Deutsche Welle: Shqipëria, parajsa evropiane e kanabisit

Deutsche Welle: Shqipëria, parajsa evropiane e kanabisit

Media publike gjermane Deutsche Welle ka publikuar sot një reportazh për kultivimin e drogës në vendin tonë. Ajo shkruan se Shqipëria është kthyer në vendin kryesor të prodhimit të kanabisit në Evropë. Gjithashtu ajo shprehet se policia duket se nuk ka asnjë fuqi mbi gjendjen e krijuar. 

Gazetarja e DW, Lindita Arapi, ka vizituar në qytetin e Rrëshenit një fermë kanabisit të shkatërruar nga policia disa javë më parë. Në fermën, e ngritur në një ish-pulari, ishin kultivuar, tharë dhe paketuar rreth 4,2 ton kanabis.

Ajo ka takuar dy zonja, të cilat punonin në këtë fermë, gra të papuna që paguheshin me rreth 10 euro në ditë, të cilat janë shprehur se “e besoni apo jo ne punonim për bukën e fëmijëve tonë”.

Reportazhi vazhdon si më poshtë:

Njëra prej tyre, një grua rreth 50-vjeç, është shumë e mërzitur me qeverinë, e cila e ka detyruar të jetojë në varfëri. Ajo është e nxehur me policinë “të cilët fitojnë më shumë se sa meritojnë” dhe me baronët e drogës, të cilët “na thanë se ishte sherebel”.  Ajo betohet se në fillim nuk e kishte ditur se bima që përpunohej aty ishte kanabis.

Rita, një grua e re më një kapele të verdhë, thotë se burri i saj është në burg. Ajo tregon me gisht vajzën e saj pesë vjeç dhe thotë se ishte shumë e lumtur që kishte gjetur më në fund punë. “Unë nuk e kam ditur derisa pashë policinë këtu” – këmbëngul zonja.

Nëse është e vështirë të besohet naiviteti i dy zonjave është menjëherë e dukshme lumturia e tyre që kanë gjetur një punë. Mjafton një shikim në barakat ku ato jetojnë. Brenda tyre, uji pikon nga tavani, nuk ka ngrohje dhe jashtë plehrat janë grumbull.

Pavarësisht të gjitha premtimeve, qeveria shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama nuk ka arritur të ulë varfërinë në vend. Papunësia është e lartë, ndihma sociale për familjet në nevojë është rreth 75 euro në muaj për familje. A mos ndoshta është kjo arsyeja që shumë fermerë dhe të papunë rrisin kanabis?

Mijëra shqiptarë nuk kanë asnjë alternativë tjetër sepse reformat sociale dhe ekonomike në ndihmë të zonave rurale mungojnë,” thotë Lulzim Basha, kryetar i opozitës.

“Njerëzit kanë vetëm dy zgjidhje ose të lënë fëmijët pa bukë ose të punojnë në fermat e kanabisit. Shumë prej tyre kanë zgjedhur këtë të dytën,” — shton Zoti Basha.

Viti i kanabisit

Baronët e drogës e kanë të lehtë të gjejnë punëtorë për kultivimin, tharjen dhe paketimin e kanabisit. Kjo industri nuk është fitimprurëse vetëm për punëtorët e krahut. Sipas kërkimeve të kryera nga DW, një fermë kanabisi “që ia ka dalë” — që do të thotë se ka korruptuar policët — ka fituar 200 euro për një kilogramë kanabis. Kanabsi shpesh mbillet në vende të “izoluara” dhe zona të cilat janë të vështira për t’u arritur. Disa fermerë kanabisi kanë ngritur sisteme ujitjeje dhe i mbrojnë fushat e tyre me armë.

Shqipëria e ka pasur edhe më parë problemin e kultivimit të kanabisit, por viti 2016 meriton të quhet viti i kanabisit. Sipas policisë shqiptare,janë shkatërruar më shumë se 2,5 milionë bimë kanabisi dhe janë zbuluar 5,204 parcela të mbjella me kanabis.

Një element tjetër është shpërhapja gjeografike në të gjithë vendin. “Baronët e drogës e kanë ndryshuar strategjinë e tyre”, shprehet analisti politik shqiptarë Aleksandër Cipa.

“Sa më shumë shkatërron policia, aq më shumë rritet kanabisi. Shpërndarja masive i ndihmon baronët e drogës të shpëtojnë shumë fusha kanabisi” – thotë Zoti Cipa.

Për lulëzimin e fermave të kanabisit opozita akuzon bashkëpunimin e krimit me qeverinë. “Nuk ka asnjë shqiptar sot i cili beson se e gjtihë kjo mund të ndodh pa përfshirjen e segmenteve të caktuara të policisë dhe politikës”, theksoi Basha.

Elvis Nabolli, drejtues i televizionit lokal  “Rozafa”në Shkodër dhe fitues i çmimit të BIRN për gazetarin investigues më të mirë, ka vëzhguar për një kohë të gjatë kultivimin e kanabisit në Shqipëri . Ai thotë se tregu i drogës është i rrezikshëm për fermerët e thjeshtë por jo për baronët e drogës.

“Industria e drogës kontrollohet nga njerëz të pushtetshëm të cilët kanë lidhje të fuqishme me autoritetet, duke filluar nga policët e thjeshtë deri në nivelet e larta të drejtimit të vendit,” — tha Nabolli.

“Është e vërtetë se policia, gjithashtu, shkatërron shumë parcela me kanabis, por ato të cilat kanë mbrojtje të veçantë qendrojnë të paprekura” — thekson ai.

Kolumbia e Evropës

Altin Qato drejtor i Përgjithëshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë kundërshton imazhin e keq që i vishet policisë këto kohë.

“Policia po punon në terrene të vështira” — tha ai për DW. “Po, ka raste të izoluara të përfshirjes së policisë por kjo nuk është një prirje e përhapur. Nga 9 mijë policë, vetëm 40 prej tyre kanë ndihmuar në kultivimin dhe trafikimin e drogës në vitin 2016. Tetë oficerë policie janë arrestuar” — tha Qato.

Tani dimri ka mbërritur në vendet e Ballkanit. Media raporton më pak parcela kanabisi të shkatërruara, por raportimet e përditshme për kapjen e drogës në kufi nuk mungojnë.

Droga e kultivuar duket se ka gjetur rrugën e saj nga Deti Adriatik në Itali ose në rrugë të fshehta nga Mali i Zi, Serbia dhe më pas për në Evropën Perëndimore.

Opozita shqiptare i ka rënë këmbanave të alarmit: Vendi po kthehet në Kolumbinë e Evropës.

Ritës dhe Mirës nuk i interesojnë paralajmërimet e opozitës. Ato dhe shumë shqiptarë të tjerë varen nga industria e kanabisit për të sigururar mbijetesën.  “Nëse ne do të kishim mundësinë të punonim sërish, ne do ta bënim,” — thonë ato.

Herën e parë i shpëtuan policisë duke përdorur arsyen se “ato nuk dinin gjë”. Por, cili do të jetë justifikimi i radhës nëse kapen sërish?



Lini një koment

1 Koment për "Deutsche Welle: Shqipëria, parajsa evropiane e kanabisit"

avatar
trackback

[…] çdo ditë për trafikun e lëndëve narkotike në Shqipëri duke e cilësuar vendin si “Kolumbinë e Evropës”, ministri Tahiri dhe Policia e Shtetit tregojnë me mburrje se si po e luftojnë drogën dhe […]

wpDiscuz