KQZ refuzon kërkesën PS–LSI për afatet e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore

KQZ refuzon kërkesën PS–LSI për afatet e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore
Komisioni Qendror Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi sot të shqyrtonte kërkesën e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për shtyrjen e afatit të regjistrimit të subjekteve politike dhe koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.

Një ditë më parë, KQZ e kishte futur në rendin e ditës shqyrtimin e kërkesës, por pasi dëgjoi sot argumentet e palëve, KQZ u shpreh se kërkesa PS–LSI nuk kishte bazë ligjore.

“Në çfarëdo lloj rrethane, KQZ nuk ka pse të marrë një vendim të njëanshëm që do të reflektonte vetëm interesat e një krahu politik” pohoi Kryetari i KQZ-së Denar Biba, në mbyllje të mbledhjes, duke nënkuptuar se kërkesa PS–LSI është kërkesë ekstraligjore.

Afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore ishte data 19 prill, ndërsa ai i regjistrimit të subjekteve të veçanta 10 prill. Partitë opozitare të udhëhequra nga PD nuk u regjsitruan për të marrë pjesë në zgjedhje, ndëkohë që nga partitë e regjistruara në afat, mes të cilave PS dhe LSI, nuk u paraqit asnjë kërkesë për koalicion brenda afatit ligjor. Kjo do të thotë që nëse zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor, në të do të konkurojnë vetëm parti dhe jo Koalicione zgjedhore.

Si rezultat i moskrijimit në kohë të koalicionit zgjedhor, kryetarët e grupve parlamentare të PS-së dhe LSI-së Gramoz Ruçi dhe Luan Rama, i drejtuan dje një kërkesë KQZ-së për shtyrjen e afateve të regjistrimit.

Në një letër të përbashkët ata u shprehën se nisur nga një “kontekst social-politik, i cili nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend e, aq më pak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve” KQZ duhet “të mendonte mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje dhe regjistrimit të koalicioneve zgjedhore.”

Zotërinjtë Ruçi dhe Rama u referoheshin “nenit 41 e vijues” të Kodit të Procedurave Administrative për të justifikuar kërkesën e tyre. Por neni 53, pika 3 e këtij Kodi përcakton se “afati procedurial i caktuar nga ligji ose aktet nënligjore, mund të zgjatet vetëm nëse kjo parashikohet shprehimisht nga ligji ose akti nënligjor”.

Pretendimi i mazhorancës se tejkalimi i afateve me disa ditën “nuk sjell asnjë pasojë penalizuese dhe ndihmon në krijimin e hapsirave për të siguruar një proçes sa më gjithëpërfshirës” ka qënë i pamjaftueshëm për KQZ-në.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz