Kavajë, Elvis Rroshi e Gentian Daja drejtojnë kompani fitimprurëse ndërtimi

Kavajë, Elvis Rroshi e Gentian Daja drejtojnë kompani fitimprurëse ndërtimi
Gentian Daja, Edi Rama, Elvis Rroshi

Një ditë më parë, Exit ka shkruar për lidhjen në biznes mes Elvis Rroshit, ish-kryebashkiakut të Kavajës, dhe Gentian Dajës, ish-kreut të PS-së Kavajë, i cili dha dorëheqjen pasi gruaja e tij është një nga kandidatët për të garuar në zgjedhjet lokale të majit 2017.

Zyrtarisht Gentian Daja u shpreh se po dorëhiqej për të shmangur “konfliktin e interesit”, por duket se më parë, Zoti Daja e ka përdorur postin e tij dhe marrëdhënien e ngushtë me Elvis Roshin për të financuar biznesin e tij, pa u shqetësuar shumë për “konfliktin e interesit”.

Kjo nuk është hera e parë që një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste përfiton kontrata të majme nga bashkitë që drejtohen nga kryebashkiakë të së njëjtën parti. Mund të përmendim kreun e PS-së në Peqin Edurim Teqja, që njëkohësisht ishte dhe drejtor i kompanisë lokale të furnizimit me ujë dhe drejtor i kompanisë 3R, kjo e fundit është përgjegjëse për vdekjen e Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Pavarësisht se për Edurim Teqen ka urdhër arresti, ai ka arritur të zhduket.

Ergi shpk

Përveç kompanisë së sigurisë Ergi-Security, ka dhe një tjetër kompani që lidh Gentian Dajën dhe Elvis Rroshin, i cili u shkarkua nga detyra për shkak të fshehjes së të shkuarës së tij kriminale  – dënim në Itali për përdhunim në grup, për trafik droge dhepastrim parash në Zvicër.

Biznesi i dytë që lidh Rroshin e Dajën është kompania e ndërtimit Ergi shpk. Kompania ka përfituar kontrata publike pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste në 2013-ën, e veçanërisht pas zgjedhjeve vendore të 2015-ës ku Elvis Rroshi u zgjodh kryebashkiak.

Kompania është themeluar në vitin 2006 nga Elvis Rroshi dhe Gentian Daja, të dy kanë 50 për qind të aksioneve. Ndërkohë Rroshi ishte dhe administrator i kompanisë. Më 17 qershor 2011, drejtimi i kompanisë i kaloi Gentian Dajës. Ndërsa më 16 janar 2015, pak muaj përpara zgjedhjeve lokale, Elvis Rroshi i transferoi aksionet e tij tek Skënder Rroshi, ndërsa Daja i transferi drejtimin e kompanisë Astrit Dajës, të dy të afërm të Gentianit e Elvisit.

Grafiku i mëposhtëm tregon fitimet e kompanisë Ergi shpk nga kontratat publike, në periudhën 2012-2016.

Grafiku 1 – Fitimet e Ergi shpk nga kontratat publike

Nga viti 2012 deri në vitin 2015, periudhë në të cilën PS fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, fitimet e kompanisë Ergi shpk nga projekte të qeverisë u rritën me 300 për qind.

Më pas, rënia e papritur e të ardhurave në vitin 2016 mund  të shpjegohet me faktin se të gjitha asetet e kompanisë u konfiskuan më 7 maj 2015, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kavajë në vitin 2013.

Për të dhënë një krahasim: në vitin 2010 (bilanci i fundit që mund të gjendet nga kompania Ergi shpk) fitimi i kompanisë nga aktivitetet e saj kryesore ishte rreth 1,6 milionë lekë. Që nga tetori 2010, kompania Ergi shpk i ka pezualluar aktivitetet e saj, që do të thotë se kompania nuk ka paguar më taksa e nuk mund të operojë më në treg. Megjithatë të dhënat e mëposhtme tregojnë të kundërtën:

Kompania Ergi shpk ka përfituar disa tenderë të majmë dhënë nga Qeveria Rama, si për shembull rikonstruksionin e godinës së Bashkisë Librazhd në vitin 2016. Kompania e Rroshit e Dajës ishte e vetmja që mori pjesë në tender dhe e fitoi atë me një ofertë prej 17,8 milionë lekësh, sa 99,3 për qind të buxhetit të vënë në dispozicion.

Po ashtu, në bashkinë e Elbasanit në vitin 2016, kompania Ergi shpk ishte e vetmja kandidate në tenderin për rikonstruksionin e një shkolle 9-vjeçare. Kompania e fitoi tenderin sërish me një ofertë prej 54,5 milionë lekësh,  sa 99,3 për qind e fondit maksimal .

Një tjetër tender për rikualifikimin urban të një blloku banimi në Bashkinë Librazhd iu dha kompanisë Ergi shpk, pasi kandidati tjetër i vetëm (me një ofertë 4 milionë lekë më të ulët) u skualifikua nga gara. Oferta fituese e Ergi shpk ishte 110 milionë lekë, sërish sa 99,3 për qind e buxhetit të vënë në dispozicion.

Edil Ergi shpk

Një tjetër kompani, Edil Ergi shpk, themeluar në vitin 2012, është aktualisht në pronësi të Silvana Dajës, bashkëshortes së Gentian Dajës dhe kandidates së mundshme Të PS-së për Bashkinë Kavajë, dhe Skënder Rroshit, bashkëpronar dhe në kompaninë Ergi shpk.

Me pak fjalë, pretendimi i Gentian Dajës se ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i PS-së për të shmangur konfliktin e interesit, nuk duhet marrë shumë në konsideratë.

Gentian Daja dhe Elvis Rroshi janë bashkëpronarë në biznese fitimprurëse e do të ishte naive të besohet se gjesti i Dajës do të bënte diferencë në situatën parazgjedhore ku biznesi, krimi dhe politika janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetërën.



Lini një koment

1 Koment për "Kavajë, Elvis Rroshi e Gentian Daja drejtojnë kompani fitimprurëse ndërtimi"

avatar
trackback

[…] Shëtitorja e Vlorës dhe Parku i Karavastasë në Fier. Ky i fundit rrezikon të shkatërrohet nga projekti i kompanisë Mabetex, për ndërtimin e një rezorti turistik me investitorë rusë, që mesa duket do të jenë […]

wpDiscuz