Aferë me përmasa të mëdha mes kompanisë turke Suzer dhe qeverisë Rama?

Aferë me përmasa të mëdha mes kompanisë turke Suzer dhe qeverisë Rama?

Afera mes qeverisë dhe kompanisë turke Suzer mund të jetë shumë më e madhe se sa thjesht ndërtimi i një hidrocentrali të vogël në Drinin e Zi.

Ajo që është bërë publike deri tani është se qeveria ka negociuar me kompaninë turke Suzer për ndërtimin e hidrocentralit të Katundit të Ri, sipas qeverisë, pas një propozimi të pakërkuar të Suzer.

Mbi këtë bazë, qeveria i ka dhënë një bonus prej 8 për qind kompanisë dhe ka vendosur që të hapë garën për zgjedhjen e konçesionarit që do të ndërtojë hidrocentralin e Katundit të Ri.

Edhe pse e gjithë kjo proçedurë u mbajt e fshehur deri sa u bë e ditur nga burime të huaja, në pamje të parë duket se qeveria është në zbatim të ligjit formalisht.

Por nëse besohen deklaratat e kompanisë Suzer gara, e cila nuk është shpallur ende, do të jetë thjesht farsë pasi drejtuesit e Suzer janë shprehur të sigurtë se do të fillojnë ndërtimin e hidrocentralit të Katundit të Ri brenda tre muajsh. Madje, sipas tyre, ata kanë rënë dakord me qeverinë edhe për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës dhe të një hidrocentrali në Arras të Peshkopisë.

Ata, gjithashtu, kanë zbuluar se i kanë shprehur qeverisë interesin për privatizimin e gjithë hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, përfshi Fierzën, Komanin dhe Vaun e Dejës.

Këto deklarime janë bërë, para rreth një muaji, nga dy drejtuesit kryesorë të Grupit Suzer—Presidenti i Nderit Mustafa Suzer dhe Drejtori Ekzekutiv Sami Çakir —në një konferencë shtypi për mediat turke. Në këtë konferencë Zoti Suzer deklaroi:

“Përgjatë rrjedhjes së Drinit në zonën e Dibrës, Konsorciumi Suzer-Nurol ka planifikuar ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës me fuqi 165 MW dhe të hidrocentralit më të vogël të Katundit te Ri me fuqi 57 MW. Duke i shtuar këtyre dy investimeve edhe ndërtimin e hidrocentralit të Arrasit fuqia totale shkon në 270 MW. Këto projekte do të fillojnë brenda tre muajve me një investim total prej 450 milion dollarësh. Ndërkohë, Suzer Grup po interesohet pranë qeverisë shqiptare për privatizimin e mundshëm të hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, me fuqi totale 1 350 MW.”

Kjo deklaratë ngre dyshime serioze mbi marrëdhëniet e qeverisë dhe kompanisë Suzer, veçanërisht pasi qeveria nuk ka bërë asnjë lloj transparence në lidhje me këtë marrëdhënie.

Tonet e sigurta dhe faktike të kësaj deklarate janë në kontrast me tonet e kujdesshme të një sqarimi që kompania Syzer bëri për publikun shqiptar para pak ditësh, në përgjigje të akuzave të opozitës për aferë klienteliste mes saj dhe qeverisë. Ndryshe nga informacioni që dha për median turke, për publikun shqiptar kompania deklaroi:

“Në qoftë se do kemi sukses në proçesin e tenderimit, i cili do të jetë plotësisht transparent dhe në përshtatje me Ligjin e Shqipërisë për Partneritetet Publiko-Private (PPP), atëherë investimi që ne do të bëjmë në fazën e parë të këtij projekti llogaritet të jetë rreth 120 milionë euro.”

Kryeministri Rama dhe Ministri Ahmetaj janë akuzuar nga opozita dhe zëra të tjerë publikë për marrëdhënie klienteliste me kompaninë Suzer.

Akuzat e tyre kanë fituar kredibilitet për shkak se qeveria zgjodhi variantin minimal për zhvillimin e veprës hidroenergjitike të Skavicës, i cili konsiderohet më i papërshtatshmi për interesat ekonomike dhe strategjike të vendit.

Kompania Suzer nuk përfshihet për herë të parë në marrëdhënie të debatuara biznesi në Shqipëri. Në vitin 2000, përmes bankës së saj Kent, ajo privatizoi Bankën Kombëtare Tregtare për shumën simbolike 1 euro. Privatizimi i atehershëm i BKT-së u përfol si akt korruptiv nga ana e qeverisë Meta. Më vonë Banka Kent ja shiti BKT-në grupit turk Çalik.

 

Artikuj të lidhur:

SKAVICA: tradhëti kombëtare (ose rënia e shkencës dhe sundimi i pseudoartit)

SKAVICA – sipas standardit “Qeveri e Mirë a Qeveri e Keqe”

Skavica – si tregues i kleptonomisë së qeverisë Rama



Lini një koment

1 Koment për "Aferë me përmasa të mëdha mes kompanisë turke Suzer dhe qeverisë Rama?"

avatar
evriviadhi
Guest

Turqia na mbajti 500 vjet larg Evropës. Nuk është e hijshme ta lëmë pa pjesë, tani që mjaftë nga ne i kanë kthyer sytë, siç duket pa shpresa, në drejtim të Perëndimit. ..

wpDiscuz