Pas koncesionit dhe imunitetit, Kryeministri Rama i bën edhe reklamën Spitalit Amerikan

Pas koncesionit dhe imunitetit, Kryeministri Rama i bën edhe reklamën Spitalit Amerikan

ERTV, kanali privat nga i cili Kryeministri Rama transmenton përmes faqes në Facebook, tashmë është kthyer në një platformë reklamash për klientët kryesorë të qeverisë së tij. Duke mos i fshehur më lidhjet mes tij dhe Spitalit Amerikan, Kryeministri Rama sot transmetoi për më shumë se 15 minuta reklamë për filialin e ri të spitalit.

Në kohën që u shkruajt ky artikull, videoja, e publikuar një orë më herët, ishte parë 47 mijë herë dhe ishte shpërndarë 506 herë.

Spitali Amerikan, një kompani private e drejtuar nga Klodian Allajbeu, është klient i vjetër i qeverisë Rama. Së pari, Spitali Amerikan fitoi përmes një procedure të dyshimtë të prokurimit publik shërbimin e hemodializës. Vetëm pas lidhjes së kontratës, u bë e ditur se pas kompanisë së panjohur Evita, fituese e një prej tenderave më të shtrenjë, qendronte Spitali Amerikan.

Tenderi, me vlerë 65 milionë euro investim qeveritar për një kohëzgjatje 10 vjet, u shit në dhjetor të viti 2016 për vetëm 221,500 euro tek kompania Megapharm shpk, një klient tjetër i preferuar i Kryeministrit.

Spitali Amerikan menaxhon qendrat e hemodializës të cilat janë pjesë e tenderit. Në korrik të vitit 2016, zjarri i rënë në një nga qendrat e menaxhuara nga spitali vrau katër persona, të cilët po merrnin shërbimin e hemodializës.

Edhe pse u bë e qartë që nuk ekzistonte asnjë protokoll serioz sigurie dhe nuk kishte asnjë fikës zjarri portativ për të shpëtuar katër pacientët të sëmurë me veshka nga djegja për së gjalli, prokuroria nuk ngriti padi kundër askujt, ndërsa Spitali Amerikan ushtroi trysni mbi median për të hequr emrin e tij nga lajmet, duke kërcënuar me tërheqjen e reklamës.

Në fjalimin përurues të spitalit, Kryeministri Rama deklaroi se qeveria e tij “ka filluar një epokë të re bashkëpunimi midis shërbimit publik dhe shërbimit privat”

Ajo çfarë kjo do të thotë në të vërtet është se pasi i ka dhënë një nga kocesionet më të mëdha në fushën e shëndetësis dhe praktikisht imunitet nga hetimi për vdekjen e katër qytetarëve, kryeministri Rama tani i ofron klientit të tij biznesmen një audiencë falas prej më shumë se një milion ndjekësish, të cilët janë shndërruar në objekt të propagandës së pastër të biznesit.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz