E gjithë shëndetësia me koncesion: 4 shërbime të tjera i jepen privatit në fund të mandatit

E gjithë shëndetësia me koncesion: 4 shërbime të tjera i jepen privatit në fund të mandatit

Në katër vjet qeverisje, Edi Rama dështoi në mbajtjen e premtimit për shëndetësi falas. Në vend të saj ai ua ka bërë këtë shërbim më të shtrenjtë shqiptarëve. Në 4 vjet ai ka kaluar nga duart e shtetërorit tek privati “kontrollin shëndetësor falas –Check up”, “hemodializën” dhe “sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale”, koncesione që kapin vlerën e 300 milionë dollarëve.

Shqiptarët nuk paguajnë për këto shërbime me para në dorë. Por 300 milionë eurot që shkojnë ne xhepat e privatëve paguhen po prej tyre, në formë taksash nga më të ndryshmet.

Këto 300 milionë euro u jepen privatëve për shërbime që deri tani janë ofruar nga spitalet e qendrat shëndetësore. Edhe sot pasi janë privatizuar, sipas sistemit Partneriteti Publik Privat, pjesën më të madhe të punës –veçanërisht në shërbimin e Check up-it e kryejnë mjekët e qendrave shëndetësore.

Prokuroria shqiptare nisi hetimet pasi regjistroi procedim penal për tre tenderat e mësipërm, për korrupsion dhe shkelje të barazisë në tendera. Hetimet vazhdojnë.

Katër tendera të tjerë në shëndetësi ka parashikuar qeveria Rama në muajt e fundit të mandatit.

Koncesionet e “shërbimit laboratorik”, “monitorimit online të barnave”, “monitorimit online të recetave” dhe “regjistri elektronik i rekordeve shëndetësore” do të nisin punë këtë vit.

Në strategjinë e Shëndetësisë 2017-2020 thuhet se përveç implementimit të shërbimit Check-up për popullatën e grupmoshës 40 – 65 vjeç, Partneriteti Publik Privat do të shtrihet drejt programeve dhe shërbimeve madhore shëndetësore, si instrumenteve kirurgjikalë; dializa; paketa e trajtimit të SJT; shërbimeve laboratorike; mbetjeve spitalore, monitorimit oline të barnave dhe të dhënave shëndetësore, raporton Monitor.

Koncesioni i Parë: Për koncesionin e laboratorëve, i paralajmëruar prej vitit 2016 dhe i shoqëruar me protesta të bluzave të bardha, nga arka e shteit do të paguhen 13 miliardë lekë apo afro 100 milionë dollarë.

Koncesioni i dytë: Koncesioni për monitorimin online të lëvizjeve të barnave në depot e kontraktuara ka për qëllim realizimin e regjistrimit on- line të aktivitetit të distributorëve farmaceutikë. Autoriteti kontraktor do të jetë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Koncesioni i tretë:  Është regjistri Elektronik i Rekordeve Shëndetësore (Electronic Health Record (EHR) që do të funksionojë nga ky vit e në vazhdim.  Ky regjistër do të jetë një portal mbi historikun e pacientit nga informacioni i sistemeve që Fondi disponon. Do të krijohet një databazë shëndetësore për çdo pacient.

Koncesioni i katërt: “Receta Elektronike” (e-Prescription) që ka në themel përshkrimin on line të barnave të rimbursuara. Autoriteti kontraktor është Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ky projekt me partneritet publik-privat ka nisur të aplikohet që në disa qytete pilot dhe më pas do të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë.

Qytetarët nuk do të paguajnë para në dorë as për këto shërbime. Por këto janë pagesa “të fshehta” që ata bëjnë përmes taksave. Me shtimin e koncesioneve, çdo shqiptar detyrohet të paguajë taksa të larta apo të marrë shërbime të tjera kundret pagesave më të kripura. Sepse të gjitha paratë që shteti shqiptar derdh në llogaritë e privatëve që po marrin koncesionet, janë para të mbledhura nga taksat. Kur është përballur me kritikat se nuk e mbajti premtimin për shëndetësinë falas dhe në vend të saj i dha privatit të gjitha shërbimet, kryeministri Rama është përgjigjur në këtë mënyrë: “shëndetësia nuk është qofte te daja”.

Praktika e dhënies së koncesioneve në fund të mandatit i ngjan asaj të qeverisë Berisha, e cila privatizoi në të njëjtën formë në muajt e fundit para largimit disa ndërmarrje private, përfshirë 4 hidrocentrale.


Artikulli është publikuar më parë në Lapsi.al



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz