Presidenti Trump rrëzon ligjet e Obamës për mjedisin

Presidenti Trump rrëzon ligjet e Obamës për mjedisin
Presidenti Trump gjatë nënshkrimit të Urdhërit, i rrethuar nga minatorë

Presidenti amerikan Donald Trump rrëzoi dje ligjet e ish-Presidentit Obama për çështjet klimaterike.

Gjatë nënshkrimit të Urdhërit Ekzekutiv që do të ringjallë industrinë e qymyrit , morën pjesë dhe punëtorë të miniera të qymyrit e përfaqësues të organizatave në mbrojtje të tyre.

Presidenti Trump u shpreh se “kjo nismë do të ndikojë në krijimin e vendeve të reja të punës”.

Me këtë urdhër hiqet ndalesa për depozitimin e qymyrgurit në tokën amerikane, që kishte frenuar përdorimin e qymyrit nga shumë industri. Pas kësaj nisme pritet të rritet prodhimi i karburanteve nga fosilet.

“Lufta kundër qymyrit ka marrë fund. Kjo masë shënon fillimin e ri të një periudhe për prodhimin e energjisë”, shkroi Presidenti Trump në profilin e tij në Twitter.

Rrëzimi i ligjeve të administratës Obama ka shkaktuar debat publik për përkeqësimin e kushteve klimaterike. Kundërshtarë të Trumpit deklaruan se do të marrin masa ligjore për të rrëzuar Urdhërin që sipas tyre rrezikon dhe prishjen e shumë traktateve ndërkombëtare.

Qëndrimin e Presidentit Trump për çështjet e mjedisit, guvernatorët e Nju Jorkut e Kalifornisë e kanë quajtur “thellësisht të gabuar dhe injoron në mënyrë shokuese shkencat themelore.” Ata u shprehën të vendosur për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtare për të mbrojtur mjedisin.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz