Përfitimet prej një “gabimi” të vogël

Nga Artan Rama,
Përfitimet prej një “gabimi” të vogël
Artan Rama

Me shumë gjasë, një rastësi fatlume, mund t’u shërbejë ambientalistëve dhe organizatave mjedisore për të kthyer Ligjin për Zonat e Mbrojtura, i cili u miratua të enjten e shkuar në Kuvend.

Ato mund të shfrytëzojnë nenin 85 të Kushtetutës, i cili i jep Presidentit të Republikës të drejtën ta kthejë ligjin për rishqyrtim.

Të kapur në befasi, për shkak të miratimit me procedurë të përshpejtuar, pikërisht gjatë seancës së fundit të Legjislaturës VIII, kritikat në rritje të grupeve të interesit po reflektojnë shqetësim dhe ndjeshmëri më të lartë mjedisore.

Nisma e fundit e autoriteteve shtetërore për të lejuar nisjen e procedurave për miratimin e disa projekteve turistike private, brenda Parqeve Kombëtare, po shërben si një katalizator për rritjen e një fryme mosbesimi.

Akoma më shumë, pas një shqyrtimi të hollësishëm të neneve të ndryshuara, disa prej ekspertëve mendojnë se kompetenca e re e Këshillit Kombëtar të Territorit për të miratuar zonimin e brendshëm (Neni 13, pika 6) apo për të përcaktuar sipërfaqen e zonave të mbrojtura (Neni 36, pika 1)—pra varësia e çështjeve mjedisore nga autoriteti zhvillimor (Ligji Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”)—mund t’i rrezikojë këto zona.

Sidoqoftë, në relacionin që qeveria i ka dërguar Kuvendit—për të cilin shumica e ekspertëve mjedisorë bien dakort se ka anë pozitive—klasifikohen, konkretisht, disa përparësi për zonat e mbrojtura: mbrojtje e siguri më e madhe, ndalim për ndërtimin e hidrocentraleve, ndalim të gjuetisë brenda parqeve kombëtare, përputhshmëri me programin politik të qeverisë, përputhshmëri me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar, përafrim i pjesshëm me legjislacionin e BE-së, si dhe pavarësi ekonomike të strukturave përgjegjëse për administrimin e zonave të mbrojtura.

Po përtej përparësive, përtej përputhjeve, autorëve u ka shpëtuar një gabim, në dukje i vogël, por jo i parëndësishëm.

Në nenin 49, thuhet se për “nënzonën e përdorimit të qëndrueshëm” zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, por në nenin 50, për të njëjtën zonë, thuhet se zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes. Përse një mospërputhje e tillë?

“Arsyet mund të jenë të paqëllimshme” – thotë Irena Dule, një juriste dhe avokate e çështjeve publike. “Mbivendosja e normave juridike (konflikte nenesh), ndonëse rrallë, shkaktohet shpesh prej nxitimit, por pasojat ndikojnë në sigurinë juridike, pasi zbatuesit, qoftë në administratë, qoftë në sistemin të drejtësisë, mund ta interpretojnë ligjin në mënyra të ndryshme, gjë e cila lë vend për abuzime”.

Natyrisht, askush nuk mund ta thotë me siguri, nëse kemi të bëjmë me një situatë të qëllimshme, por një pjesë e Parkut Divjakë-Karavasta, pikërisht aty ku prej disa javësh kompania MABETEX ka paraqitur një projekt turistik, gëzon statusin si “nënzona e përdorimit të qëndrueshëm” dhe tamam këtu, në këtë zonë, ambientalistët e kundërshtojnë projektin.

Por konflikti në fjalë, pra, përplasja që krijohet mes neneve 49 dhe 50, mund të çojë në rënien e shkallës së mbrojtjes për këtë zonë, duke i dhënë mbështetje ligjore resortit të propozuar. Kjo për shkak se, sipas përcaktimit në nenin 3, shkalla e tretë e mbrojtjes lejon zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike… për komunitetin e biznesit, ndërsa shkalla e dytë e mbrojtjes ka si qëllim parësor ruajtjen e bio-diversitetit.

Zamir Dedej, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), tepër euforik për kalimin e këtij ligji, ende nuk po u beson asaj çka po sheh në letër. Reagimi i tejkalon fjalët: “Si ka mundësi? Ky është një gabim… është një gabim! E kanë shkruar gabim”.

Por justifikimi nuk i përgjigjet pyetjeve: Cili do të jetë statusi i ardhshëm i kësaj zone, pas miratimit të këtij ligji? A e favorizon kjo mospërputhje shkallësh mbrojtjeje MABETEX-in? Dhe në fund, a po i dëmton zonat e mbrojtura ligji i ri?

“Procedurat për hartimin e draftit kanë filluar me kohë, përpara se të vinte Pacolli. Këto dyshime nuk kanë asnjë lidhje”, — më përgjigjet drejtori i AKZM-së dhe, njëkohësisht,  një prej autorëve të ligjit.

Në qendrën juridike Res Publica, avokatja Irena Dule më shumë se një përgjigje ofron një zgjidhje: “Për shkak se dy prej dispozitave kundërshtojnë njëra tjetrën, Presidenti, gjatë fazës së paradekretimit, me iniciativën e tij, mund të vlerësojë dhe ta kthejë ligjin për rishqyrtim. Gjithashtu, grupet e interesit, nëse e konsiderojnë një çështje të rëndësishme, le të sjellin në vëmendje të Presidentit të tjera konsiderata dhe vërejtje, lidhur me ligjin në tërësi, ose me pjesë të veçanta”, – përfundon ajo.

Kështu, falë një gabimi, të qëllimshëm ose jo, ambientalistët e kanë ligjërisht një mundësi për ta kthyer ligjin në Kuvend, për të çelur një diskutim të ri, që me gjasë, mund t’i përkasë një legjislaturë të re…



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz