A po shkatërrohen zonat e mbrojtura me lejen e autoriteteve?

Nga Artan Rama,
A po shkatërrohen zonat e mbrojtura me lejen e autoriteteve?

Në një prej ditëve të dhjetorit të shkuar, Presidenti i “Balfin Group” në cilësinë e ortakut të vetëm, depozitoi 500,000 euro, si zgjerim kapitali për “BFI Invest” sh.p.k., një prej kompanive të shumta të këtij grupi të fuqishëm financiar në Shqipëri. Me ç’dukej kompania, me një moshë relativisht të re, kishte ndezur motorrët. Krahas shtimit të kapitalit me para, objekti i veprimtarisë, gjithashtu ndryshoi. “Produktet bujqësore” u zëvendësuan me “investime mbi pasuritë e paluajtshme”. Dhe ende pa dalë dimri, një ekip specialistësh mjedisi zbarkoi në terren. Vendndodhja: Laguna e Nartës. Misioni: vlerësimi mbi mundësinë e një projekti të ardhshëm turistik.

Lexuesi nuk e ka të vështirë të kuptojë se porositësi ishte pikërisht, “BFI Invest” sh.p.k., që në rolin e investitorit kërkonte realizimin e një kompleksi turistik prej qindra shtretërish, në një prej peizazheve dhe zonave natyrore të mbrojtura të Shqipërisë, në Lagunën e Nartës dhe pikërisht në zonën e saj qendrore.

Laguna e Nartës

Më në fund, pas një periudhe kohore rreth tre mujore, projekti mbërriti të hënën përpara publikut. Prezantimi, me“bekimin” e Ministrisë së Mjedisit (e cila e njoftoi atë publikisht), u krye në një prej sallave luksoze të “ABA Business Center”, ku shoqëria “BFI Invest” sh.p.k. shpjegoi konceptin e saj zhvillimor, nën titullin ekologjik “Blu Coast Albania”. Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli, ngritjen e dhjetëra kabinave prej druri, një skenë festivali, hapësira kampingu dy pjesësh, një parkim për makinat e shërbime të tjera, të nevojshme e të mjaftueshme për mirëfunksionimin e një resorti të mirëfilltë.

Së bashku me një grup mjedisorësh, të rekrutuar për të mbështetur realizimin e tij, në këtë dëgjesë u bashkuan disa banorë të komunës së Novoselës, pronarë të pretenduar të zonës në studim. Palët inkurajuan njëri-tjetrin si për të na kujtuar edhe njëherë se tjetërsimi apo shndërrimi i terreneve natyrore të mbrojtura në “zona zhvillimi” për llogari të investitorëve, është kryer në marrëveshje të plotë me një pjese të komunitetit me cilësinë e pronarëve të trojeve.

Kështu, në pak më shumë se dy muaj nga dorëzimi i mandatit, qeveria po lejon çeljen e procedurave (ajo për Lagunën e Karavastasë u çel pak javë më parë) për dhënien e dy prej lagunave më të rëndësishme të vendit, të mbrojtura përmes një legjislacioni kompleks aktesh ligjore, planesh zhvillimore apo strategjish menaxhimi.

Por në sallë kundërshtarët e projektit, ndonëse në numër të vogël, kanë qëndrime të kthjellëta.

“Laguna është zonë e mbrojtur dhe nuk e lejon zhvillimin. Ne duhet të garantojmë siguri për disa qindra llojesh shpendësh që strehohen aty”, – thotë Taulant Bino, specialist i mjedisit dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 680, i datës 22. 10. 2004 ka siguruar mbrojtje strikte, pikërisht aty ku “BFI Invest” sh.p.k. kërkon të investojë. Peizazhi i përket zonës qëndrore e shënuar në hartë me gërmën A.

“Ju duhet, së paku, ta çbëni e më pas të bëni një tjetër ligj dhe diskutimi të fillojë nga e para”! – ndërhyn Gjergj Bojaxhi, ekonomist dhe aktivist i çështjeve publike.              

Përfaqësuesit e ministrisë së mjedisit dhe investitori në sallë, heshtin. Por a është kjo pika e vetme ku qëndrimet e tyre bashkohen? Në fakt, më shumë se një qëndrim, kjo duket një taktikë përpara se ministria të shprehet zyrtarisht. Por ndonëse në dukje të matura, këto veprime nuk e mbulojnë anësinë.

A ka patur dijeni investitori se projekti po hartohej në një zonë kaq të mbrojtur?! Natyrisht që po. Një kompani, pjesë e një grupi të fuqishëm financiar, vështirë të mendohet se nuk e disponon informacionin mbi bazën ligjor ku duhet të mbështetet ky projekt. Por falë historisë dhe vendimmarrjes së deritanishme, pengesat ligjore kanë rezultuar lehtësisht të kalueshme për investitorët. Barrierat kanë rënë edhe me kontributin e disa mjedisorëve.

“Ne jemi për mbrojtjen, por dhe për zhvillimin. Unë nuk mund të jem kundër çdo zhvillimi në zonat që kanë një status mbrojtjeje”, – shprehet Dr. Sulejman Sulçe, i kontraktuar prej “BFI Invest” sh.p.k. për të verifikuar përputhshmëritë ligjore me mundësitë për realizimin e këtij projekti. Por Dr. Sulçe është i njëjti specialist që e vlerëson si të realizueshëm edhe projektin e prezantuar prej “MABETEX”, në Lagunën e Karavastasë.

“Si ka mundësi që bëhen propozime turistike në zona të mbrojtura, kur Shqipëria ka ende shumë pjesë të paeksploruara të bregdetit, specifikisht jo të mbrojtura?” – thotë z. Bojaxhi.

Përfaqësuesit e administratës shtetërore në sallë vazhdojnë të heshtin. Një heshtje e cila shpesh ka folur kundër këtyre zonave.



Lini një koment

2 Komente për "A po shkatërrohen zonat e mbrojtura me lejen e autoriteteve?"

avatar
mamiedit
Guest

ju qifshin ropt se nuk sosem dot kur lexoj te tilla lajme. kur do dal ndonje bajloz tu hedhe ne ere shtepite ketyre krimineleve…

Ladi
Guest

Nuk e kuptoj guximin e ketyre pseudo qeveritateve qe ne ekrane flasin per mjedisin dhe ne fshehtesine e zyrave fiemosin lejet per “zzhvillim” shkaterimin e nje prej lagunave me te bukura
U hodhen mijra euro per mbrojtjen e pelikanit kacurel dhe per.plane menaxhimi dhe tani i shkatettojne me nje te rene lapsi
Shoqeeia civile sduhet ta lejoje ke te masaker

wpDiscuz