Xhamia e Tiranës – Financim i paqartë dhe taksa të papaguara

Nga Nina Ružička,
Xhamia e Tiranës – Financim i paqartë dhe taksa të papaguara

Ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë po vazhdon sipas afateve të caktuara, pavarësisht kundërshtimeve të ndryshme që e rrethojnë. Ndërtesa do të jetë qendra islamike më e madhe në Ballkan. Ajo do të përfshijë një xhami, një sallë konferencash, një librari, muzeumin e bashkëjetesës fetare në shenjë të tolerancës fetare në Shqipëri, dhe hapësirë për parkim.

Pengesa kryesore për ndërtimin e saj ishte padyshim mosmarrëveshja ligjore ndërmjet pronarëve legjitim të tokës dhe qeverisë shqiptare. Kjo betejë zgjati për më shumë se një vit. Në mënyrë që të fillonte ndërtimi i xhamisë, qeveria i pagoi pronarëve 1.3 milionë euro për shpronësimin e tokës.

Ndërtimi i xhamisë në zonën e ngarkuar me ndërtime të larta, qendra tregtare dhe ndërtesa historike hasi në kundërshtime të shumta.

Shoqata e arkitektëve shqiptarë dhe planifikuesve urbanë, si edhe një grup ambientalistësh e kundërshtuan vendin e zgjedhur për ndërtimin e xhamisë, duke u bazuar në ndikimin negativ që xhamia do të kishte në estetikën, urbanistikën dhe mjedisin aktual të qytetit.

Sidoqoftë, pas disa vitesh zvarritje nëpër gjykata, bllokim të lejes së ndërtimit dhe një debati të egër ndërmjet aktorëve të ndryshëm, ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë vazhdoi, në terr të plotë informativ dhe në heshtje.

Përjashtimi nga taksat e pronës

Në shumë vende, kishat, xhamitë dhe institucione të tjera fetare janë të përjashtuara nga taksat, pavarësisht faktit se ato zotërojnë ndërtesa dhe kanë fitime financiare, si çdo organizatë tjetër. Përjashtimi nga taksa mbi të ardhurat dhe mbi ndërtesën për institucionet fetare ka qenë një praktikë e zakonshme në botë për gjenerata të tëra.

Sidoqoftë këto praktika janë debatuar shumë dhe kanë ndryshuar përgjatë viteve, duke i kërkuar institucioneve të paguajnë taksa mbi ndërtesën dhe mbi të ardhurat si çdo institucion tjetër, si shkollë, institut kërkimor apo kulturor. Në Shqipëri, jo vetëm që një gjë e tillë nuk mendohet, por edhe informacioni i lidhur me këtë temë është i vështirë pë t’u gjetur.

Vitin e shkuar, më 30 dhjetor 2015, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin për “Taksat vendore dhe tarifat në qytetin e Tiranës.” Për herë të parë, Këshilli Bashkiak ra dakord për përjashtimin e  institucioneve fetare nga pagesa e taksës mbi ndërtesën.

Bazuar në këtë vendim, xhamia e Namazgjasë, e vendosur në qendër të Tiranës, me sipërfaqe rreth gjashtë mijë metra katrorë, me minare nga 35 metra deri në 50 metra të gjata, është e përjashtuar nga taksat mbi ndërtesën.

Taksat e papaguara të ndikimit në infrastrukturë

Megjithëse institucionet fetare janë të përjashtuar nga taksat mbi ndërtesën ato nuk janë të përjashtuara nga taksat mbi ndikimin në infrastrukturë. Sipas ligjit, çdo objekt nën ndërtim duhet të paguaj këtë taksë, e cila përllogaritet në bazë të vlerës së investimit.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë supozohet të mbulojë presionin e shtuar në sistemin infrastrukturor të vendit të shkaktuar nga ndërtimi.

Në rrugë jo zyrtare pranohet nga punonjësit e Bashkisë të Tiranës se taksa mbi ndikimin në infrastrukturë e xhamisë vazhdon të jetë në fuqi nga periudha e marrjes së lejes së ndërtimit e deri në përfundim të objektit.

Sipas faqes zyrtare të firmës së arkitekturës Hassa, xhamia do të ndërtohet për tre vjet dhe vlera e investimit shkon në 40 milionë euro. Duke marrë parasysh faktin se ndërtimi i xhamisë bie nën kategorinë e “ ndërtim objekti për shërbim publik”, taksa e ndikimit në infrastrukturë është e njëvlefshme me dy për qind të  vlerës së ndërtimit. Pra, taksat e papaguara nga komuniteti mysliman për Bashkinë Tiranë janë rreth 800 mijë euro, i barabartë me të gjithë buxhetin e qeverisë për pagat e komuniteteve fetare në vend.

Përse autoritete vendore të Tiranës nuk e mbledhin këtë taksë

Qeveria vendore dhe qendrore janë përgjegjëse për keqmenaxhimin e çështjes që nga fillimi i saj. Ndërtimi i xhamisë ka mbështetje të madhe politike. Ndërtimi i saj ishte thelbësor për të mbyllur debatin e hapur për mungesën e hapësirave të përshtatshme për komunitetin besimtar më të madh në vend. Komuniteti mysliman, i cili përbën 70 për qind të popullsisë, shumë shpesh lutet në rrugët e Tiranës, si pasojë e hapësirave të vogla në xhamitë ekzistuese. Për vite me radhë, ndërtimi i xhamisë u përfshi në një sërë debatesh dhe konfliktesh dhe qeveria ka qenë e paaftë për të gjetur zgjidhur këto probleme. Në shumë raste të tjera qeveria ka qenë direkt përgjegjëse për shkaktimin e problemeve.

Shumë domethënës është fakti se komuniteti mysliman dha 30 milionë euro për ndërtimin e xhamisë, e cila u inaugurua nga Presidenti Turk Rexhep Taip Erdogan – i quajtur nga Kryeministri Rama “vëllai i Shqipërisë” – i cili e cilësoi xhaminë “simbol të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve”.

Ndaj për qeverinë tonë do të ishte gati një herezi kërkimi i taksës së papaguar.

Të ardhurat prej 800 mijë euro nga kjo taksë duhet të përdoren për shërbimet publike, policinë, zjarrfikësit dhe shkollat publike. Por mesa duket për financimin e shërbimeve publike dhe shkollave Bashkia zgjedh më mirë mekanizmin e Partneritetit Publik-Privat se sa të kujdeset për mirë funksionimin e sistemit të mbledhjes së taksave.



Lini një koment

Bëj koment i pari!

avatar
wpDiscuz