Arrestimi i Ramush Haradinajt, reagojnë liderët e Kosovës e Shqipërisë

Arrestimi i Ramush Haradinajt, reagojnë liderët e Kosovës e Shqipërisë

Ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, dje nga autoritetet franceze, ka shkaktuar reagimet e autoriteteve kosovare e shqiptare.

Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Basel-Mulhouse bazuar në një fletë arresti lëshuar nga Serbia në vitin 2004, ku akuzohet për krime lufte gjatë viteve 1998-1999.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e dënoi menjëherë ndalimin e Haradinajt dhe deklaroi se po punohet për lirimin e tij.

I dënueshëm dhe i papranueshëm, në çdo rrafsh, është ndalimi i z. Haradinaj në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë. Institucionet e shtetit të Kosovës po punojnë me tërë mekanizmat që kanë në dispozicion, që sa më parë të korrigjohet ky gabim dhe që z. Haradinaj të lihet i lirë, siç e meriton.

Ky është edhe një argument tjetër pse Kosova duhet të jetë pjesë e institucioneve ndërkombëtare, që ato të jenë në gjendje të zbulojnë të vërtetën për Kosovën dhe Serbinë, për drejtësinë.

Po ashtu, shefi i Kabinetit të Ministrit të Jashtëm të Kosovës,  deklaroi se:

“Ndalimi i tij nga autoritetet franceze është bazuar në një fletarrest të Serbisë të vitit 2004 që për ne është i papranueshëm. MPJ ka nisur notat verbale nëpërmjet Ambasadës tonë në Paris dhe vetë ministri Enver Hoxhaj është marrë personalisht për të shfrytëzuar të gjitha rrugët diplomatike që Haradinaj të lirohet sa më parë.”

Nga Shqipëria, reagoi menjëherë pas arrestimit, ditën e djeshme, Partia Demokratike dhe kreu i saj Lulzim Basha, me anë të një deklarate për shtyp, ku shkruhej:

Ndalimi i sotëm në Francë i Rramush Haradinajt është një lajm shqetësues. Partia Demokratike u kërkon autoriteteve franceze të sqarojnë sa më parë këtë situatë, duke theksuar se procedura të tilla burokratike dhe rudimentare perjetohen me shqetësim në hapësiren mbareshqiptare pasi ato prekin një ndër faqet më krenare të historise sonë, lirinë dhe pavarësine e Kosovës.

Si zoti Haradinaj po ashtu dhe drejtues të tjere të UCK janë ballafaquar me dinjitet dhe janë vlerësuar të pafajshëm nga drejtësia ndërkombetare në kohë të tjera.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, po ashtu, ka reaguar paraditen e sotme, duke deklaruar se “ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.” Zoti Bushati i kërkoi Francës “të qartësojë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn.”

Kreu i Kuvendit Ilir Meta, me anë të një deklarate për shtyp, i kërkoi autoriteteve franceze dhe atyre të Bashkimit Evropian “të zgjidhin këtë incident, të qartësojnë qëndrimin e tyre lidhur më këtë rast e të parandalojnë përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.”

Kryeministri Rama postoi rreth orës 12 të mesditës së sotme një status në profilin  e tij në Facebook ku shkruan:

Ndalimi i Haradinajt një absurditet! E pabesueshme që urdhër-arrestet e Serbisë s’janë fshirë ende nga kompiuterat e BE-së #Skandaloze



Lini një koment

1 Koment për "Arrestimi i Ramush Haradinajt, reagojnë liderët e Kosovës e Shqipërisë"

avatar
trackback

[…] herët, liderët e Kosovës dhe Shqipërisë e kanë quajtuar të padrejtë e të papranueshëm arrestimin e […]

wpDiscuz