Qytetarët ngrihen t’i thonë jo shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në Durrës

Qytetarët ngrihen t’i thonë jo shkatërrimit të trashëgimisë kulturore në Durrës

Qytetarët e Durrësit, aktivistë të shoqërisë civile e arkeologë do të protestojnë sot kundër projektit për rivitalizimin e Sheshit “Veliera” ngjitur me shëtitoren buzë detit dhe Torrës Veneciane.

Aktivisti Aulon Bej Kalaja njofton se sot në orën 21:00 do të nisen drejt Durrësit për të kaluar gjithë natën tek “Torra Veneciane”, kundër betonizimit të sheshit dhe asgjësimit të historisë dhe identitetit kombëtar.

Projekti Veliera

Projekti “Veliera” nisi më nëntor të viti 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë. Projekti kushton 18,3 milionë euro e barabartë me 40 për qind të gjithë buxhetit të vitit 2017 të Bashkisë Durrës.

Ky projekt përveç kostos së lartë e dëmtimit të trashëgimisë kulturore mijëravjeçare të Durrësit, është provë e qartë e klientelizmit të Qeverisë Rama.

Projekti Veliera u projektuar nga një grup i ngushtë miqsh të Kryeministrit, të cilët kanë realizuar pjesën më të madhe të ndërhyrjeve infrastrukturore në vend.

Veliera u projektuan nga firma italiane e arkitekturës Archea Associati në pronësi të arkitektit të dënuar në Itali Marco Casamonti. Arkitekti Casamonti ka projektuar edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, një tjetër projekt i qeverisë i përfshirë në skandale.

Tenderi për ndërtimin e Velierës u fitua nga kompania Everest shpk dhe Fusha shpk. Kjo e fundit ka fituar të tre tenderat për ndërtimin e sheshit Skënderbej, në Tiranë.

Dëmtimi i zonës së mbrojtur

Projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme të vendit.

Projekti Veliera do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Numër 237, me datë 23 mars 2011. Sipas kësaj VKM-je në këtë zonë lejohen ndërtime me lartësi deri në tre metra.

Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin.

Por, për mbajtjen e velës së betonit me sipërfaqe 200 metra katrorë, themelet duhet të jenë të forta. Ndërtimi i tyre, pa asnjë dyshim, do të dëmtojë shtresat e nëndheshme të qytetit.

Provat fotografike të bëra publike nga aktivistët dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore, tregojnë se shtresat e nëndheshme të Zonës A janë dëmtuar seriozisht, duke zbuluar shtresat ndërtuese më të vjetra të qytetit, të cilat mbrohen me ligj.

Pezullimi i punimeve

Qytetarët, muajin e kaluar, paditën në Gjykatën Administrative Bashkinë Durrës, e cila vendosi pezullimin e punimeve për ndërtimin e “Velierës”, me arsyetim se muret e zbuluara gjatë gërmimeve në vendin ku po kryhen punimet dyshohet se i përkasin periudhës bizantine.

Por disa ditë pas vendimit, në shkelje të vendimit të gjykatës, Bashkia Durrës ka vazhduar punimet në sheshin Veliera, duke betonizuar zonën ku u gjendën themelet e një ndërtese mijëra vjeçare.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz