Investigimi i BIRN: Shqipëria trafik të dyshimtë armësh në Bullgari – Pikat kryesore

Investigimi i BIRN: Shqipëria trafik të dyshimtë armësh në Bullgari – Pikat kryesore

Kompania shtetërore shqiptare e eksportit të armëve, MEICO, nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, dyshohet se i ka shitur armë e municione të vjetra kompanisë bullgare Alguns Ltd, e cila ishte pjesë e programit të SHBA-ve për trajnimin dhe pajisjen me armë të rebelëve sirianë.

Gazetarët Lindita Çela, Ivan Angelovski, Maria Chereseva, në një investigim për BIRN, kanë siguruar dokumente konfidenciale mbi eksportin e armëve nga Shqipëria në Bullgari, bërë në vitin 2015.

17.5 milionë fishekë kinezë, 350 mortaja dhe 40,000 predha mortajash, pjesë e rezervave të vjetra të Shqipërisë i janë shitur kompanisë bullgare për më shumë se një milion euro.

Ministria shqiptare e Mbrotjes është shprehur se kompania bullgare ka pasur dokumentacionin e nevojshmëm për blerjen e armëve dhe se sipas verifikimeve të ministrisë, kompania “nuk është përfshirë në veprimtari kriminale”.

Pikat kryesore të investigimit të BIRN janë:

  • Në 2015-ën, kompania shtetërore MEICO i ka shitur kompanisë bullgarë Alguns Ltd një sasi armësh shqiptare dhe kineze, me vlerë më shumë se një milion eurosh.
  • Alguns Ltd është në pronësi të Alexander Dimitrov, partner biznesi i figurës famëkeqe bullgare të krimit të organizuar, Boyan Petrakiev Borisov, i njohur si “Baroni”.
  • Kompania Alguns Ltd është nënkontraktor i Komandës së Operacioneve Speciale të Pentagonit (SOCOM), si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të furnizuar dhe trajnuar rebelët sirianë të cilët luftojnë Shtetin Islamik, i njohur gjithashtu si ISIS.
  • Ekspertët e armëve besojnë se Bullgaria nuk ka qenë destinacioni final i municioneve të vjetra shqiptare e kineze, pasi ushtria bullgare është modernizuar kohët e fundit dhe është pjesë e NATO-s.
  • Vetë kompania bullgare ka refuzuar të flaës për destinacionin final të municioneve.

Kompania Alguns, e lidhur me shpërthimin vdekjeprurës:

  • Kompania Alguns Ltd dyshohet se ka qenë e lidhur me një shpërthim vdekjeprurës në një poligon qitjeje në Bullgari në vitin 2015, i cili shkaktoi vdekjen e një trajneri të punësuar nga Pentagoni si punonjës në projektin e Sirisë.
  • Përfshirja e Alguns Ltd në këtë shpërthim mbetet e debatueshme, por pranohet se kompania kishte një rol kyç në organizimin e qitjeve në poligon në vigjilje të incidentit vdekjeprurës.
  • Predha antitank që shkaktoi incidentinishte 30 vjeçare, e prodhuar në Bullgari dhe ishte cilësuar si e “pasigurtë” nga Pentagoni.
  • Në Gjyaktën e shkallës së parë, Alguns Ltd mori një gjobë prej 62,500 eruo, por më pas në Gjyaktën e Apelit, kompania u shpall e pafajshme.
  • Ky incident nuk është i vetmi ballafaqim i Alguns Ltd me ligjin. Kjo kompani u gjobit me 1,000 euro në qershor 2016, pasi nuk kishte siguruar dokumentacionin e duhur për një dyqan municionesh që mbante në Sliven, në jug të Bullgarisë.

Destinacioni final i armëve:

  • Ekspertë të armëve shprehen se municionet e vjetra shqiptare e kineze, të transportuara në Bullgari me shumë gjasa kanë përfunduar në Siri, Jemen apo Afrikë.
  • SOCOM nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse kishin blerë armë kineze nga Shqipëria, duke deklaruar se gazetarët duhet të flasin me kompaninë Alguns Ltd.
  • Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri tha se Alguns Ltd kishte siguruar dokumentet e duhura për eksportimin e armëve në Bullgari dhe se ajo kishte verifikuar se kompania “nuk është përfshirë në veprimtari kriminale”.
  • Ministria shtoi se çdo ri-eksportim i armatimeve kërkon pëlqimin e tyre, ndonëse është dokumentuar gjerësisht se kjo pikë shpeshherë nuk përmbushet.
  • Lidhjet e Alguns me Shqipërinë duket se shkojnë përtej blerjes së municioneve të vjetra, duke marrë parasysh se kjo kompani u përpoq të siguronte një kontratë qiraje për fabrikën e armëve të epokës komuniste në qytetin e vogël të Poliçanit. Por në një deklaratë me shkrim të dhënë për BIRN, u tha se plani ishte anuluar.

 

 



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz