Ambasadori turk: Mbajini fëmijët tuaj larg nga shkollat e Gulenit

Ambasadori turk: Mbajini fëmijët tuaj larg nga shkollat e Gulenit

Ambasadori i Turqisë, Hidayet Bayraktar i ftuar në emisionin ‘Diplomaticus’ të gazetarit Erion Kaçorri në ‘News 24’ ka paralajmëruar për rrezikun që iu vjen shqiptarëve nga shkollat e Fetullah Gulenit.

Ai tha se diplomat e shkollave të Gulenit në Shqipëri nuk njihen nga shteti turk. Ambasadori saktësoi numrin e shkollave dhe kopshteve që funksionojnë aktualisht në vend.

“Ne këto shkolla nuk i quajmë të Gulen-it por të FETO-s. Sikurse jeni në dijeni në Shqipëri ka 2 universitete, 5 medrese, 5 shkolla të quajtura kolegje dhe 1 qendër të mësimit të gjuhëve të huaja, pra gjithsej 13 shkolla të FETO-s” — tha ai.

Më tej ai tha se personat më të afërt të predikuesit Gulen kanë vizituar vendin tonë dhe kanë marrë pjesë direkt në drejtimin e këtyre shkollave.

Numri 2 i organizatës terroriste Feto të Fethullah Gülen, ndaj të cilit në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Ankarasë po zhvillohet procesi gjyqësor i quajtur “Streha”, ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe ka ndjekur e kontrolluar personalisht strukturimin e organizatës në arsim, edukimin dhe aktivitetin fetar.

Nipi i Kryeterroristit Fethullag Gülen, mbajtës i të njëjtit mbiemër, në të shkuarën e afërt ka qenë drejtues i shkollave të Gülen në Shqipëri duke derdhur edhe kapitale tek ato.

Ambasadori Bayraktar shprehet se në këto shkolla vazhdon aktiviteti i shpëlarjes së trurit — “sidomos nxënësit konviktorë janë objektivi kryesor i FETO-s”, u shpreh ai.

Zoti Bayraktar i bëri thirrje prindërve shqiptarë të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në këto shkolla.

“Me afrimin e vitit të ri shkollor dëshiroj të tërheq sërish vëmendjen e familjeve Shqiptare. Mbajini larg fëmijët tuaj nga këto shkolla. Mos i hidhni ata në zjarr”,- deklaroi ambasadori turk.

Sipas diplomatit turk, në shkollat me fjetje të FETO-s aplikohet një sistem autoritar, i izoluar nga bota e jashtme, me një ngarkesë tej normave dhe i mbushur me tabu.

Brenda kësaj kutie të mbyllur anëtarët e FETO-s përzgjedhin që në moshë të hershme fëmijët që duan të përdorin në të ardhmen, të cilët zakonisht janë tipa te urtë dhe të dëgjueshëm dhe fillojnë të investojnë tek ata.

Ai shtoi se organizata FETO i mban lidhjet me nxënësit e përzgjedhur duke i ofruar bursa për në universitetet e Gulenit.

“Kur arrihet në konkluzionin që këta libra përgatitor kanë bërë efekt tek këta fëmijë, atëherë pas dyerve të fshehta atyre u jepen për të lexuar librat e eksponentit kryesor të Feto-s Fethullah Gülen-it. Më pas sidomos vitin e fundit të gjimnazit nxënësve të përzgjedhur u flitet për organizatën FETO dhe për përfitimet që ata mund të kenë prej saj. Edhe pas gjimnazit vazhdon ndjekja e këtyre fëmijëve. Lidhjet ruhen duke u ofruar nxënësve bursa pranë universiteteve të FETO-s” — deklaroi ambasadori Bayraktar.

 

Marrë nga portali informativ Balkanweb.com



Lini një koment

1 Koment për "Ambasadori turk: Mbajini fëmijët tuaj larg nga shkollat e Gulenit"

avatar
user6666
Guest
wpDiscuz