Trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri, një problem ende i pazgjidhur

Nga Rudina Hajdari,
Trafikimi i qenieve njerëzore në Shqipëri, një problem ende i pazgjidhur

Trafikimi i qënieve njerëzore- qoftë për punë të detyruar apo shfrytëzim seksual – vazhdon ta përndjekë Shqipërinë. Por përse vazhdojnë qeveritë të dështojnë në zgjidhjen e këtij problemi?

Në vitin 2001, gazetari i mirënjohur Daniel Renton shkroi një raport shqetësues për “Save the Children”- ku analizonte tendencën e trafikimit njerëzor në Shqipëri. Raporti i Renton është shumë i rëndësishëm. Ai është një nga raportet e para që diskuton në mënyrë të detajuar çështjet rreth këtij fenomeni. Raporti bazohet në një intervistë me viktimat dhe autorët e krimit në 9 qarqet e Shqipërisë.

Në kohën e publikimit, Renton doli në përfundimin se:

“..trafikimi ka qenë dhe vazhdon të jetë i përhapur në vend dhe shumica e viktimave janë fëmijët. Trafikimi zakonisht kryhet nëpërmjet propozimeve false të punës dhe martesave ose rrëmbimeve dhe shitjeve. Në disa pjesë të Shqipërise është e vështire të gjendet nje fshat i pakrekur nga ky fenomen. Ndërsa ka rënie të lehtë nga viti 1997-98, trafikimi i fëmijëve për qëllim prostitucioni vazhdon pothuajse çdo ditë. Risku i rekrutimit mbetet i lartë, veçanërisht për të varfërit dhe të pa arsimuarit.”

Lidhur me këtë çështje, vitet 1996-1998 ishin veçanërisht traumatizuese për Shqipërinë. Skemat piramidale famëkeqe të vendit u rrëzuan duke marrë me vete kursimet e qytetarëve të barasvlershme me një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto të vendit.

Trazirat, plaçkitjet dhe kolapsi i shtetit i dobësoi shumë institucionet në vend. Populli i zemëruar dhe i armatosur shfryu zemërimin e tij ndaj autoriteteve. Paqeruajtësit italianë u angazhuan për rivendosjen e rendit dhe për të shmangur luftën civile të asaj kohe. Pothuajse në të njëjtën kohë, filloi dhe lufta në Kosovë– duke zhvendosur kështu mijëra vetë, dhe duke i bërë zonat e thella akoma më të paligjshme se më parë.

Një kombinim i situatës së rëndë ekonomike dhe brutalitetit mbikombëtar e lanë Shqipërinë të ndjeshme ndaj rrjeteve kriminale. Shqiptarët ishin të dobët përpara ofertave për një jetë më të mirë jashtë vendit.

Pas pesë dekadave izolimi, ato ishin gjithashtu të papërgatitur për realitetin e jetës që kishin imagjinuar jashtë.

Gjashtëmbëdhjetë vjet pas publikimit të raportit të Renton, problemi i trafikimit njerëzor në Shqipëri vazhdon të mbetet i pazgjidhur.

Studimet e kryera në vitin 2010 nga Kombet e Bashkuara deklaruan të paktën 140,000 viktima të trafikimit njerëzor në Evropë.

Bazuar në analizat nga autoritetet italiane diku prej 12.5% nga 40% e viktimave të trafikuara në juridiksionin e tyre ishin me origjinë shqiptare.

Mbretëria e Bashkuar identifikoi 3,266 viktima të trafikimit vetëm gjatë vitit 2015 nga të cilët, numri më i madh –rreth 600 viktima- vinin nga Shqipëria. Kjo nënkuptonte rritjen e numrit të viktimave në krahasim me vitet e mëparshme.

Për më tepër Shqipëria përfaqësonte grupet më të mëdha të trafikantëve ne Britaninë e Madhe. Ato përbënin 18 për qind të referimeve të bëra nga autoritetet në bazën e të dhënave të vendit.

Përmirësimet kanë qenë shumë  të vogla krahasuar me portretin e tmerrshëm të Renton-it në 2001-pandaj shtrohet pyetja se përse vazhdon të mbetet situata pothuajse njësoj?

Së pari, ata që banojnë në zona të thella të vendit mbeten ende të pambrojtur. Shumë nga metodat e përdorura nga organizatat kriminale nuk kanë ndryshuar – edhe pse përdorimi i internetit i jep një tjetër dimension kësaj çështjeje.

Për shembull, rezultatet e organizatave jo qeveritare, që kanë studiuar në thellësi rolin e teknologjisë në trafikimin njerëzor, tregojnë që kriminelët përdorin teknologjinë si një mjet për të joshur viktimat.

Oferta të rrema pune vazhdojnë të publikohen – veçanërisht nëpërmjet mediave sociale. Madje disa autorë fillojnë të bisedojnë me viktimat e mundshme nëpërmjet aplikacioneve të mesazheve.

Së dyti, kriza e refugjatëve në Evropë u ka ofruar metoda të reja trafikuesve. Ashtu si lëvizja masive e njerëzve ka lejuar përzierjen e viktimave me emigrantet e tjerë në rrugën drejt Evropës Perëndimore.

Megjithatë, ka një problem shumë më të madh këtu. Vetë Shqipëria nuk po e mendon dhe adreson seriozisht krizën sociale, ligjore dhe kulturore, gjë që e bën vendin shumë të ndjeshëm ndaj trafikimit. Për fat të keq, kemi bërë shumë pak progres-dhe, shumë shpesh, faji për këtë inerci është i parlamentarëve tanë.

Ndërsa shteti shqiptar është sigurisht më mirë në vitin 2017 në krahasim me vitin 2001, trafikimi njerëzor mbetet gjërësisht i keqinterpretuar dhe pak i pranuar.

Pavarësisht se Kodi Penal shqiptar e përcakton qartë këtë veprë penale, në nenet 110 (a) dhe 128 (b) të Kodit Penal që ndalon trafikimin seksual dhe punës së detyruar me dënimet nga 8 në 15 vjet burg, ai nuk është efektiv.

Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këto dënime  të parashikuara në Kodin Penal i citon si “mjaftueshëm të rrepta dhe madje kapërcejnë ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, si për shembull  përdhunimi, etj”. Këto dënime mund të jenë të drejta vetëm nëse nuk ngelen në letër por zbatohen.

Lidhja e pushtetarëve me krimin e bën të mundur mbrojtjen e autorëve nga ndjekja penale. Pas shqyrtimit të deklarimeve te detyrueshme në korrik 2016, përafërsisht 19 nga 140 të deputetëve të Shqipërisë kanë akuza penale të shkuara ose të mbetura pezull, qoftë brenda apo jashtë shtetit.

Ndërkohë, shkalla e arrestimeve për trafikimin nga Prokuroria Krimeve të Rënda po dështon. Rreth 39 të dyshuar u hetuan në 2014. Në 2015 numri i trafikantëve të dyshuar ra në 25. Nga 90 trafikantë të identifikuar nga Policia e Shtetit në 2014, vetëm 18 u ndoqën penalisht. Në 2015 ky numër ra në 15. Nga një total prej 11 trafikantësh të dënuar në vitin 2015, vetëm 8 u dënuan me 8-17 vite burg sipas kushtetutës. Kjo do të thotë se 3 prej autorëve iu dha një dënim më i lehtë nga ai i përcaktuar nga kushtetuta.

Shërbimet qeveritare dhe OJQ-të identifikuan vetëm 125 viktima të trafikimit dhe të trafikimit të mundshëm në vitin 2014- një numër që ra në 109 persona në 2015. Nga vetëm 4 strehimoret për viktimat e trafikimit në Shqipëri, vetëm një menaxhohet nga qeveria.

Ndërkohë që u punësuan 12 anëtarë të rinj dhe fondet u përdorën për të rinovuar këtë strukturë të vetme.

Shifrat e fundit tregojnë se fondet, në terma realë, jane praktikisht përgjysmuar. Buxheti nga rreth 163 mijë dollarë në vitin 2014 ra në 93 mijë dollarë në vitin 2015.

Statistikat e mësipërme as nuk i afrohen numrit të meshkujve, femrave dhe fëmijëve që kanë rënë viktimë e trafikimit në Shqipëri.

Edhe statistikat më konservatore nënkuptojnë se dhjetëra mijëra shqiptarë janë të implikuar

Megjithatë vendi ynë u ofron mbështetje rreth 100 prej të mbijetuarve që kthehen. Mospërfillja jonë për riintegrimin e tyre është shprehur në mënyrë të qartë me anë të modeleve tona të shpenzimeve.

Nga 206 mijë dollarë të caktuar për Fondin Special të qeverisë për Parandalimin e Krimit, vetëm 41 mijë u janë shpërndarë OJQ-ve për mbështetjen e viktimave të krimit. Asgjë nuk iu dha për mbështetjen e ofruesve të shërbimeve të trafikimit të viktimave.

Edhe nëse kaosi i viteve 1990 është qetësuar, ka ende probleme sistematike të përmendura nga studimi i Renton që tani bashkëpunojnë me një seri të re të problemesh -disa kushtetuese. Ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me shpërdorimin dhe korrupsionin, i cili injoron krejtësisht shkallën e këtij problemi. Fatkeqësisht, shoqëria akoma nuk e ka  të qartë se kush është viktima në këtë situatë të trafikimit njerëzor.

As gjykata apo shoqëria nuk  ka mundur ta përkufizojë qartë. Viktimat janë riatdhesuar në Shqipëri si endacakë, lypës, migrant të paligjshëm ose prostituta.

Deri sa shoqëria të pranojë me vullnet të mirë statusin e tyre si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore dhe riintegrimin e tyre në shoqëri,  ky problemi i do të mbetet i pandryshuar në Shqipëri.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz