Laboratorët e drogës — Si është kthyer kanabisi në industri?

Laboratorët e drogës — Si është kthyer kanabisi në industri?

Gjatë fundjavës tre laboratorë modern të kultivimit e paketimit të kanabisi janë zbuluar në Tiranë, Fier e Skrapar:

Më 15 prill u zbulua në një pallat në Fier një laborator droge. Në 6 dhoma me sipërfaqe prej 220 metra katror, u gjetën të kultivuara 2784 bimë kanabis dhe 2820 kubikë me fidanë kanabisi. Po ashtu, u gjetën dhe 167 bimë në proces tharjeje.

Më 14 prill – pesë kilometra larg qendrës së Tiranës, në një prej ish-tuneleve të ish-Uzinës së Autotraktorëve u zbulua një laborator droge. Brenda tunelit, të izoluar dhe të pajisur me llampa të fuqishme elektrike dhe me gjithë infrastrukturën e nevojshme, u gjet një sasi e konsiderueshme kubikësh të mbjellë me kanabis.

Më 12 prill – u zbulua në Skrapar një laborator modern për përpunimin e kanabisit me rreth 2000 vazo të mbjella me lëndë narkotike. Pak ditë më parë, në një magazinë aty pranë u gjetën 1,2 ton kanabis i tharë gati për tu hedhur në treg.

Duket se zbulimi i këtyre tre laboratorëve kultivimi dhe trafikimi i kanabisit është kthyer në një industri të vërtetë në vend.

Grupet e narkotrafikantëve investojnë shuma parash për të pajisur ambiente të mëdha me llampa të fuqishme elektrike, me pajisjet e nevojshme për mirëmbajtjen, tharjen dhe paketimin e kanabisit dhe me gjithë fuqinë punëtore të nevojshme.

Kjo industri me fitime marramendëse nuk mund të funksionojë dhe të zhvillohet pa tolerimin e heshtjen në rastin më të mirë, e bashkëpunimin e institucioneve shtetërore në rastin më të keq.

Gjatë kësaj fundjave 18 punonjës, mes tyre dhe një shef policie, u arrestuan nën akuzën për bashkëpunim në trafikun e drogës. Kjo tregon se bandat e trafikut të drogës kanë kapur institucionet shtetërore dhe se për të luftuar kanabisin duhen luftuar dhe lidhjet e policisë me të.

Kryeministri Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Tahiri vazhdimisht e kanë mohuar fenomenin e “kanabizimit” të vendit. Por aksionet e fundit  ku u zbuluan laboratorë gjigantë duket se hedhin poshtë pretendimet e Zotit Rama e Zotit Tahiri pretendimet se “po bëjnë shtet” e se “vendi nuk është i kanabizuar”.

Zbulimi i njëpasnjëshëm i laboratorëve të kanabisit përforcon denoncimet e vazhdueshme të opozitës dhe raporteve të ndërkombëtarëve.



Lini një koment

1 Koment për "Laboratorët e drogës — Si është kthyer kanabisi në industri?"

avatar
trackback

[…] i Llakatundit e Kavajës, rastet e muajve të fundit, si dhe raportimet e ndërkombëtarëve nuk duket se mbështesin pretendimet e zyrtarëve të […]

wpDiscuz