Mbretëria e Bashkuar, Princi Philip tërhiqet nga detyrat mbretërore

Mbretëria e Bashkuar, Princi Philip tërhiqet nga detyrat mbretërore
Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Elizabeta II dhe Princi Philip

Princi Philip, bashkëshorti 95-vjeçar i Mbretëreshës Elizabeta II e Mbretërisë së Bashkuar, do të tërhiqet nga detyrat mbretërore në fillim të vjeshtës.

Lajmi u bë i ditur sot nga Pallati Mbretëror gjatë një takimi urgjent të stafit mbretëror.

“Princi Philip do të marrë pjesë në angazhimet e planifikuara paraprakisht deri në gusht, si individualisht dhe duke shoqëruar Mbretëreshën, por më pas, Duka nuk do të pranojë ftesa të reja, edhe pse ai mund të zgjedhë personalisht të marrë pjesë në ndonjë aktivitet të caktuar,” theksoi zëdhënësi i Pallatit Mbretëror.

Vendimi i Princit Philip, njëkohësisht dhe Duka i Edinburgut, është marrë nga ai personalisht dhe ka mbështetjen e Mbretëreshës Elizabeta.

Të gjithë detyrat mbretërore të princit, nga shtatori do t’i kalojnë monarkut më të vjetër britanik.

Media britanike raporton se një lajm i tillë pritej prej kohësh pasi shëndeti i princit Philip ishte përkeqësuar muajt e fundit. Njoftimi i sotëm erdhi një orë pas lajmit se në Pallatin Mbretëror ishte organizuar një takim i jashtëzakonshëm i gjithë stafit, duke nxitur në media një stuhi spekulimesh se një nga anëtarët e vjetër të familjes mbretërore kishte ndërruar jetë.

Disa nga gazetat më të klikuara britanike botuan lajmin se “Princi Philip ndërron jetë në moshën 95-vjeçare”, por e hoqën sapo njoftimi zyrtar nga Pallati Mbretëror u bë publik.

Princi Philip, i cili muajin e ardhshëm mbush 96 vjeç, ka vuajtur nga një sërë sëmundjesh vitet e fundit.

Mbretëresha Elizabeta përgjithësisht besohet të jetë në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo ende merr pjesë në rreth 300 ngjarje zyrtare çdo vit.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz