8 marsi – Dita e Grave për të drejtat e tyre!

Nga Dilfirus Vrioni,
8 marsi – Dita e Grave për të drejtat e tyre!

“Shumë gra, në shumë vende të botës, flasin të njejtën gjuhë të heshtjes.” A. Sengupta

Legjenda e origjinës së 8 marsit e lidh atë me një manifestim të punëtoreve amerikane të tekstilit në vitin 1857, që në realitet nuk ka ndodhur kurrë.

Në fakt, kjo ditë e ka origjinën ne Europën e fillim shekullit XX, në përpjekjet e manifestimet e grave dhe punëtoreve për të drejtën e votës, për kushte më të mira pune dhe barazi me burrat.

8 marsi u shpall si dita ndërkombëtare e grave pas propozimit të Klara Zetkinit në Konferencën e Internacionales Socialiste të Grave, në vitin 1910.

Kjo ditë filloi të kremtohej pas grevës së punëtorëve të Shën Petërburgut të vitit 1917. Mbas vitit 1945, Dita Ndërkombëtare e Grave u kthye në traditë në mbarë botën.

8 marsi nuk është ditë lulesh dhe parfumesh.

8 marsi është dita që përkujton përpjekjet që kanë bërë gratë për të patur të drejta të barabarta në familje, në punë e shoqëri. Është përkujtim i sakrificave të grave për të drejta politike.

8 marsi është dita e reflektimit për gjendjen e këtyre të drejtave sot.

Këto të drejta nuk respektohen dhe gruaja është, shpesh, pre e dhunës së të gjitha formave, ndaj 8 marsi është edhe një pikë e nxehtë në të përditshmen tonë.

Dita e 8 marsit nuk është dita kur gratë duhet t’u gëzohen uljeve të çmimeve nëpër dyqane.

Burra, mos dhuroni lule për 8 mars; 8 marsi nuk është Shën Valentini, është dita për të shprehur solidaritetin tuaj.

Gra, vini një fjongo të bardhë në xhaketë në shenjë të shprehjes kundër dhunës së burrave ndaj grave.

Protestoni për një botë që respekton punën e gruas, për të refuzuar punën vullnetare dhe për të kërkuar paga të barabarta. Bëni grevë kundër punës vullnetare në shtëpi, kundër ditës së punës së dyfishtë për gratë. Kërkoni një ndarje më të mirë të punëve shtëpiake. Vini një fshesë jashtë derës për të kujtuar këto padrejtësi.

Jepni një kontribut për gratë e dhunuara ose për shoqatat në ndihmë të tyre.

Mblidhuni ose marshoni në publik, hapësirat publike janë edhe tuajat.

Jini aktive në këtë ditë në rrjetet sociale me postime që sjellin në vëmendje barazinë grua – burrë.

Merreni ditën pushim, më së paku do të reflektoni rreth kësaj dite më mirë mes bisedash me mikeshat. 

8 marsi në disa data kyçe

1910

Në gusht 1910 u zhvillua, në Kopenhagen, konferenca e dytë e Internacionales Socialiste të Grave që mblodhi bashkë gra nga 17 vende të botës. Konferenca u mbajt me iniciativën e gazetares gjermane Clara Zetkin e cila drejtonte që nga viti 1880 revistën e rëndësishme Die Gleichheit (Barazia), që kishte mbi 125 000 lexues të abonuar.

Objektivi më i rëndësishëm i konferencës ishte vota për gratë.

Konferenca frymëzoi manifestime punëtoresh dhe hapi rrugën e një perspektive revolucionare.

1911

Një milion gra manifestuan më 19 mars 1911 në Gjermani, Zvicër dhe Danimarkë për të drejtat e tyre. Vetëm në Berlin u mbajtën 45 takime ku morën pjesë mbi 40 mijë pjesmarrës, ndërsa në Vienë mbi 30 mijë gra marshuan në rrugë.

Veç të drejtës së votës dhe të drejtës për të pasur funksione publike, gratë kërkuan të drejtën për të punuar pa dallim klasor dhe mosdiskriminim në punë.

1913

Në kuadër të lëvizjes për paqe që lindi përpara Luftës I Botërore, gratë ruse caktuan të dielën e fundit të shkurtit si Ditën Ndërkombëtare të Grave, dhe organizuan në këtë ditë mbledhje klandestine.

1914

Në fillim të muajit mars, në shumë vende europiane, gratë u mblodhën së bashku për të protestuar kundër luftës dhe për të kërkuar të drejtat e tyre.

Në Gjermani gratë protestuan për të drejtën e votës, të cilën e fitojnë vetëm në vitin 1916. Në Londër, Mary Richardson, militante për të drejta e grave, burgoset dhe ushqehet me zor ndërkohë që kishte hyrë në grevë urie për të kërkuar të drejtën e votës për gratë. Kjo e drejtë u njihet vetëm në vitin 1918, por duke filluar nga mosha 30 vjeç, ndërkohë që burrave kjo e drejtë i njihej që nga mosha 21 vjeç.

Në Francë, 238 nga 591 deputetë refuzuan që grave t’u jepej e drejta e votës.

1915

Në Europë gratë bashkohen për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të protestuar kundër luftës. Rusja Aleksandra Kolontai organizoi pranë Oslos një manifestim të grave kundër luftës.

Clara Zetkin organizoi një konferencë ndërkombëtare të grave kundër luftës.

Në 15 prill, ndërkohë që lufta vazhdonte, 1 136 gra nga 12 vende të ndryshme takohen në Hagë.

8 mars 1917

Në Rusi gratë manifesojnë për të kërkuar bukë dhe kthimin e burrave të tyre nga fronti i luftës. Kjo është edhe dita e parë e Revolucionit Rus.

8 marsi fiksohet përfundimisht si dita e grave.

8 mars 1921

Në Shën Petërburg mbahet një konferencë ndërkombëtare, në të cilën Lenini e shpall datën 8 mars si ditën ndërkombëtare të grave.

1945

Pas luftës, 8 marsi kthehet në traditë në të gjithë botën. Dita fillon të përkujtohet edhe në vendet e lindjes.

1977

Organizata e Kombeve të Bashkuara zyrtarizon Ditën Ndërkombëtare të Grave—International Women’s Day (Dita Ndërkombëtare e Grave) është emri zyrtar i ditës së grave.

Me këtë rast, përmes një rezolute Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u kërkoi të gjitha vendeve të mbështesin dhe krijojnë kushtet e duhura për zhdukjen e diskriminimeve ndaj grave dhe përfaqësimin e tyre të plotë dhe të denjë shoqëror.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz