të dëshmorëve tanë, e kemi përfunduar rikonstruktimin me buxhetin tonë.”

Siç mund të shihet nga fotografia e vitit 2014, lapidari në Sheper ishte në fakt një nga lapidaret më të mira të ruajtura në vend, për shkak të vendndodhjes së saj të largët. Të gjitha pllakat e mermerit të gdhendur ishin akoma të vendosura, bazorelievi ishte i padëmtuar, e madje dhe ylli komunist në krye të shqiponjës dykrenare ishte akoma i vendosur, ndoshta edhe sepse lapidari është një prej më të lartëve në vend.

Fotografitë nga aktiviteti i 28 prillit tregojnë se bazamenti i lapidarit është rikonstruktuar dhe se bazorelieve është lyer me bojë. Pjesa e lyer me ngjyrë të gjelbër është tani me e gjallë dhe ngjason me gjethet e pranverës, por të paktën nuk është lyer me bojë rozë apo të verdhë si në Varrezat e Dëshmorëve në Përmet. E njëjta gjë vlen për flamurin në krye, me yllin e pikturuar me një kuqe të freskët së bashku me sfondin e shqiponjës së zezë. Punonjësit e aftë nga Gjirokastra nuk e kanë vshur mermerin me suva apo bojë siç ka  bërë Ministria e Kulturës në disa vende rreth Sheshit Nënë Terezë në Tiranë, me rezultate të tmerrshme. Në tërësi, restaurimi i lapidarit në Gjirokastër është një rast i suksesshëm.

Por problemi mbetet që restaurimi i këtyre monumenteve me vlerë kombëtare nuk mund të lihet në dorë të bashkive lokale. Ata nuk kanë ekspertizën apo buxhetin e mjaftueshëm për të ruajtur tiparet unike të peizazhit kulturor shqiptar për gjeneratat e ardhshme. Vetëm një kuadër ligjor i dedikuar për monumentalitetin e shekullit të 20-të mund të mbrojë, mirëmbajtjen dhe restaurojë në mënyrën e duhur këtë pasuri. Ndoshta një ministër më i aftë pas zgjedhjeve mund të ndërmarrë nisma në këtë drejtim. Por nuk kam shumë shpresë!



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz