AKIP letër Metës: Komisioni parlamentar po shkel procedurat për ligjin e mbetjeve

AKIP letër Metës: Komisioni parlamentar po shkel procedurat për ligjin e mbetjeve

Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) i ka shprehur shqetësimin sot Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për “shmangien” që komisioni parlamentar për mjedisin po i bën dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit të plehrave.

AKIP, me anë të një letre, shprehet se Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin po shkel procedurat e parashikuara nga ligji dhe afatet e ridiskutimit të dekretit.

Sipas ligjit, kur Presidenti kthen një ligj në kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit, duhet të kthejë pëgjigje brenda 8 javëve.

Presidenti Nishani e ka kthyer më 14 tetor 2016 ligjin për lejimin e importimit të mbetjeve në vend në Kuvend.

Më pas,  AKIP shkruan se “Shkresa e dërguar nga zoti Eduart Shalsi në datën 29 Dhjetor drejtuar AKIP është e pakuptimtë pasi tenton sërish të shkelë Rregulloren e Kuvendit dhe ligjet përkatëse duke kërkuar mendim për një procedurë dhe një ligj që është kthyer nga Presidenti.”

Deputeti Eduart Shalsi, një nga iniciatorët e ligjit të mbetjeve, me anë të kësaj letre, ftoi shoqërinë civile për të qenë pjesë e diskutimeve për të amenduar ligjin.

AKIP e quan tentativën e Zotit Shalsi, një manovër politike, pasi shoqëria civile e ka bërë të ditur publikisht qëndrimin kundër këtij ligji, e jo thjesht kundër disa neneve që mund të amendohen.

AKIP gjykon se importi i  mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme.

AKIP ka bindjen e plotë se ky ligj, për interesat e Shqipërisë duhet hedhur poshtë si i tërë, duke përjashtuar në mënyrë kategorike çdo lloj amendimi të tij.

Në fund, përfaqësuesit e AKIP shprehen të gatshëm të kontribuojnë për një menaxhim sa më të mirë të mbetjeve në vend, pasi dekreti i Presidentit për mosmiratimin e ligjit të jetë pranuar në Kuvend.

Ligji për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, pavarësisht protestave e kundërshtive të qytetarëve.

 

 



Lini një koment

1 Koment për "AKIP letër Metës: Komisioni parlamentar po shkel procedurat për ligjin e mbetjeve"

avatar
trackback

[…] protestave të qytetarëve – nuk u dektetua nga Presidenti Nishani. Që prej tetorit 2016, në shkelje të çdo lloj procedure, Kuvendi ende nuk është shprehur për ligjin e […]

wpDiscuz