Asambleja Parlamentare e KE-së rrëzon hartuesit e reformës në drejtësi si të paaftë për gjykatës

Këshilli i Evropës refuzon për herë të dytë listën e qeverisë për gjykatës në Gjykatën e Strasburgut

Asambleja Parlamentare e KE-së rrëzon hartuesit e reformës në drejtësi si të paaftë për gjykatës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rrëzoi sot për herë të dytë listën e qeverisë shqiptare me tre kandidatë për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Tre propozimet e qeverisë për të zëvendësuar gjykatësin aktual Ledi Bianku mandati i të cilit ka mbaruar në mars 2017, ishin ajo e Sokol Berberit, ish-gjykatës i Gjykatës së Lartë, Prof. Dr. Aurela Anastasi pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë; dhe Aleksandër Muskaj, anëtar i Gjykatës së lartë. Sokol Berberi dhe Aurela Anastasi kanë qenë edhe autorë të reformës në drejtësi.

Tre kandidatët e kishin kaluar fazën e parë të gjykimit në muajin mars.

Ata u intervistuan më 6-7 prill nga 22 deputetë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, të cilët kanë arritur në përfundimin se asnjë nga kandidatët nuk është i përgatitur sa duhet për të shërbyer si gjykatës në Gjyaktën e Strasburgut. Asambleja e KE-së i ka kërkuar qeverisë shqiptare të dorëzojë një listë të re kandidatësh.

Kjo është hera e dytë që emrat e propozuar nga Qeveria Rama nuk pranohen nga Asambleja e KE-së. Herën e parë, në shtator 2016, qeveria shqiptare kishte propozuar Gentin Ibrahimi, Sokol Berberin dhe Ina Rama si kandidatë për të zevëndësuar gjykatësin aktual në Gjykatën e Strasburgut Ledi Biankun.

Refuzimi në bllok i listës është një ngjarje e rrallë në përvojën e Gjykatës. Shqipëria është rasti i dytë në historinë e KE-së që i rrëzohet dy herë rrjesht lista e propozimeve për gjykatës. Rasti tjetër është ai i Azerbajxhanit, zëvendësuesi i gjykatësit të tanishëm të të cilit u zgjodh në propozimin e tretë. Gjatë dekadës së fundit, janë rrëzuar nga një herë listat e Sllovenisë, Turqisë dhe Bullgarisë.

Përveç problemeve të tjera, refuzimi nga Strasburgu i të përzgjedhurve të Kuvendit për gjykatës duket se ngre pikëpyetje serioze mbi aftësinë e Kuvendit për të berë vetingun e gjykatësve në vend.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz