Ndërtimet pa leje, si ndryshoi qëndrimi i Qeverisë Rama në 3 vite?

Ndërtimet pa leje, si ndryshoi qëndrimi i Qeverisë Rama në 3 vite?

Qeveria Rama pritet të miratojë në javët në vazhdim ligjin për legalizimin e pallateve apo shtesave të pallateve, ndërtuar pa leje.

Projekligji “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me shkelje të lejes së ndërtimit dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje” është hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban.

Kundërshtimet e Ministrisë së Drejtësisë

Tre ditë më parë, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani e kundërshtoi hapur këtë projektligj duke e cilësuar atë  të papranueshëm. Në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë theksohet se :

  • projektligji parashikon ngatërresa mes kompetencave të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) dhe pushtetit vendor;
  • në disa raste, barra e pagesës së detyrimeve për legalizim kalon tek blerësit e objekteve dhe jo tek ndërtuesit.

Premtimet dhe nismat e Kryeministrit Rama

Projekligji i Ministrisë së Zhvillimi Urban duket se bie në kundërshtim me premtimet dhe deklaratat e Kryeministrit Rama për të luftuar informalitetin dhe prishur ndërtimet pa leje.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, kreu i PS-së Edi Rama premtoi se do të prishte ndërtimet pa leje e do të çlironte hapësirat publike.

Me fitoren e zgjedhjeve, në gusht të 2013-ës, Kryeministri Rama bëri publike nismën “stoprrenimit.com”, ku qytetarët mund të denonconin vetë rastet e ndërtimeve e shtesave pa leje.

Vetëm në Tiranë, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) prishi më shumë se 600 ndërtime pa leje.

Procesin e prishjes së ndërtimeve në Vlorë, Kryeministri Rama e mbikëqyri personalisht nga afër.

Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit

Në verën e vitit 2014, Qeveria Rama  miratoi  ligjin e ri  Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit,  ku shtoheshin ndëshkime të forta për punimet pa leje ose në shkelje të lejes së ndërtimit.

Në Nenin 52, për kundravajtjet administrative, shkruhet:

Fragment nga Neni 52 i Ligjit Per Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, miratuar me 31/07/2014
Fragment nga Neni 52 i Ligjit Per Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, miratuar me 31/07/2014

Ndryshimet në Kodin Penal

Në dhjetor 2014, Qeveria Rama propozoi dënimin me 1 deri në 8 vite burg për ata që ndërtonin pa leje apo që shkelin lejen e ndërtimit.

“Duhet të ndalim hemorragjinë e tmerrshme në të cilën është përmbytur Shqipëria në vitë të tëra. Është e padiskutueshme se nëse nuk sanksionojmë me ndëshkime të qarta, fenomeni do të vazhdojë,” deklaroi Zoti Rama në seancën e Kuvendit të 18 dhejtorit 2014.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal për dënimet e ndërtuesve pa leje.

Fragment nga Kodi Penal
Fragment nga Kodi Penal

Masat e reja të qeverisë shkaktuan arrestime e burgosje të qytetarëve.

Rasti që u përfol opinioni publik ishte ai i aksidentit në maj 2016, ku humbën jetën dy fëmijë. Ata po udhëtonin për të vizituar babain e tyre në burgun e Rrogozhinës, i cili ishte arrestuar pak muaj më parë për vazhdim të punimeve në një objekt pa leje.

Po në maj 2016, Zoti Rama, i bindur për të vazhduar luftën kundër ndërtimeve pa leje, deklaroi:

“Nuk lejohet të ndërtosh ballkon, aneks, kat pa leje, përndryshe i gjithë objekti është pa leje. Boll më, shteti të gjejë mjete të sofistikuara për të prishur katin shtesë.”

Ministria e Zhvillimit Urban ende nuk ka bërë të ditur arsyet apo studimet e bëra që çuan në hartimin e këtij projektligji. Me shumë gjasa, sepse nuk ka një studim të tillë.

Ky duket se  është një vendim që do t’i sigurojë Qeverisë Rama vota nga qytetarët. Po ashtu, ligji do të favorizojë miqtë ndërtues të Kryeministrit që shpëtojnë nga pagesat e nga përgjegjësia para ligjit.

 



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz