Hipokrizia e Bashkisë Tiranë me konsultimet publike

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei,
Hipokrizia e Bashkisë Tiranë me konsultimet publike
Drejtor i Urbanistikës Joni Baboçi në një takim publik. Foto: Facebook/Erion Veliaj

Gjatë territ informativ mediatik mes Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi planin e përgjithshëm të qytetit, i njohur si Masterplani Tirana 2030. Masterplani, pjesë e reformës territoriale, u miratua në shkelje të ligjit të për Njoftimin dhe Konsultimin Publik.

Në mënyrë ironike, ky ligj së bashku me Ligjin e Planifikimin dhe Zhvillimit të Territorit dhe Konventën e Aarhusit të ratifikuar në vitin 2001 janë të publikuar edhe në faqen e transparencës së bashkisë.

Kur e përballa Drejtorin e Urbanistikës Joni Baboçi me paligjshmërinë e procedurave të ndjekura nga Bashkia Tiranë, ai u përgjigj se “nuk ka një ligj për dëgjesat publike” dhe të gjitha “detyrat dhe procedurat janë ndjekur me përpikmëri”:

joni-baboci

Shpresoj që të jetë e qartë për shumë qytetarë që ndjekin shkrimet e mija për hapësirat publike në Tiranë, ashtu si edhe projektet kulturore të cilat ia kam kushtuar kësaj fushe, se unë nuk jam i interesuar të “bëj oponencë”.

Ajo që më intereson është t’i kërkoj llogari bashkisë për këtë plan—pavarësisht nga përmbajtja aktuale e tij—i cili do të ndikojë realitetin urban të Tiranës për dekadat e ardhshme.

Për këtë arsye më lejoni që të mar guximin ta mësoj mikun tonë riosh Baboçi—i cili duke qenë se është punonjës publik i paguar nga taksat e qytetarëve mund dhe duhet të akuzohet për shpërdorim detyre nëse shkel ligjin me vetëdije—për një pjesë të kuadrit ligjor për të cilin ai duket se është krejtësisht i paditur.

Ligji për Njoftmin dhe Konsultimin me Publikun

Ndryshe nga çfarë pretendon Drejtori i Urbanisikës së Tiranës, Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për konsultimet publike. Ai quhet Ligji për Njoftimin dhe Konsultimet me Publikun i miratuar nga qeveria Rama në vitin 2014.

Objekti i këtij ligji është shumë i qartë, saktësisht ai “rregullon procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik të projektligjeve, projektdokumenteve strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik”.

Plani i përgjithëshëm vendor i Tiranës, i cili formulon një vizion deri në vitin 2030, bën pjesë në kategorinë e dokumentave të përfshira në këtë ligj.

Sipas nenit 6 “Organet publike janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik” . Gjithashtu përfshihet publikimi në regjistrin elektronik të projektaktit, koha për njoftimin e konsultimeve, si dhe vendi dhe ora se ku do të zhvillohen.

Ato janë të detyruar të publikojnë të gjitha dokumentat përkatëse në faqen e tyre të transparencës.

Baboçi deklaron se “draftet e këtij plani kanë qënë [..] vazhdimish formalisht të publikuara gjatë këtij viti”. Kjo mund të jetë e vërtetë, por vetëm për fazën e parë dhe të dytë të procesit të hartimit të planit. Këto dokumenta përmbajnë shumë pak informacion konkret mbi planet aktuale të bashkisë dhe për më shumë, janë të një cilësie të dobët. Dokumentat e fazës së tretë dhe të katërt, të paraqitura me ngut javën e kaluar, u publikuan në regjistrin dhe në faqen e transparencës vetëm pasi u krye dëgjesa publike.

Përsa i përket afateve kohore të këtyre procedurave, neni 15 dhe 17 përcakton se koha e arsyeshme për të dërguar pranë institucionit public bvendimmarrës komentet dhe rekomandimet ëshët të paktën 20 ditë pune dhe për dokumente “komplekse ose të rëndësishme”, afati zgjatet deri në 40 ditë pune nga data e njoftimit.

Në këtë rast të veçantë, publiku asnjëherë nuk u njoftua zyrtarisht. Në fakt, ai u njoftua vetëm më anë të një emali të publikuar nga një këshilltar bashkiak i opozitës, në datën 22 dhjetor—katër ditë përpara dëgjesës. Për më tepër, emaili, gabimisht dhe në shkelje të nenit 13 të këtij ligji, përcaktonte vendin e mbajtjes së degjesës publike në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Por, kur unë mbërrita atje në orën 11:00, u gjenda në një aktivitet të Policisë së Shtetit. Vetëm më vonë dëgjova se dëgjesa publike do të mbahej në Hotel Plaza dhe hyrja për mediat ishte e ndaluar.

Më lejoni të theksoj nenin 8-të, i cili përcakton qartësisht se “Palët e interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik janë organet publike; shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe grupet e interesit si dhe personat fizikë të huaj me vendqëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë”, sikurse jam unë.

Të ndalosh median nga pjesëmarrja në dëgjesën e njoftuar si publike është veprim i paligjshëm dhe duhet hetuar si akt kriminal.

Unë nuk e shoh se si referenca ime në ligjin për dëgjesat publike është “mënyra më e pamundimshme për të bërë oponencë” apo tregon “mungesën time të angazhimit”. Unë mendoj se nëse qeveria shkel ligjin duke mos më lejuar mua të lexoj, me interes dhe me devotshmëri, dokumentat të cilat supozohen të formëzojnë qytetin ku unë jetoj, kjo e bën të pamundur për mua të marr pjesë në mënyrë aktive në degjesën më të rëndësishme publike. Është cinike të më akuzosh mua për “mungesë angazhimi”.

Ligji për Planifikim dhe Zhvillimin e Territorit

Drejtori i Ubanistikës së Tiranës deklaroi se “detyrat dhe procedurat” të përcaktuara në ligjin e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit të miratuar më 2014-ën nga qeveria Rama “janë ndjekur më përpikmëri”. Kjo sërish është e pasaktë.

Neni 24 pika 2 e këtij ligji pohon qartë se “Autoriteti përgjegjës i planifikimit i njofton publikut dhe palëve të interesuara vendin, datën dhe orën e çdo takimi publik dhe vë në dispozicion të tyre projektin e dokumentit të planifikimit, të paktën 30 ditë përpara takimit.” Duke konsideruar faktet të cilat i përshkrova më lart, Bashkia ka shkelur ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit dhe çdo “institucion shtetëror” i cili i ka certifikuar po shpërdoron detyrën.

Për më shumë, neni 24 pika 1 thekson se takime të këtij lloji duhet të përsëriten në rast se është i nevojshëm “informimi i plotë” i palëve të interesuara ose për “të zgjidhur” çdo konflikt që ka dalë në pah në lidhje me planin.

Në mungesë të konsensusit të opozitës gjatë dëgjesës publike më 26 dhjetor, dhe në sajë të mungesës së dokumentacionit të plotë për planin në diskutim, përsëritja e degjesës publike është detyrim ligjor.

Sidoqoftë, këshillit bashkiak iu deshën më pak se 10 orë, për të studiuar dhe vlerësuar dhjetëra harta dhe 460 faqe dokument teknik për ta miratuar planin me shumicë votash.

Konventa e Aarhusit

Është e vështirë të mohohet se Masterplani Tirana 2030 do të ketë ndikim të madh në mjedis. Pavarësisht nëse ky ndikim do të jetë pozitiv apo negativ, Konventa e Aarhusit, nën autoritetin e Komisionit Ekonomik për Evropën të Kombeve të Bashkuara, e ratifikuar nga qeveria shqiptare në vitin 2001, është shumë e qartë për kuadrin ligjor sipas të cilit duhet të zhvillohen konsultimet publike për çdo plan i cili ndikon mjedisin.

Tre shtyllat e Konventës së Aarhusit janë si më poshtë:

  • Qasja në informacionin mjedisor: Të drejtën e secilit të marrë informata mjedisore që mbahen nga autoritetet publike. Për më tepër, autoritetet publike, sipas Konventës, kanë përgjegjësinë t’u ofrojnë qytetarëve indormacionin mjedisor të cilin disponojnë.
  • Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen mjedisore: të drejtën për të marrë pjesë në fazat e nismës të procesit të vendimmarrjes për mjedisin. Autoritetet duhet të bëjnë të gjitha veprimet e duhura për t’ju mundësuar qytetarëve dhe organizatave mjedisore të ofrojnë komente dhe propozime për projektet që trajtojnë mjedisin, planet dhe programet mjedisore, dhe ato komente të merren në konsideratë gjatë procesit të vendimmarrjes.
  • Qasja në drejtësi: Të drejtën e individit t’i drejtohet gjykatave për shkeljen e së drejtës së tij për qasje në informacione mjedisore apo lidhur me vendimet publike që janë marrë pa u respektuar e drejta e pjesëmarrjes publike përcaktuar me nenin 6 të Konventës.

Pavarësisht se ligji Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik dhe ligji Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit janë në përputhje me parimet e Konventës së Aarhusit, është e qartë se Bashkia e Tiranës nuk është në pajtim me të.

Megjithatë, Kryebashkiaku Veliaj e mendoi të nevojshme të postonte një album me foto në Facebook plot me imazhe propagandistike me mesazhin “Nuk ka pasur asnjë takim për planin urbanistik??? Ja provat! Por tani le të ecim përpara me punë e jo me llogje”.

Askush nuk e mohoi se bashkia nuk ka zhvilluar dëgjesa. Çështja është të zhvillohen këto dëgjesa në një kontekst ku të gjitha palët e interesuara kanë të njëjtin informacion dhe u është dhënë koha e duhur për të shqyrtuar informacionin në mënyrë që të formojnë një opinion rreth tij. Kuadri ligjor të cilit unë i referohem këtu është krijuar në mënyrë që të sigurojë barazi informimi ndërmjet shtetit dhe qytetarit.

Padija ndaj ligjeve që ekzistojnë për të siguruar mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Tiranës—jo vetëm të pushtetarëve—të cilën shfaq një zyrtar i lartë i bashkisë si Baboçi nuk është ndonjë habi e madhe.

Ajo që është e rëndësishme është se përtej mungesës së vetëdijes dhe shërbimit ndaj interesit publik, kjo pavetëdije ka çuar në veprime haptazi të paligjshme për të cilat duhet të mbahet përgjegjësi. Herët a vonë.



Lini një koment

2 Komente për "Hipokrizia e Bashkisë Tiranë me konsultimet publike"

avatar
trackback

[…] pse masteplani i ri i Tiranës u miratua në fund të dhjetorit, qeveria e ka planifikuar që më parë zbatimin e tij në disa fusha. Më […]

trackback

[…] pohon se të gjitha seancat janë organizuar në përputhje me ligjin, edhe pse në janar ai ende e mohoi ekzistencën e ligjit për konsultimet […]

wpDiscuz